A është zhdukur deputeti Alqi Bllako? Avokati i tij nxjerr foton nga…
Deputeti i Partisë Socialiste që u shkëput kohë më parë nga LSI dhe iu bashkua PS, nuk është arrestuar nga policia. Tani, shumë dyshime ka se ai është zhdukur.
Që para mesdite, Gjykata e Posaçme kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Alqi Bllakon, nën akuzat për “shpërdorim detyre” dhe korrupsion gjatë kohës që mbante postin e këshilltarit në Ministrinë e Mjedisit.
Menjëherë më pas, SPAK lëshoi urdhër-arrestin për Alqi Bllakon. Por ndërsa afron mesnata dhe mbyllet 31 marsi, deputeti socialist nuk është ende në prangat e policisë.
Urdhri për arrestimin e tij nuk është zbatuar dhe dyshimet po rriten se ai është zhdukur ashtu si Klodian Zoto, bosi i përfolur i inceneratorëve.
Më herët, dje, Bllako me anë të një statusi në Facebook njoftoi dorëheqjen si deputet, disa aorë pais u paralajmërua se do të arrestohej.
Por ndërsa shumë njerëz prisnin që ai të vetëdorëzohej, duket se po ndodh e kundërta dhe Bllako nuk gjendet askund.
Zhdukja e tij mbushet me mister, pasi ikja nga drejtësia të bën të dyshosh se ai ka gjëra për të thënë.
Dyshimet se mund të jetë larguar nga vendi, u përforcuan kur avokati i tij, Sokol Hazizaj nxori një foto nga avioni duke shkruar “Ciao, përqafime”.
Lind pyetja: A është ky një mesazh për një arratisje të mundshme të klientit të tij, Alqi Bllako, apo thjeshtë një foto pa lidhje me këtë?
Ish deputeti socialist akuzohet se në kohen kur ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit ishte shpërdoruar detyrën duke falsifikuar së bashku me ministrin Lefter Koka dokumentet zyrtare të shpronësimit të tokës në Fier ku do ndërtohej inceneratori i fierit.
Dosja e hetimit
SPAK ka dërguar edhe dosjen mbi të cilën mbështet kërkesën për heqjen e imunitetit ndaj deputetit socialist. Në dosje, SPAK qartëson se kontrata koncesionare u ndryshua dy herë, nga deputeti i PS, Alqi Bllako.
Babai i Alqi Bllakos përfitoi pagë 6000 € në muaj nga inceneratorët dhe në total ka përfituar mbi 14.9 mln lekë. SPAK i ka sekuestruar babait të Alqi Bllakos një apartament të blerë më datë 28.04.2020, që ka kushtuar 144 mijë euro, vlerë ekuivalente me shumën e përfituar.
“Gjatë kohës që shtetasi Alqi Bllako ka kryer funksionet e tij bazuar në dy autorizimet e mësipërme, rezulton se kontrata koncesionare gjatë zbatimit të saj është amenduar edhe dy herë të tjera si vijon: Ndryshimi i kontratës më datë 3 dhjetor 2019, konkretisht aneksi 4, “Grafiku i punimeve” që ka të bëjë me rishikimin/ndryshimin e grafikut të punimeve për ndërtimin e këtij Inceneratori, duke e zgjatur afatin për një periudhë 9-mujore (shtesë kontratë/amendimi nr. 3628 prot., datë 03.12.2019, për një periudhë 9-mujore nga data 6 dhjetor 2019 deri 6 korrik 2019). Ndryshimi i kontratës nr.5553/5, datë 24 tetor 2016, referuar amendimit/marrëveshjes protokolluar në AKUM, me nr.2238/3 prot., datë 11.09.2020, konkretisht Aneksi IV “Grafiku i punimeve”, që ka të bëjë me rishikimin/ ndryshimin e Grafikut të Punimeve për ndërtimin e këtij inceneratori, duke e zgjatur afatin për një periudhë rreth 9 muaj (shtesë kontratë/amendimi nr.2238/3 prot., datë 11 shtator 2020, për një periudhë 9-mujore nga data 6 korrik 2020 deri më 31 mars 2021)”, thuhet në dosje.
Sipas SPAK, këto dy amendime të kontratës koncesionare janë bërë nga shtetasi Alqi Bllako, me funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), nën cilësinë e Autoriteti Autorizues.
“Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Edmond Bllako (babai i shtetasit Alqi Bllako), është punësuar me funksionin “Drejtori Kantieri”, pranë shoqërisë “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, me aksioner shtetasin Klodian Zoto, e cila është shoqëria koncesionare për objektin “Ndërtim landfilli, inceneratorit dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese Tiranë”, nëpërmjet kontratës së punës, datë 25 tetor 2018, bërë ndërmjet shoqërisë “Integrated Energy BV SPV”, shpk dhe shtetasit Edmond Bllako, me pagë mujore 6,000 (gjashtë mijë) euro në muaj. bazuar në këtë kontratë pune rezulton se shtetasi Edmond Bllako nga muaji tetor i vitit 2018 deri në muajin janar të vitit 2020, ka përfituar shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë. Nga hetimet rezulton e provuar se për të njëjtën periudhë si më sipër (2018-2020) në shoqërinë “Integrated Energy BV SPV” shpk kanë punuar dhe janë paguar si Drejtor Kantieri për inceneratorin Tiranë shtetasit Enid Dine, Ilirjan Priftaj, Elton Bualli, të cilët njëri pas tjetrit kanë qenë të pranishëm gjatë punës në kantier dhe kanë ushtruar realisht funksionin e drejtorit të kantierit. Nga dokumentacioni i administruar në shoqërinë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” shpk, (ditari i punimeve të bëra) rezulton se gjatë periudhës 2018-2020 shtetasit Enid Dine, Ilirjan Priftaj, Elton Bualli, me funksionin e drejtorit të kantierit janë paraqitur rregullisht në kantier”, nënvizohet në dosje.
SPAK pretendon se të pyetur rreth këtij fakti këta shtetas kanë deklaruar se gjatë periudhës që ato kanë mbajtur pozicionin e Drejtorit të Kantierit shtetasi Edmond Bllako është paraqitur dy-tre herë në kantier, por nuk kanë dijeni për pozicionin e punës së tij. Gjithashtu, kanë deklaruar se në organikën e shoqërisë ka pasur të përcaktuar si funksion vetëm një drejtor kantieri, i cili e ka pasur zyrën gjatë gjithë kohës brenda kantierit. po ashtu deklaruesit, kanë shpjeguar se instruktimin teknik të punonjësve, përfshirë edhe Drejtorin e Kantierit, e ka kryer shoqëria e kontraktuar ‘PRSP Health’”.
“Për faktin e mësipërm shtetasi Alqi Bllako dyshohet se ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë””, është akuza e SPAK.
Fraksion.com