QUINT i zhgënjyer me qeverinë e Kosovës që nuk lejoji zgjedhjet e Serbisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shprehet i vetëdijshëm për zhgënjimin e QUINT-it. Por ai pohon se zgjedhjet mund të mbahen vetëm pas një marrëveshje paraprake mes Kosovës dhe Serbisë.
Shtetet më të industrializuara perendimore QUINT, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania e Madhe, Italia, dhe Franca, u shprehen të zhgënjyera me qeverinë e Kosovës për të mos lejuar mbajtjen edhe në Kosovë të zgjedhjeve të Serbisë të caktuara për 3 prill. Në një deklaratë të përbashkët tw QUINT-it, thuhet se me këtë vendim, qeveria “ka dështuar të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile e politike të të gjithë qytetarëve”.
Vlerësim për Serbinë, zhgënjim me qeverinë e Kosovës
“E kuptojmë se është e drejtë e qeverisë së Kosovës të vendosë nëse duhet apo jo të japë leje për organizimin e zgjedhjeve të një shteti tjetër. Përderisa e vlerësojmë gatishmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, me zhgënjim të madh marrim shënim vendimin e qeverisë së Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të prezantuar nga QUINT-i. Me këtë vendim qeveria e Kosovës ka dështuar të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile e politike të të gjithë qytetarëve, përfshirë atyre të grupeve minoritare. Një sjellje e këtillë nga qeveria e Kosovës s’është në linjë me vlerat dhe parimet tona dhe i minon aspiratat e tyre evropiane”, thuhet në reagimin e QUINT-it.
Ky reagim i QUINT-it, erdhi pas refuzimit nga ana e qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen në Kosovë të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë më 3 prill, pa një kërkesë apo marrëveshje të drejtpërdrejtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kurti jep sqarime
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nga ana e tij, sqaroi të merkurën rrethanat të cilat sipas tij, bënë që mos të arrihet marrëveshja me Serbinë për mbajtjen zgjedhjeve serbe. Sipas Kurtit “nga Serbia nuk është plotësuar kushti që është kërkuar, për shkëmbim kërkese mes qeverive të të dyja shteteve.”
“Unë jam i bindur që marrëveshja duhet të jetë nëpërmjet shkëmbimit të letrave ndërmjet qeverisë së Serbisë me qeverinë e Kosovës. Ne jemi instancat përkatëse të cilat do të duhej të merreshin vesh në mënyrë që të zhvilloheshin ato zgjedhje. Kështu siç është, çështja ka marrë një kahje tjetër, ne kemi shprehur keqardhjen tonë, por edhe më shumë se kaq nuk kam se çfarë të them”, tha kryeministri Albin Kurti.
Vuçiq: Kosova po kërkon njohje
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuҫiq, ndërkaq, tha se “qëndrimi i palës kosovare që ne ti drejtohemi me kërkesë për mbajtjen e zgjedhjeve, de fakto me këtë kërkohet nga ne që ta njohim pavarësinë e Kosovës”.
“Me këtë kërkesë, Kosova ka kërkuar që Serbia ta njohë pavarësinë e saj. Serbia nuk mund ta pranojë këtë dhe Serbia nuk do ta pranojë këtë”, tha në Beograd Aleksandar Vuçiq, duke shtuar se Serbët e Kosovës do të votojnë në vendvotimet në komunat në Serbinë qendrore. E përfaqësues të serbëve të Kosovës kanë parlajmëruar protesta në fund të javës.
Në deklaratën e vendeve të QUINT-it megjith kritikat për ҫështjen e zgjedhjeve të Serbisë, mirëpritet vendimi i qeverisë së Kosovës për të vendosur sanksionet ndaj Rusisë për shkak të pushtimit në Ukrainë, duke ndjekur shembullin e BE-së, por edhe të SHBA-së. QUINT, po ashtu i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që mund të rrisë tensionet dhe mund të çojë në incidente.
QUINT kërkon përmbajtje nga retorika e ashpërsimeve
“Ne presim nga Qeveria e Kosovës që të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj, të punojë në uljen e tensioneve dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Ky proces është kritik në arritjen e përparimit drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim, që përfundimisht do të zhbllokonte perspektivën evropiane të Kosovës”, thuhet në deklaratën e gjatë të QUINT-it.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020. Ato zgjedhje janë mbajtur sipas praktikave të mëhershme, ku misioni i OSBE-së, i ka grumbulluar votat në Kosovë ndërsa më pas ato janë numëruar në dy qytete në jug të Serbisë. Zyrtarë të misionit të OSBE-së, janë shprehur se ata janë të gatshëm t’i grumbullojnë votat edhe kësaj radhe për zgjedhjet e 3 prillit të Serbisë, por vetëm me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse./DW
Fraksion.com