SPAK kërkon arrestimin e tij, Alqi Bllako “dorëzohet” para drejtësisë: Lë mandatin e deputetit
SPAK kërkoi arrestimin e tij, reagon për herë të parë Alqi Bllako: Jam i tronditur, nesër do të dorëzoj mandatin
Ditën e sotme janë ekzekutuar 9 urdhër arreste me urdhër SPAK pasi kanë lidhje me korrupsionin me inceneratorin e Fierit. Prokuroria e Posacme i ka kërkuar Kuvendit leje për arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako. Për këtë ka reaguar për herë të parë Bllako mbrëmjen e sotme duke thënë se është i tronditur, por i bindur se procesi i drejtë provon pafajësinë e tij. Sipas deputetit, nuk e ka thyer kurrë etikën e detyrës që ka ushtruar si sekretar të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit. Në postimin në Facebook, Bllako thotë se nesër do të dorëzojë mandatin dhe do të përballet me akuzën.
Postimi i plotë:
Të nderuar miq! Natyrisht jam i tronditur nga kërkesa e SPAK-ut për ndalimin tim. Kam bindjen e thellë që një proces i paparagjykuar dhe i drejtë do ta provonte lehtësisht pafajësinë time; me bindjen e palëkundur se as kam shkelur kurrë ligjet e vendit e madje as kam thyer kurrë etikën e detyrës që kam ushtruar!Sidoqoftë, nuk ka arsye të angazhohet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për këtë çështje dhe as nuk dua të përfitoj apo të më ofrohet një trajtim ndryshe nga çdo qytetar tjetër i vendit tonë. Unë nuk kam mburojë mandatin e deputetit, por të vërtetën për pafajësinë time. Këtë do ta provoj në gjykatë dhe përpara opinionit publik.
Prandaj kam vendosur që ditën e nesërme t’i paraqes Kryetares së Kuvendit dorëzimin e mandatit tim si deputet i Republikës së Shqipërisë, dhe të përballem me akuzën pa asnjë privilegj. Si një qytetar i zakonshëm, si prind dhe familjar i përgjegjshëm; dhe mbi të gjitha si një shërbëtor publik, që padyshim e kupton se çdo angazhim vjen edhe me çmimin e përbaltjes politike apo edhe me detyrimin e sqarimit të së vërtetës para drejtësisë!
Ju jam thellësisht mirënjohës për mbështetjen! Mezi pres t’u provoj të vërtetën dhe të drejtën e pastër miqve, dhe padyshim armiqve!
Fraksion.com