AktualitetBota+Të fundit

Ukraina: Jo kapitullim në Mariupol

Ukraina nuk pranon kapitullimin në Mariupol, pavarësisht ultimatumit rus. Para valës së refugjatëve ukrainas, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock shprehet, se çdo vend në Europë duhet të pranojë refugjatë.

 Ukraina ka refuzuar ultimatumin për dorëzimin e qytetit të rrethuar Mariupol tek forcat ruse. “Nuk do të ketë kapitullim dhe dorëzim armësh”, tha zëvendëskryeministrja ukrainase, Irini Veretshuk për gazetën “Ukrajinska Pravda”, të hënën në mëngjes. Kjo i është bërë e ditur palës ruse.

Gjeneralmajori rus, Mihail Misinzev deklaroi të dielën duke iu referuar Mariupolit, se ka një “katastrofë humanitare të tmerrshme”. Të gjithë atyre që dorëzojnë armët, do t’u garantohet një lëvizje e lirë nga Mariupoli.” Për këtë do të hapet një korridor të hënën paradite, ka bërë të ditur drejtuesi i Qendrës Kombëtare të Mbrojtjes. Sipas Misinzev edhe civilëve do t’u mundësohet largimi nga qyteti në drejtim të Rusisë apo të zonave të kontrolluara nga Ukraina. Sipas palës ruse në Mariupol gjenden ende 130.000 vetë. Këshilli bashkiak i këtij qyteti kishte akuzuar Rusinë, se ka dërguar banorët në Rusi kundër vullnetit të tyre.

Ndërkohë negociatorët ukrainas dhe rusë kanë rënë në ujdi për një videokonferencë të hënën. Këshilltari i presidentit ukrainas, Myhajlo Podoljak  u shpreh se “të dyja grupet e punës kanë punuar së fundmi intensivisht”. Por sipas të dhënave të Podoljkas bisedimet për fundin e luftës mes dy vendeve mund të zgjasin disa javë. Por ka shenja, sipas tij, se pozicioni i Moskës është më “i përshtatur” dhe më realist, sipas këshilltarit të presidentit Zelensky. Rusia kërkon çmilitarizimin e vendit dhe neutralitetin e Ukrainës. Ukraina ka sinjalizuar gatishmëri për neutralitetin, po kërkon garanci të forta nga perëndimi. Nga ana tjetër Kievi këmbëngul për paprekshmërinë territoriale.

Baerbock dëshiron shpërndarje ndërkombëtare të refugjatëve

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock ka kërkuar solidaritet brenda Europës para valës së madhe të refugjatëve nga Ukraina. “Do të vijnë akoma edhe shumë shumë njerëz të tjerë. Ne do të duhet t’i shpërndajmë nga kufiri i jashtëm europian”, tha politikanja e gjelbër pas një vizite në një strehimore refugjatësh në Hanover. Këtë apel ajo dëshiron ta përsërisë në takimin e ministrave të Jashtëm në Bruksel të hënën. “Çdo vend në Europë duhet të pranojë njerëz”, kërkoi Baerbock. “Ne duhet të çojmë njerëzit edhe përtej Atlantikut.”

Ndërkohë presidenti amerikan, Joe Biden dëshiron të vizitojë Poloninë. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur, se Biden, siç ishte parashikuar, do të marrë pjesë të enjten në samitin e NATO-s , BE.së dhe G7-s në Bruksel. Të premten ai do të udhëtojë në Varshavë për një takim me presidentin polak, Andrzej Duda. Do të flitet edhe për krizën humanitare, që ka shkaktuar “kjo luftë e pajustifikuar dhe pa arsye e Rusisë kundër Ukrainës” bëhet e ditur nga Shtëpia e Bardhë./dw

 

Fraksion.com