BE, përpjekje për t’i dhënë fund skemës së “pasaportave të arta” për shtetasit rusë
Komisioni Evropian rekomandoi të hënën që vendet e BE-së t’i japin fund skemave të pasaportave të arta që u lejojnë njerëzve të pasur të blejnë shtetësinë e bllokut dhe u kërkoi atyre të vlerësojnë nëse oligarkëve rusë të lidhur me Kremlinin ose atyre që mbështesin luftën në Ukrainë duhet t’u hiqen të drejtat e nënshtetësisë.
Komisioni Evropian nisi procedurat e shkeljes kundër Qipros dhe Maltës në vitin 2020 në lidhje me skemat e tyre të pasaportave të arta, dhe sulmi rus kundër Ukrainës ka tërqhequr një vëmendje më të madhe për këtë temë.
Komisioni paralajmëroi se disa shtetas rusë ose bjellorusë, të cilët janë ndër 877 individët e shënjestruar nga ngrirja e aseteve dhe ndalimet e udhëtimit të vendosura që nga viti 2014, ose që mbështesin sulmin rus ndaj të fqinjit të tij, mund të kenë marrë nënshtetësinë e BE-së ose leje për të lëvizur lirshëm në zonën “Shengen” nëpërmjet këtyre skemave.
Dega ekzekutive e BE-së tha se vendet duhet të shqyrtojnë tani mundësinë e tërheqjes së pasaportave të arta të lëshuara për individë të tillë. BE gjithashtu rekomandoi heqjen e menjëhershme të lejeve të qëndrimit që janë dhënë në bazë të një skeme investitori për qytetarët rusë ose bjellorusë që mbështesin luftën ose janë goditur nga sanksionet.
Malta dhe Bullgaria ofrojnë aktualisht shtetësinë sipas planeve të investimeve në veprim, ndërsa Qiproja, e cila mbylli programin e saj në nëntor të vitit 2020, është duke përpunuar vetëm aplikimet e dorëzuara përpara kësaj date. Ligjvënësit bullgarë së fundmi mbështetën një vendim për t’i dhënë fund programit të pasaportës së artë.
Qipro e anuloi programin pasi një raport i fshehtë televiziv tregonte se kryetari i parlamentit dhe një ligjvënës i fuqishëm pretendonin se mund të anashkalonin rregullat për t’i lëshuar pasaportën një investitori fiktiv kinez, i cili supozohej se ishte dënuar për mashtrim në vendin e tij.
Një raport i vitit 2021 zbuloi se më shumë se gjysma e gjithsej 6,779 pasaportave u lëshuan në mënyrë të paligjshme për të afërmit e investitorëve të pasur gjatë periudhës 13-vjeçare të programit që solli mbi 8 miliardë euro në të ardhura. Raporti thoshte se qeveria kishte interpretuar gabimisht ligjin për lëshimin e pasaportave për të afërmit dhe gjithashtu zbuloi se afro 770 të huajve iu dha gabimisht shtetësia, kryesisht për shkak të verifikimit të pamjaftueshëm.
Ministri i Brendshëm i Qipros, Nicos Nouris konfirmoi për agjencinë e lajmeve Associated Press se katër rusë që janë sanksionuar kanë marrë një pasaportë qipriote sipas skemës së investimeve të vendit ishull.
Sipas Parlamentit të BE-së, dymbëdhjetë vende të BE-së ofrojnë të lejet e qëndrimit bazuar në skemën e investimeve. Kushtet minimale të investimit variojnë nga 60,000 euro deri në 1,250,000 euro.
“Vlerat evropiane nuk janë në shitje. Ne konsiderojmë se shitja e nënshtetësisë përmes ‘pasaportave të arta’ është e paligjshme sipas ligjit të BE-së dhe paraqet rreziqe serioze për sigurinë tonë”, tha Didier Reynders, Komisioner për Drejtësinë dhe Konsumatorët. “Kjo i hap derën korrupsionit, pastrimit të parave dhe shmangies së taksave”, shtoi ai.
Rekomandimi i komisionit erdhi pasi ligjvënësit evropianë kërkuan në fillim të këtij muaji që t’i jepej fund shitjes së shtetësisë përmes skemave të investimeve dhe përmirësimit të rregullave të programeve të investimit që u mundësojnë investitorëve marrjen e lejeve të qëndrimit.
Përveç thirrjes së tij “për të shfuqizuar menjëherë çdo skemë ekzistuese të shtetësisë së investitorëve”, komisioni u kërkoi gjithashtu vendeve të BE-së të kryejnë kontrolle të rrepta përpara se të lëshojnë çdo leje qëndrimi për investitorët.
Fraksion.com