AktualitetOp-EdTë fundit

Burrat i detyrojnë punëtoret e seksit të paguajnë dy herë

Nga Lorenc Vangjeli

Saimiri dhe Genti janë dy gazetarë të talentuar dhe të guximshëm. Normalisht në një vend në paqe si Shqipëria, guximi do të ishte një veti e tepërt për profesionin e lajmësit, por Shqipëria ende nuk ka gjetur paqe me shqiptarët, që lëkunden nga njëri skaj i ekstremit në tjetrin; nga mendësia sovjetike e shoqërisë e deri tek kapitalizmi çnjerëzor me urrejtje për kapitalizmin që rreket të ndërtojë në këto tre dekada pothuaj demokraci. Komunizmi feudal i Hoxhës ishte shumë më i thellë sesa mendohej dhe kapitalizmi anarkik i tranzicionit, është shumë me kaotik sesa pritej të ishte.

Të mërkurën në mbrëmje, dy gazetarët e Klan-it bënë denoncimin e rradhës, një ndër dhjetra të tillë të bërë në vite. Ata dëshmuan një realitet që ka vite që në Tiranë e njohin të gjithë, e konsumojnë shumë, por shumë pak e përmendin. Eshtë si një sekret kriminal që mbahet në një kasafortë të blinduar, por të pakyçur. Ata filmuan mbas mureve të një salloni masazhi dhe relaksi, si ata që kanë mbirë kudo, me dhe pa licensa, në pallate të zakonshëm banimi. Gjurmët e tyre i gjen hapur në rrjete sociale, ku shfaqen me reklama të sponsorizuara të llojit: Kemi staf të ri dhe bëjmë ulje çmimesh. Lista e çmimeve është pak a shumë fikse dhe varet nga vendndodhja. Në periferi më lirë, afër qendrës më shtrenjtë. Ka oferta mëngjesi: 60 euro, me të gjitha përfshirë, që kanë target adoleshentë e gjimnazistë. Ka oferta 30 euroshe që e çojnë klientin deri tek fundi i lumtur me“punë dore”, siç thuhej dikur në zhargonin e hershëm. Me negociatë dhe 70 euro, zgjidh gjithçka, e kështu me rradhë.

Vetëm kush nuk mka dashur, nuk ka dëgjuar se të paktën që prej fillimit të pandemisë, në Tiranë është përqafuar një modë e re, e cila përfshin atë që quhet shtresë e mesme. Një fashë moshore deri tek të dyzetat apo dhe përtej, me të ardhura të qëndrueshme dhe shpesh edhe të martuar, që bëjnë festa fundjave, në apartamente që merren me qera ditore. Kokaina dhe alkooli apo edhe më shumë, janë të ftuarit e nderit në këto mbrëmje, ku seksi natyrisht është opsion që mund të porositet si makinat në sallonet e shitjes.

Të gjithë e njohin ekzistencën e këtij realiteti. Me shumë gjasa, e njeh edhe vetë Doktor Berisha, mbreti dixhital i denoncimeve dhe mbrojtës i namuzit publik, por nuk e ka treguar ende sepse ka qenë i zënë me halle të tjera që ja bëri sebep Amerika. Gjithë të tjerët, përfshi kryeministrin, ministrat, deputetët apo dhe zërat publikë, janë përfshirë në “komplot” me heshjtjen e tyre. Edhe policia që herë pas here pret me bisturi ndonjë pemë të vetmuar të këtij pylli, e ka të pamundur të luftojë këtë figurë krimi që është tashmë banor i legalizuar në Tiranë dhe gjetkë. Lajmet njoftojnë herë pas here arrestin e ndonjë grushti mëkataresh të vogla, ato që janë fakire dhe afrojnë trupin për bukë në kuptimin fizik të fjalës apo për dhjetë euro, aq sa bën edhe dhoma e hotelit të pisët ku hyjnë, që duket se paguajnë për gjithë të tjerët. Kush kushton shumë e shumë herë më tepër, pozon për kronikat rozë me rroba banjo në dimër, nga njëri cep i botës në tjertrin. Eshtë ajo kategoria tjetër e ofertës për babëzinë kërkesës mashkullore që paguan para, e cila quhet VIP, që del në ekrane dhe tregon me krenari silikonin e sponsorizuar dhe planet për të bërë një milion klikime për 24 orë në këngën e rradhës. Apo edhe që thjesht shëtitet me makinë nëpër Bllok, si shenjë e statusit të shoferit, e ulur në vendin e parë si kukull porcelani që buzëqesh dhe që bën të lumur shoferin e rradhës.

Askush nga to nuk ka faj! Zoti vazhdon të jetë grua!

 

Fraksion.com