Serbia paralajmëron për hapa të ardhshëm për zgjedhjet e 3 prillit
Udhëheqësi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha të hënën se autoritetet e Kosovës duan t’i pengojnë serbët e Kosovës që të votojnë më 3 prill në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.
Petkoviq e cilësoi si “gënjeshtër” dhe “mashtrim” deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se ka vullnet të mirë për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
Sipas komunikatës së lëshuar nga zyra e tij, “qëndrimi i Republikës së Serbisë dhe organeve të saj shtetërore lidhur me situatën e re do të shpallet nesër (22 mars), pas seancës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kur edhe do të vendoset për hapat e ardhshëm”.
“Beogradi zyrtar pret që vendet e Quint-it të marrin qëndrim të qartë dhe pa mëdyshje për shantazhin dhe sabotimin e Prishtinës, si dhe për shkeljen e të drejtave themelore, civile dhe demokratike të serbëve nga Kosova”, thuhet në komunikatë.
Autoritetet në Kosovë më 21 mars kanë bërë të ditur se Serbia nuk ka bërë ndonjë kërkesë të drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve brenda territorit të Kosovës.
Më 14 mars, Mimoza Kusari – Lila, shefe e Grupit Parlamentar të partisë qeverisëse në Kosovë, Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se Beogradi u është drejtuar institucioneve ndërkombëtare për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, por, siç ka thënë ajo, autoritetet sovrane në Kosovë janë Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar javën e kaluar se është në kontakt me shtetet e Quint-it që të gjendet një zgjidhje për serbët e Kosovës që duan të votojnë në këto zgjedhje. Kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se synon që të drejtat e serbëve të mos shkelen, por as të mos cenohet shtetësia e Kosovës.
Në fillim të këtij viti, institucionet e Kosovës lejuan që serbët e Kosovës të votojnë për një referendum kushtetues të Serbisë vetëm përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë dhe postës.
Më herët, ka pasur një praktikë në Kosovë, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka grumbulluar votat e qytetarëve serbë, dhe më pas ato janë dërguar në Rashkë dhe Vranjë – dy qytete kufitare të Serbisë – për t’u numëruar.
Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë.
Nga OSBE-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm t’i grumbullojnë votat edhe për zgjedhjet e 3 prillit, por me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse./REL
Fraksion.com