AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

“Humbën shtëpinë nga tërmeti”; Rama: 230 apartamente të reja për banorët në Manzë

Në Manzë, Durrës hapen sot 230 apartamente të reja për banorët që humbën shtëpinë më 26 nëntor të dy viteve më parë.

Në ceremoninë e përurimit është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e tij duke uruar banorët për shtëpitë e reja, Rama tha se “ky është një nga ato momente kur njeriu që për shkak të detyrës duhet të përballet çdo ditë me gjithfarëlloj pengesash, por edhe sulmesh, baltrash, akuzash,shpifjesh ,fabrikimesh, thotë hallall të gjitha sepse ia vlen jashtëzakonisht shumë që duke bërë këtë detyrë t’i gjendesh pranë kaq shumë njerëzve në një hall kaq të madh si halli i humbjes së shtëpisë brenda pak sekondash nga një fatkeqësi e madhe natyrore”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ia vlen të jesh aty me shumë njerëz dhe bashkë me të tjerë të bësh të mundur që në një kohë relativisht kaq të shkurtër gjithë këta njerëz, mijëra e mijëra familje të kthehen në shtëpi më të sigurta, më të bukura dhe shtëpi më të mira se ato që humbën”.

“Ky është një hap i madh përpara që ne e e kemi hedhur së bashku, ndjehem krenar për punën që kemi bërë, por mbi të gjitha ndihem krenar për besimin tuaj, besim që ju ia dhatë përsëri masivisht Emirianës, kryetares së bashkisë e cila është një shembull i përkushtimit, seriozitetit, durimit dhe mbi të gjitha i të qëndruarit pranë njerëzve e përulur, modeste dhe punëmbaruar”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se, kjo lagje e re fantastike është një shembull kuptimplotë i asaj që ne mund të vazhdojmë të bëjmë së bashku me kryetaren e bashkisë dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, që ka bërë pjesën e vet të punës, një punë që flet vetë nuk ka nevojë për komente”.

“Ndërkohë që sikur të mos na dilte gjithë ai kusur i pandemisë që e pati gjithë bota tani gjendemi në një situatë të vështirë të një lufte që as nuk e kemi nisur as nuk e ndalojmë dot ne, por në një ekonomi kaq të ndërlidhur ndikon të gjithë, ndikon ne dhe vende që janë jashtë Evropës, deri edhe në Australi. Lufta është nisur nga një forcë agresive, e cila përfaqëson një shtet të madh që është ndër burimet kryesore të furnizimit të Evropës dhe mbarë botës me lëndë të para nga energjia, nafta, gazi, e deri tek lëndët e para edhe inputet për bujqësinë. Rusia së bashku me Ukrainën zënë peshën kryesore në këto furnizime ,patjetër që kjo luftë ndikon drejtpërdrejt tek gjithë zinxhiri i furnizimit dhe bën pastaj që ne të përballemi me rritje çmimesh”, nënvizoi Rama.

Kjo është një tjetër goditje, vijoi Rama, nga një fatkeqësi që nuk është shkaktuar nga natyra, por nga njerëzit jashtë këtij vendi që ndikohet prej kësaj fatkeqësie ne do jemi pranë atyre që janë më në nevojë në radhë të parë.

“E kemi marrë këtë angazhim para se të fillonte lufta kur nuk na shkonte mendja se kishte luftë, kur sapo u shfaqën e krizat e para të furnizimit me energji elektrike dhe do ti qëndrojmë këtij angazhimi ne do të jemi pranë jush, pranë çdo familje për ta kompensuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike në mënyrë që asnjë familje shqiptare të mos ndjejë goditjen nga kriza në faturën e energjisë elektrike”, tha Rama.

Më tej Rama u shpreh se “do të mbështesim tre muaj rresht me një shumë ekstra për të kompensuar rritjen çmimeve të produkteve bazë të më shumë se gjysmën e një milioni njerëz. Po ashtu do të mbështesim fermerët me naftë pa taksa. Do të mbështesim pensionistët duke indeksuar menjëherë pensionet. Me radhë do të bëjmë çmos që edhe kjo situatë të kalojë pa shumë dhimbje. Luftërat nuk vijnë për të sjellë të mira, të ardhura më shumë, por vijnë për të sjellë dhimbje e plagë. Lavdi Zotit s’jemi në kushtet kur bombat i kemi mbi kokë. Ato bien gjetkë, sidoqoftë lufta sjell jehonën e saj përmes çmimeve. Ne do të jemi të vendosur për të mos lënë të vetëm asnjë që është në vështirësi. Këtë vështirësi të madhe duhet ta kapërcejmë së bashku”.

Ne, shtoi Rama, thamë që do i nxjerrim lekët nga dheu për të bërë shtëpitë tuaja dhe sot kjo është një tjetër lagje në vazhdën e një pune që vazhdon dhe që provon se ne mbajmë atë që themi.

“Ne nuk planifikojmë dot ngjarjet. Nuk i parashikojmë afatet për punët që bëjmë. Ka punë që kërkojnë më shumë kohë, por një gjë është e sigurt. Nëse them do e bëjmë këtë gjë, do e bëjmë se s’bën. Është vetëm çështje kohe. Ne do të vazhdojmë të bëjmë punët e tjera, për ta bërë këtë vend më të mirë dhe pa harruar që nëse shumëçka e kemi nisur pak vite më parë, do të ishte nisur 20 vite më parë, sot do të ishim komplet në situatë tjetër, shumë më të mirë. Ky nuk është faji ynë. Detyrën e kemi marrë pak më shumë se 8 vite më parë dhe kemi nisur shumë gjëra nga e para. Mjafton të përmendim Reformën në Drejtësi. Me durim, e shumë punë të jeni të sigurt që do e ngjisim Shqipërinë aty ku e meriton”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “rrugën e kemi pasur të vështirë për shkak të goditjeve që na kanë ardhur nga lart, e jashtë. Tërmeti, pandemia, megjithatë siç nuk na gjunjëzoi as tërmeti dhe pandemia, s’do të na gjunjëzojë kjo situatë. Do të kemi momente si ky, ku fëmijët, gjyshërit do të marrin frymë të lehtësuar sepse do të jenë në një stacion të ri. Këtu ka socialistë, patjetër dhe demokratë, por sherrin ia lini të tjerëve. Ju jeni këtu bashkëpjesëtar të një komuniteti të ri. Të keni shëndet, jetë të gjatë për gjyshërit dhe gjyshet”, tha Rama.