AktualitetPolitikëTë fundit

Tabaku: Kriza ekonomike ka nisur që në dhjetor

Nënkryetarja e PD-së Jorida Tabaku deklaroi sot se Shqipëria është në fillimin e një krize të thellë ekonomike që po i ngjason përditë e më shumë një staglfacioni ekonomik.

Në fjalën e saj në Kuvend duke diskutuar për rritjen e çmimeve, Tabaku  u shpreh se situata në vendin tonë pritej që të vinte ndonëse lufta nuk kishte nisur ende mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Qeverisë shqiptare, ne si opozitë, i kërkuam të ishte tejet e kujdesshme kur diskutuam buxhetin e shtetit dhe në vend që ajo të lironte dorën për shpenzime në PPP dhe konesione, i propozuam që të ishte shumë më konservatore pasi e ardhmja ishte shumë e pasigurtë madje më e pasigurtë se sa ka qenë herët e tjera. Por mazhoranca kundërshtoi me arrogancë. Në kohën e krizës së shpallur për Energjinë Elektrike, ne vumë në dukje që menaxhimi më i mirë i kaskadës së hidrocentraleve dhe jo vetëm do të prodhonte një tjetër histori në Shqipëri dhe në buxhetin e shtetit. Por qeveria vendosi ndryshe. Ne i ofruam qeverisë të manaxhonte më mirë rezervat hidrike qeveria kundërshtoi. Kur qeveria morri një tjetër borxh nga jashtë duke e rritur vlerën e borxhit publik në 100% të PBB-së, i kërkuam asaj që të ishte më e matur pasi situata ekonomike nuk ishte shumë e mirë. Struktura e ekonomisë shqiptare është tejet vulnerabël në raport me goditjet që merr tregu vendas dhe sidomos të ardhurat e qytetarëve”, tha ajo.

Tabaku shtoi se mazhoranca Rama, ka implementuar një politikë fiskale seleksionuese dhe me taksa që vendosen tek 95% e shqiptarëve duke shmangur vetëm 5% të atyre që janë oligarkë, koncesionarë dhe fitues të PPP-ve.

“Kriza ekonomike që ka nisur të ndjehet mirë që në dhjetorin 2021 i ka gjetur qytetarët shqiptarë kështu: Familjet shqiptare sipas EUROSTAT dhe përpara kësaj krize të rritjes së çmimeve shpenzojnë 42% të të ardhurave për produktet e shportës ushqimore dhe pijet. Ky është niveli më i latë i shpenzimeve për këtë zë në raport me të ardhurat. Vendet e rajonit e kanë 35% ndërsa ato të BE e kanë 12%. Do të thotë që shqiptarët kanë shpenzuar deri më tani 13 mln euro më shumë dhe do të shpenzojnë edhe më shumë pasi situata pritet të përkeqësohet. Shqipëria është vendi me të ardhurat më të ulëta për frymë në rajon duke qenë më poshtë se sa edhe Mali i zi. Shqiptarët kanë PBB për frymë 5.84 mijë dollarë ndërkohë që ka nivelin më të ulët të investimeve të huaja. Krahasuar me situatën e vendeve të rajonit ka një rritje mesatare nga viti 2014 mesatarisht 3$ që është shumë pak për një vend me një potencial kaq të lartë. ”, tha Tabaku.

Po ashtu, Tabaku shtoi se sot, borxhi publik është realisht një pengesë pasi qeveria shqiptare në kohët e mira nuk ka shpenzuar dhe investuar me mend për t’u përballur me këtë kohë krizash.

“Buxheti i shtetit të vendit tonë gjendet përballë një krize edhe më të thellë. Kriza e korrupsionit që sot për sot ka treguar jo 1 projekt PPP, por thuajse të gjitha projektet PPP që janë kontrata korruptive dhe abuzive. Kontrata e koncesionit të tre inceneratorëve, një aferë financiare dhe vjedhje 430 mln euro që për ironi po implementohet edhe në Zimbabve nga të njëjtët personazhe. Sot buxhetit të shteti për vitin 2022 këto kontrata në total i kushtojnë 112 mln euro  dhe janë rritur me 11.3% në raport me vitin e shkuar. Të gjitha këto para që paguhen nga taksat e shqiptarëve që vazhdojnë të rriten ndërsa qeveria nuk heq dorë nga to”, tha ajo.

Tabaku theksoi arsyeja e rritje së çmimit të naftës janë taksat e vendosura nga qeveria.

“Kush janë arsyet e çmimi 230 lekë/litër që ndryshon dhe rritet më shumë dhe më shpejt se sa çmimi i naftës në bursë?  Taksat vendosura mbi naftën dhe që paguhen nga konsumatori janë 60% e vlerës së naftës që shitet sot në çdo pikë karburanti. Llogaritë për 7 taskat edhe tarifat e vendosura në çdo litër naftë janë prova e qartë ditën për diell se si kjo qeveri ka vendosur taksa në kurriz të qytetarëve”, tha Tabaku.

 

Fraksion.com