Atentat me armë në Elbasan ndaj Talo Çelës, Nuredin Dumani arrestohet gjatë aksionit të RENEA-s në Fier
I shumkërkuari Nuredin Dumani është kapur në Fier gjatë operacionit të zhvilluar nga RENEA.
Mësohet se Dumani ka qenë i përfshirë në ngjarjet e pasdites në Elbasan ku u krye atentat ndaj shtetasit të shpallur në kërkim, Talo Çela.
Dumani është plagosur në shpatull gjatë përplasjes në Elbasan. Ai ndodhet në sallën e operacionit të spitalit të Fierit dhe më pas do të transportohet në Tiranë.
Policia ka marrë informacion për këtë ngjarje dhe ka mësuar se Dumani pas ngjarjes është larguar për në qytetin e Fierit dhe më pas është arrestuar në një bllok pallatesh në lagjen “Apollonia”.
Sipas informacioneve të siguruara, Dumani ka qenë i armatosur në momentin e arrestimit nga forcat speciale “RENEA”.
Ndërkohë forca të shumta policie kanë bllokuar një segment rrugor të lagjes “15 tetori” dhe Apollonia në Fier ndërsa operacioni vijon . Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga policia e Fierit.
Kush është Nuredin Dumani?
37-vjeçari është emër i njohur në botën e krimit. Ai është autor i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, kjo pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla i cili tha se vëllezërit u vranë pasi akuzoheshin se nuk i kishin kthyer një shumë të konsiderueshme parash që kishin lënë në servisin e tyre.
Dumani mësohet se ka lidhje shoqërore me Klevis Kapllanin, i ekzekutuar me 14 plumba më 15 shtator. Ai akuzohet edhe si organizator i vrasjes së Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars të vitit 2020.
Për vrasjen e katër të rinjve në Durrës, Dumani ka bashkëpunuar së bashku me Talo Çelën, ndërsa sot ai akuzohet për vrasjen e vëllait të tij, Bujar Çela.
Gjithashtu Dumani ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni që doli në dritë pas denoncimit të një vajze nga Durrësi të trafikuar në Francë.
Sipas dëshmisë së saj, Dumani ishte tutori që i mashtronte vajzat duke u propozuar martesë dhe në rast refuzimi i kërcënonte se do të vriste familjarët e tyre.
Në tetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen ndaj grupit të Talo Çelës, të akuzuar për dy ngjarje kriminale me 4 viktima.
Në gjykim ka kaluar dosja për Besian Xhixhan, Enver Divan, Altin Ndocin dhe për bashkëpunëtorin e drejtësisë, Klevis Allën.
Kurse për të pandehurit Talo Çela dhe Nuredin Dumani gjykata pezulloi me një vit çështjen, për shkak se ata ende nuk janë arrestuar.
Të pandehurit akuzohen për vrasjen e vëllezërve Viktor e Besmir Haxhia dhe Dorian Shkoza e Anxhelo Avdia.
Talo Çela është i akuzuar për 5 vepra penale, mes tyre, për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, në dëm të viktimave Dorian Shkoza, Anxhelo Avdia, Besmir Haxhia e Viktor Haxhia.
Gjithashtu Çela, i cili është në arrati, akuzohet edhe për tentativën e vrasjes me paramendim ndaj Irfan Hazizit.
Pas atentatit të dy vëllezërve Haxhia, prokuroria bashkoi dy dosjet, të Haxhiajve dhe të dy të rinjve qe u ekzekutuan në 2 mars të vitit 2020, pasi vëllezërit Haxhia kishin njohje dhe marrëdhënie miqësore me dy viktimat, Shkoza dhe Avdia.
Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia u ekzekutuan më pak se 1 km nga vendi ku u ekzekutuan vëllezërit Haxhia, me të njëjtën mënyrë e mekanizëm.
Si ndodhën katër vrasjet:
Besian Xhixha, një 30 vjeçar me profesion berber dhe Enver Diva, u paguan paradhënie pesë mijë euro nga Dumani, për të vrarë Besmir Haxhinë pasi “ai kishte nisur të fliste shumë”.
Por teksa njeri prej tyre u prek nga Covidi, dhe për ketë arsye telefonoi Dumanin duke e njoftuar se plani anulohej, grupi u mblodh dhe vendosi ta kryejë krimin vetë, ku gjatë të shtënave pa dashje u vra edhe vëllai i Besmir Haxhisë, Viktor Haxhia.
Vrasja e dy vëllezërve u krye më pas nga Altin Doci dhe Klevis Alla me rol ndihmës për autorët, të cilët morën urdhra nga Dumani dhe Talo Çela, pasi Besmir Haxhia po fliste shumë sipas tyre dhe i kishte hyrë vetja ne qejf.
E ndërsa Nuredin Dumani është nën hetim për një seri ngjarjesh ku përfshihet edhe vrasja e Anxhelo Advisë dhe Dorian Shkozes, ndaj ish mikut të tij Talo Çela, edhe ai i kërkuar, rëndon dhe një episod shtesë siç është tentativë për të vrarë biznesmenin Irfan Hazizi.
Të gjithë të dyshuarit e mësipërm do të jenë në të njëjtën dosje, që vijon të mbetet e vështirë të deklarohen me prova motivet e vrasjeve, edhe pse protagonisti kryesor Talo Çela po vijon të shfaqet nëpër ngjarje fill pas grabitjes disa milionë euroshe në pistën e Rinasit.
Edhe për ketë grabitje, ku gjatë largimit mbeti i vrarë Admir Murataj, Talos iu ngrit akuzë në mungesë të tij.
Fraksion.com