AktualitetBota+Të fundit

Rrezik trafikimi i fëmijëve; 3.3 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina

Komisioni Evropian paralajmëroi të hënën për rrezikun e trafikimit të fëmijëve ukrainas, ndërsa mbi 3.3 milionë njerëz janë larguar nga vendi që kur filloi agresioni i Rusisë. Gjatë një vizite në Estoni, komisionerja e BE-së për emigracionin tha se gati gjysma e refugjatëve ukrainas janë fëmijë.

Komisionerja e Bashkimit Evropian për emigracionin paralajmëroi të hënën se fëmijët ukrainas janë të rrezikuar nga trafikimi, ndërsa largohen nga vendi i tyre për shkak të sulmit të Rusisë.

Komisionerja Ylva Johansson tha gjatë një konference për shtyp në Estoni se gati gjysma e 3.3 milionë ukrainasve, që janë larguar drejt vendeve të BE-së, që nga fillimi i luftës, janë fëmijë.

“Shohim se regjistrohen shumë pak të mitur të pashoqëruar dhe kemi marrë pak raportime për raste trafikimi. Por duhet t’ju them se ky është një shqetësim i vërtetë. E dimë se Ukraina ka shumë jetimë”, tha zonja Johannson.

Ukraina ka raste të shumta lindjesh nga nëna ukrainase për çifte që gjenden jashtë vendit. Tashmë për shkak të luftës, prindërit adoptues nuk kanë shkuar të marrin foshnjat e tyre. Kjo përbën një rrezik të madh, thotë Komisionerja Johansson, që fëmijët e rrezikuar të trafikohen, apo të bëhen viktima të adoptimit me forcë.

Ylva Johansson
Ylva Johansson

“Kur ka fluks të madh emigracioni, ka gjithnjë njerëz, që shfrytëzojnë situatën dhe përdorin gratë dhe fëmijët e rrezikuar për trafikim… Mendoj se duhet të qëndrojmë shumë vigjilentë që të shmangim trafikimin e fëmijëve dhe grave dhe të bëjmë maksimumin për t’i mbrojtur fëmijët”, tha zonja Johansson.

Ndërkohë që po merren masat nga autoritetet lokale dhe policitë vendore, Komisioni Evropian ka aktivizuar edhe rrjetin e koordinatorëve kundër trafikimit, për shkak të volumit shumë të madh të refugjatëve.

“Çfarë përjetuam në periudhën 2015-2016 ishin më pak se 2 milionë refugjatë që erdhën në të gjithë Bashkimin Evropian gjatë dy viteve. Tashmë, kemi parë mbi 3.3 milionë, në më pak se katër javë. Kjo sigurisht që krijon presion të lartë ndaj shoqërive”, tha zonja Johansson.

Komisioni Evropian po bashkëpunon me vendet pritëse dhe po krijon fondet e duhura për të shmangur trafikimin e grave dhe fëmijëve refugjatë nga Ukraina. Sipas komisioneres për emigracionin është tepër e rëndësishme që këtyre fëmijëve t’u ofrohet një lloj normaliteti, përfshirë mundësitë që të shkojnë në kopshte dhe shkolla sa më shpejt të jetë e mundur./VOA

 

Fraksion.com