AktualitetBota+Të fundit

Seanca e fundit dëgjimore për emërimin e Gjykatëses Jackson në Gjykatën e Lartë

Në ditën e katërt dhe të fundit të seancave dëgjimore për konfirmimin e të emëruarës së Presidentit Joe Biden për anëtare të Gjykatës së Lartë, ekspertët ligjorë lavdëruan Gjykatësen Ketanji Brown Jackson, duke thënë se ajo është e mirë-kualifikuar për të shërbyer në gjykatën më të lartë të Shteteve të Bashkuara.

Dëshmitë e Shoqatës së Juristëve Amerikanë (ABA) dhe nga ekspertë të tjerë u bënë pas dy ditësh pyetjesh të drejtuara nga anëtarët e Komisionit të Senatit për Gjyqësorin dhe i dha fund kështu 30 orëve seancash dëgjimore për emërimin e zonjës Jackson.

Claire Williams drejtuese në ABA e komitetit që bën rekomandimet për gjykatësit federalë, tha se pothuajse çdo person që intervistuan e përshkruan zonjën Jackson si “të jashtëzakonshme, të shkëlqyer, superiore, impresionuese”.

Senatorët republikanë u përpoqën pothuajse gjatë gjithë të martës dhe të mërkurës të argumentonin se gjykatësja ishte treguar e butë ndaj krimit. Personat e ftuar nga republikanët për të dëshmuar, përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm të Alabamas, Steven Marshall, mbështetën akuzat e tyre.

Prokurori i Përgjithshëm i Alabamas, Steve Marshall, duke dëshmuar gjatë seancës së sotshme (24 mars 2022)
Prokurori i Përgjithshëm i Alabamas, Steve Marshall, duke dëshmuar gjatë seancës së sotshme (24 mars 2022)

Kur u pyet për këtë akuzë, zonja Williams tha se asnjë prej 250 gjykatësve që kishin intervistuar për zonjën Jackson nuk e përmendën këtë si një problem.

Në seancën dëgjimore katër-orëshe të së enjtes nuk pati vetëm ekspertë ligjorë, por edhe zyrtarë të qeverisë dhe grupe të të drejtave të njeriut, të cilët mbështetën zonjën Jackson, që është gruaja e parë afrikano-amerikane që propozohet për në Gjykatën e Lartë, si dhe aktivistë të tjerë konservatorë të cilët e kundërshtuan kandidaturën e saj.

Komisioni i Senatit pritet të votojë për kandidaturën e zonjës Jackson më 4 prill. Demokratët shpresojnë që një votim përfundimtar për konfirmimin e saj në detyrë të mbahet përpara Pashkëve, pra në mesin e prillit, kur Senati largohet për një pushim dy-javor./voa

 

Fraksion.com