“Shqipërisë i duhet një president i kundërt me Metën”; Balla: Do bisedojmë me grupet parlamentare për emrin e ri!
Ilir Meta do të jetë në krye të Presidencës deri më 24 korrik 2022, ndërsa Kuvendi duhet të nis procesin e zgjedhjes së tij jo më vonë se 24 maji 2022 sipas Kushtetutës. Partia Socialiste e cila ka edhe mazhorancën e parlamentit ka ngritur grupin e punës që do të zhvillojë konsultimet me grupet e tjera e parlamentare në Kuvend, për të përzgjedhur një emër konsensual. PS ka mandatuar Taulant Ballën, Elisa Spiropalin dhe Damina Gjiknurin për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, ndërsa Balla tha se ky proces ndodh brenda Kuvendit të Shqipërisë dhe dëshira e socialistëve është për konsultim e dialog nga të gjitha palët. Këto deklarata Balla i bëri pas mbledhjes së grupit parlamentar.
“Po afron dita që në konferencën e kryetarëve të ketë një kalendar për zgjedhjen e presidentit të republikës, jo më vonë se 60 ditë nga dita e përfundimit të mandatit, pra jo më vonë se 24 maji duhet të ketë filluar procesi. Kuvendi do të marrë kohën e duhur për të zhvilluar një proces. PS ka udhëheqësinë e këtij procesi si shumicë parlamentare, dëshira është për një proces të hapur konsultimesh, natyrshëm brenda suazës së Kuvendit, dhe bashkë me mua si kryetar i grupit parlamentar do jetë edhe Spiropali dhe Gjiknuri si të mandatuar nga grupi për të konsultuar me grupet e tjera parlamentare, me deputetë me këdo që është i interesuar për të institucionalizuar një dialog konstruktiv. Këto konsultime kanë filluar edhe brenda grupit parlamentar nga sot ku deputetëve është i kërkuar të vijnë me propozime konkrete, konfidenciale nëse duan, që të kemi një listë të atyre që mund të jenë kandidaturat e mundshëm për t’u mbështetur pastaj me firmat, për depozitimin e kandidaturave në sekretarinë e kuvendit dhe më pas kalimin në 5 raunde”, tha Balla.
Teksa theksoi se Presidenti Zgjidhet në Kuvend, edhe konsultimi do të ndodh me grupet parlamentare që janë në Kuvend, ndërsa shtoi se çfarë ndodh brenda partive është problemi i tyre i brendshëm, duke iu referuar luftës PD-Komisioni i Rithemelimit. Balla tha se vendit i duhet një President mbi palët, diametralisht të kundërt me Ilir Metën.
“Grupet parlamentare janë ato që ju dini, çfarë ndodh në grupet parlamentare është çështje e tyre. PS gjithmonë ka qenë e vetmja parti që ka kontribuar në vendosjen e standardeve. Konsultimi për aq kohë sa Presidenti zgjidhet nga Kuvendi ndodh në Kuvend. Shqipëria sot më shumë se kurrë ka nevojë për një president normal, dhe natyrshëm duke qenë se nuk kemi pasur një president mbi palët por palë e palëve të opozitës. Ne na duhet që Shqipëria në vitin 2022 të zgjedhë një president në aspektin diametralisht të kundërt me atë që ka përfaqësuar Ilir Meta. Shqipëria do të ketë një president ose presidente shumë më të mirë dhe të pakrahasueshëm me Metën”, tha Balla.
Fraksion.com