Kosova shënon 23-vjetorin e bombardimeve të NATO-s
Kuvendi i Kosovës me një seancë solemne ka shënuar 23-vjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe.
Fillimisht, deputetët e Kuvendi të Kosovës, me një minutë heshtje kanë nderuar ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila ka vdekur më 23 mars në moshën 84-vjeçare.
Në seancë, përmes një video mesazhi gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, e uroi Kosovën për këtë ditë. Ai tha se 23 vjet më parë NATO-ja ka bërë “gjënë e duhur për popullin e Kosovës”.
Clark ka qenë komandant i përgjithshëm i forcave evropiane të NATO-s, në kohën e ndërhyrjes në Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ), e cila ka nisur më 24 mars, 1999 dhe ka përfunduar më 10 qershor, 1999.
“Jam posaçërisht shumë krenar për të gjithë ju në Kosovë për demokratizmin që keni bërë për zhvillimin ekonomik sfidues që keni ndërmarrë dhe jam veçanërisht mirënjohës për miqësinë e jashtëzakonshme që keni treguar ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
Clark tha se vëmendja aktualisht është e fokusuar në Ukrainë, por është duke punuar shumë për t’u siguruar që fokusi të mbahet në Kosovë.
“Ju ende keni nevojë për ndihmën tonë, ne e dimë këtë, e vlerësojmë atë. Ne ju duam dhe duam që ju të keni më të mirën për demokracinë tuaj dhe për secilin prej jush, për jetët tuaja si anëtarë të komunitetit perëndimor”, tha Clark.
“Ne do t’ju përcjellim juve dhe do të bëjmë gjithçka që të mundemi për t’ju mbështetur”, tha Clark.
Hakmarrja e Sllobodan Millosheviqit ishte e fuqishme, tha Kurti.
“NATO ndërhyri në Kosovë për arsye e qëllime humanitare, për të shpëtuar një popull nga shfarosja, ishte ndërhyrje legjitime se Millosheviqi nuk shprehte gatishmëri për t’i përmbushur kërkesat dhe detyrimet që burojnë nga rezolutat në OKB dhe nuk hiqte dorë nga operacionet ushtarake dhe nga politika e spastrimit etnik”, tha Kurti.
“Në përvjetorin e 23-të të ndërhyrjes së NATO-s, në anën e drejtësisë e kishim popullin dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. E nga jashtë në anën e drejtësisë kishim ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright”, tha Kurti.
Kurti tha se lufta në Ukrainë është ajo që po e rikonfirmon se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte e drejtë se vetëdija e popujve për liri mbetet motori më i fuqishëm i historisë.
Serbia, shtoi Kurti, edhe 23 vjet pas luftës nuk kërkon falje për krimet që ka kryer në Kosovë.
“Në vend që t’i hapë arkivat shtetërore që do të ndriçonin fatin e të zhdukurve me dhunë, pushtetarët e Serbisë arsyetojnë veprimet gjeoncidale të Millosheviqit dhe e fajësojnë NATO-n për bombardime”, tha Kurti.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se nuk mund të kuptohet e as të kujtohet kjo datë historike pa kryefjalën e të gjitha sakrificave dhe përpjekjeve në luftën e drejtë për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë është festë dhe e tillë duhet të jetë edhe për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme të vendit.
“Nga mbrëmja e 24 marsit 1999 deri në mesditën e 11 qershorit, ditën e kapitullimit të ushtrisë jugosllave, Kosova kishte marrë mbështetjen jetike ushtarake për çlirim. Pas 10 qershorit deri më sot 24 mars 2022 , Kosova nga NATO kishte marrë dhe merr mbështetje për rindërtim paqe dhe siguri”, tha ai.
Pas 23 viteve të intervenimit ushtarak të NATO-s, Abdixhiku shtoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO përveç që është qëllim madhor nacional i Kosovës dhe popullit, është përmbajtje thelbësore e kalimit nga një popull i ndihmuar në një popull i barbartë me të tjerët që ndihmon popujt tjerë në nevojë.
Më 24 mars bëhen 23 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Kjo Rezolutë, ishte një kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila administronte fazën transitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s.
Sot, 23 vjet pas kësaj ndërhyrjeje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it janë në numër më të vogël, rreth 3.600 sosh. Ata janë të vendosur në pjesë të ndryshme të Kosovës me mision paqeruajtës.
Fraksion.com