AktualitetTë fundit

Gjykata Kushtetuese: Operacioni ‘Forca e Ligjit’ i ligjshëm

Gjykata Kushtetuese ka shpallur sot vendimin për Operacionin ‘Forca e Ligjit’, duke rrëzuar kërkesën e një subjekti të goditur nga ky operacion.

Siç raportojnë mediet, Kushtetuesja vlerëson se “pretendimet për cenimin e parimit të mosdënimit dy herë për të njëjtën vepër (ne bis in idem) dhe të gjësë së gjykuar (resjudicata) janë të pabazuara. Për rrjedhojë, duke e parë të lidhur me këto pretendime, Gjykata vlerëson se nuk ka as cenim të parimit të sigurisë juridike”.

Lidhur me parimin e prezumimit të pafajësisë, Gjykata vlerëson se ky parim gjen zbatim në proceset me natyrë penale dhe jo ato me natyrë civile, për rrjedhojë edhe ky pretendim i kërkuesit është i pabazuar. Për sa më lart, gjykata e gjen të pabazuar edhe pretendimin lidhur me cenimin e ‘parimit të barazisë së armëve’.

Kërkuesi ka pretenduar cenimin e së drejtës së pronës private pasi automjeti i konfiskuar ka prejardhje nga të ardhura të ligjshme, konkretisht nga shitja e mëparshme e një pasurie tjetër, e cila ka qenë objekt hetimi në procedimin penal të mëparshëm pa pasur ndonjë masë sekuestrimi ose konfiskimi.

Gjykata thotë se Akti Normativ plotëson të tria kushtet për kufizimin e të drejtave, të parashikuara në Kushtetutë, pra vetëm me ligj, për interes publik dhe duke zbatuar proporcionalitetin.

“Gjykata vë në dukje se miratimi i tij ka ardhur si rezultat i nevojës së realizimit të një kuadri ligjor të posaçëm në kushtet e nevojës të krijuar nga reforma në drejtësi. Po ashtu, akti normativ është diktuar nga nevoja për sanksionimin dhe forcimin e marrjes së masave parandaluese ndaj një kategorie të caktuar subjektesh, për të cilat ka dyshime ose informacion se janë të përfshira, ndihmojnë apo financojnë aktivitete të krimit të organizuar, krimeve të rënda, terrorizmit ose bandave të armatosura, duke përbërë rrezik e cenuar sigurinë publike”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

 

Fraksion.com