AktualitetBota+Të fundit

NATO: 7-15 mijë ushtarë rus janë vrarë në Ukrainë

Një zyrtar i lartë i NATO-s thotë se sipas vlerësimeve të Aleancës, Rusia mund të ketë pësuar 30 deri në 40 mijë humbje mes radhëve të forcave të saj në Ukrainë gjatë muajit të parë të luftës, mes të cilëve 7 deri 15 mijë të vrarë.

Kjo është hera e parë që NATO jep vlerësime për humbjet e forcave ruse në Ukrainë, që kur filloi lufta më 24 shkurt.

Ushtaraku i lartë i NATO-s, që foli në kushte anonimiteti, tha se vlerësimi për ushtarët e vrarë rus bazohet në përpunimin e informacioneve që jep qeveria ukrainase, nga informacionet që dalin nga Rusia, si dhe nga burime të tjera të hapura.

Qeveria amerikane deri tani nuk ka pranuar të japë vlerësime publike për humbjet mes ushtrisë ruse dhe ukrainase, duke thënë se informacionet nuk janë shumë të besueshme.

Zyrtari i NATO-s tha se humbjet prej 30–40 mijë trupash mes radhëve të forcave ruse, është llogaritur sipas vlerësimit standard ushtarak, që në raste luftrash, për çdo ushtar që humb jetën ka tre të tjerë të plagosur. Mes humbjeve llogariten të vrarët, të plagosurit ose ata të kapur rob.

Ndërkohë në një fjalim para parlamentit të Francës, Presidenti Volodymyr Zelensky u bëri thirrje kompanive franceze të largohen nga Rusia dhe të mos ndihmojnë indirekt luftën kundër Ukrainës.

Zoti Zelensky e shfrytëzoi fjalimin për të siguruar mbështetje më të madhe nga Evropa për vendin e tij. Ai i bëri thirrje Francës për ndihmë me armë, pajisje dhe avionë.

Në një fjalim po sot për parlamentin japonez, zoti Zelensky i bëri thirrje Japonisë të vendosë embargo tregëtare ndaj Rusinë dhe firmave japoneze u kërkoi të largohen nga Rusia.

Gjatë 28 ditëve të kaluara, tha ai, mijëra vetë, përfshi 121 fëmijë, janë vrarë në Ukrainë dhe mbi 9 milionë banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë. “Ne as mund të varrosim të vdekurit”, tha ai.

Ndërsa lufta po hyn në muajin e dytë, Rusia është bllokuar në një luftë të lodhshme, të kushtueshme, të pasigurtë ushtarakisht, me një numër të patreguar ushtarësh të vrarë dhe pa shenja se do të përfundojë shpejt.

Ekonomia e Rusisë po dëmtohet nga sanksionet e ashpra që ka vënë perëndimi. Objektivat kryesore strategjike ruse janë ende të paplotësuara. Kryeqyteti i Ukrainës, Kiev është bombarduar vazhdimisht po nuk ka rënë dhe as është i rrethuar.

Forcat ruse po bombardojnë objekte nga larg, duke përsëritur taktikat që kanë përdorur më parë në Çeçeni dhe Siri./voa

 

Fraksion.com