AktualitetBota+Të fundit

Gjykatësi shikon mundësinë që ish-Presidenti Trump të ketë kryer vepra penale

Një gjykatës federal urdhëroi vënien në dispozicion të mbi 100 mesazheve të postës elektronike të këshilltarit të ish-Presidentit Donald Trump, John Eastman, për komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin ndaj Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Gjykatësi gjithashtu u shpreh se ka “më shumë të ngjarë sesa jo” që ish-Presidenti Donald Trump të ketë kryer vepra penale gjatë përpjekjes për të ndaluar çertifikimin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Vendimi i gjykatësit David Carter shënon një fitore të rëndësishme ligjore për komisionin hetimor, i cili po shqyrton korrespondencën e zotit Eastman, një jurist që konsultohej me ish-Presidentin Trump ndërsa ai përpiqej të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.

“Bazuar tek evidenca, gjykata vëren se ka më të ngjarë sesa jo që Presidenti Trump të jetë përpjekur në shkelje të pengonte Sesionin e Përbashkët të Kongresit më 6 janar 2021”, shkruan gjykatësi Carter në vendimin e paraqitur në Gjykatën Federale të Qarkut të Kalifornisë.

Zoti Eastman u përpoq të mos dorëzonte materiale në komisionin hetimor, bazuar tek privilegji i marrëdhënies avokat-klient mes tij dhe ish-presidentit. Komisioni reagoi më herët këtë muaj, duke argumentuar se ekziston një përjashtim ligjor që lejon ndarjen e informacioneve për vepra penale në vazhdim apo të ardhshme.

Një avokat që përfaqëson zotin Eastman nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Padia e datës 3 mars e komisionit hetimor ishte përpjekja e tyre më zyrtare për të lidhur ish-presidentin me kryerjen e një vepre penale federale. Ligjvënësit nuk kanë autoritetin për të ngritur vetë akuza penale dhe munden vetëm t’i paraqesin rekomandime Departamentit të Drejtësisë. Departmenti ka qenë duke hetuar trazirat e vitit të kaluar, por nuk ka dhënë ende ndonjë tregues se po kërkon të formulojë akuza ndaj ish-Presidentit Trump.

Komisioni argumentoi në dokumentat e paraqitura në gjykatë se ish-Presidenti Trump dhe bashkëpunëtorët e tij u angazhuan në një konspiracion, që përbën shkelje penale, për t’ia ndaluar Kongresit të çertifikonte në Kolegjin Elektoral fitoren e demokratit Joe Biden. Ish-Presidenti Trump dhe ata që punonin me të përhapën në atë kohë informacion të rremë për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale dhe ushtruan presion ndaj zyrtarëve shtetërorë për të përmbysur rezultatet, duke shkelur ndoshta disa ligje federale, thotë komisioni hetimor./voa

 

Fraksion.com