AktualitetPolitikëTë fundit

Debate për dyert e blinduara në kryesinë e PD, Salianji: Nuk preken me dorë, ta shpifin

Që prej orës 19:00, kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj ka mbledhur kryesinë e Partisë Demokratike. Kjo është mbledhja e parë pas dorëheqjes së deklaruar nga Lulzim Basha nga posti i kryetarit të partisë.

Alibeaj e nisi mbledhjen duke treguar drejtimet që duhet të ndjekin për të qenë më të bashkuar si opozitë në parlament.

Enkelejd Alibeaj: Patëm mbledhje me sekretariatin e partisë për të diskutuar në lidhje me situatën në parti. Së pari, për nesër kemi paraqitur mocion me debat. Është nga shenjat e luftës opozitare. Një nga drejtimet ku duhet të ecë partia është lufta opozitare më parlament e sinqertë dhe e plotë. Së dyti kemi situatën tonë ku jemi për qëndrimin e mëtejshëm. Pesha për secilin është e madhe, por duhet të jemi që të gjithë bashkë të mendojmë se cilat duhet të jenë hapat, të matur, të sigurt.

Ndërsa deputeti Helidon Bushati bëri sugjerimin për veprimin e parë që duhet të bëjnë për të treguar se do të kthehen në normalitet dhe do të jenë konkurrues për zgjedhjet e ardhshme.

Helidon Bushati: Jemi këtu për të mirën e PD. Ne që jemi këtu dhe ata që nuk janë, por shpresoj të jenë. Bashkimi është kryefjala e retorikës. Duhen akte korrekte për këtë. Debat konstruktiv që objektiv të jetë bashkimi, pa përjashtuar asnjë. Gjesti i parë do të ishte heqja e dyerve të blinduara. Nuk e kam vetëm unë këtë mendim. Duhet të kthehemi në normalitet. Pa hyrë ishte mirë apo keq, duhet të hiqen. Hap i parë për bashkimin. Vetëm të bashkuar mund të jemi konkurrues në zgjedhjet e ardhshme, lokalet janë më të afërta.

Xhelal Mziu sugjeroi që të kenë një komision të përbashkët dhe të mos i bëjnë karshillëk njëri-tjetrit. Ai përmendi që foltorja e Sali Berishës ka nisur organizim në të gjitha degët.

Xhelal Mziu: Jemi në një situatë jo të mirë, por në kohë të volitshme për t’i paraprirë zgjedhjeve të 2023. Rezultati i  6 marsit foli për shumicë në anën tjetër. As ne, as ata nuk bëjmë dot pa njëri-tjetrin. Nëse kthehen zgjedhjet 2023,do ishte vrastare për PD. Duhet të gjejmë mënyrë për tu bashkuar. Nuk e gjykoj që data 30 prill është zgjidhje. Nuk është normale që t’i bëjmë karshillëk njëri-tjetrit. Ne kemi potencialin e nevojshëm për të gjetur një zgjidhje. Zgjidhja gjendet duke patur një komision të përbashkët. Foltorja ka nisur organizimin në të gjitha degët. Nëse vazhdojmë kështu do të vazhdojmë të mbetemi të papërfaqësuar dhe pastaj na rroftë sigla e PD. Pra ky grup i përbashkët të garantojë që nuk ka vend për triumfalizëm.

Ndërsa Jemin Gjana tha: “Hera e parë që PD e drejton një i përndjekur, ndjehem mirë për këtë. Qëndrimi im përfundimtar në këtë mbledhje është ky: T’i kthehemi qëndrimeve të mëparshme te 9 shtatorit, 18 dhjetorit, 8 janarit. T’i mbajmë ose t’i rrëzojmë. Pastaj të shohim a shkohet në negociata. Nëse gjithmonë, gjënë e vendosim ne këtu dhe nuk ka skenarë të tjerë.”

Enkelejd Alibeaj: Jo. Nuk ka asnjë lloj skenari. Me aq informacion sa ka.

Debate me tone të larta mes Helidon Bushatit dhe Jemin Gjanës

Në fjalën e tij, Jemin Gjana i është përgjigjur Helidon Bushatit duke i thënë: Je familje e madhe shkodrane, s’të shkon të vish me propozime për heqje dyersh.

Bushati – Gjanës: “Mos u merr me derën time, se të kthej përgjigje mirë, por je në moshë. Ti thuaj s’jam dakord me Helidonin, por mos më përmend derën e madhe.”

Gjana: Më vjen keq se je edhe familje e madhe e Bushatllinjve dhe merresh me dyert e blinduara dhe nuk merresh me gjera më të rëndësishme.

Bushati: Mos më cito dhe sidomos mos përmend familjen. Jep mendimin tënd por mos më cito dhe mos bëj interpretime të opinionit tim.

Edhe Ervin Salianji ka përmendur dyert e blinduara duke thënë se duhet të hiqen, ndërsa i është përgjigjur Gazment Bardhi duke i thënë se janë të hapura dhe nuk duhet të merren në kryesi me këtë çështje.

Salianji: Të ndërtojmë një grup dhe zgjidhje që e bën bashkimin funksional për të gjithë ku të gjithë mund të përfaqësohen si ngjyrime.  Duhet të thërritur Këshilli Kombëtar që të japë legjimitetin formal. Të hiqen dyert e hekurit, të tregojmë me simbolikë hapjen e partisë.

Gazment Bardhi: Dyert janë të hapura.

Salianji: Dyert e hekurit që as nuk preken me dorë ta shpifin, ti heqim.

Gazment Bardhi: Së pari lidhur me blindimin e PD-së, dyert janë të hapura, dhe janë çështje të administratës. S’ja vlen të merremi në kryesi me këtë. Së dyti për zgjedhjet e vitit 2023. Është propozuar me idenë që do pranohej nga të dy palët, duke bërë zgjedhje të bashkuar. Jam dakord edhe unë që të dalim me mesazh për bashkimin.

Gazment Bardhi: Kryesia duhet të dalë me 3 mesazhe.

1-Të ndalet gjuha përçarëse dhe e urrejtjes e palës tjetër. 2-Të ndërpresin procesin e riorganizimit, sic ka bërë PD. 3. Thirrje për ftesë zyrtare për bisedime.

Në mbledhje nuk kanë marrë pjesë anëtarët e dorëhequr:

Lulzim Basha

Grida Duma

Agron Gjekmarkaj

Flutura Acka

Lindita Metaliaj

Ndërkohe marrin pjesë deputetët që bojkotuan mbledhjen e së hënës: Ervin Salianji, Tomorr Alizoti, Helidon Bushati dhe Xhelal Mziu, të cilët janë edhe anëtarë kryesie.

 

Fraksion.com