Presidenti Biden nuk tërhiqet nga komentet e tij për Putinin
Presidenti Joe Biden tha të hënën se ai nuk do të kërkonte “falje” dhe nuk do të “tërhiqej” pas komentit të tij të shtunën se presidenti rus Vladimir Putin “nuk duhet të qëndrojë në pushtet.” Presidenti Biden gjithashtu këmbënguli se ai nuk po bën thirrje për ndryshim regjimi në Moskë.
“Shpreha zemërimin moral që ndjeva ndaj këtij njeriu”, tha zoti Biden. “Unë nuk po artikuloja një ndryshim politikash.”
Komenti i ashpër i presidentit Biden për Putinin, në fund të një fjalimi të shtunën në Varshavë që kishte për qëllim të bashkonte demokracitë perëndimore për një luftë të gjatë globale kundër autokracisë, ngjalli polemika në Shtetet e Bashkuara dhe tronditi disa aleatë në Evropën Perëndimore.
Biden hodhi poshtë të hënën idenë se komenti i tij mund të përshkallëzonte tensionet në lidhje me luftën në Ukrainë ose se do të ushqente propagandën ruse për agresionin perëndimor.
“Askush nuk beson se unë po flisja për rrëzimin e Putinit”, tha presidenti Biden, duke shtuar se “gjëja e fundit që dua të bëj është përfshirja në një luftë tokësore ose bërthamore me Rusinë”.
Ai tha se po shprehte një “aspiratë” dhe jo një qëllim të politikës së jashtme amerikane.
“Njerëz si ky nuk duhet të jenë udhëheqës të vendeve. Por kjo po ndodh”, tha ai. “Fakti që ata janë në pushtet nuk do të thotë që unë nuk mund të shpreh zemërimin tim për këtë.”
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha të hënën në përgjigje të komentit të Presidentit Biden se “ne kemi nevojë për ulje të tensioneve ushtarake dhe atyre retorike.”
Presidenti francez Emanuel Macron të dielën tha se “nuk i përdor ato fjalë sepse unë vazhdoj të flasë me Presidentin Putin. Ajo që ne duam të bëjmë kolektivisht është ndalja e luftës që Rusia e filloi në Ukrainë, pa bërë luftë të re dhe pa përshkallëzim të tensioneve”.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken u detyrua të vazhdonte të sqaronte fjalimin e presidentit Biden gjatë një udhëtimi në Lindjen e Mesme, ku ai i ka përqëndruar përpjekjet në forcimin e partneriteteve amerikane ndërsa administrate e Presidentit Biden është në kërkim të një marrëveshje të përtërirë bërthamore me Iranin.
Duke folur në një konferencë shtypi në Jeruzalem, sekretari Blinken tha se Presidenti Biden donte të thoshte se “Putini nuk duhet të fuqizohet për të filluar një luftë ose për t’u angazhuar më tej në agresionin kundër Ukrainës apo një vendi tjetër”
Fraksion.com