A do të ndalet Rusia vetëm në Ukrainë? NATO vëzhgon hallkat e saj më të dobëta
Disa orë pasi raketat ruse goditën për herë të parë qytetet ukrainase më 24 shkurt, pesë luftanije gjermane u nisën menjëherë drejt Letonisë. Kjo ishte pjesë e një përpjekjeje për të mbrojtur një zonë që ekspertetët ushtarakë e kanë konsideruar prej kohësh pikën më të dobët të aleancës, krahun lindor të saj. Nisja e beftë e anijeve tregoi se NATO dhe Gjermania janë futur tashmë në një realitet të ri, për shkak të sulmit rus. Ata po përballën me atë që zyrtarët diplomatët, apo autoritetet e zbulimit e sigurisë, bien dakord se është kërcënimi më serioz për sigurinë kolektive të aleancës, që nga Lufta e Ftohtë.
Duke qëndruar në bordin e luftanijes ‘Elbe’, ankoruar në portin e Rigës, komandanti gjerman i flotës ushtarake të NATO-s Terje Schmitt-Eliassen thotë se misioni tregon në thelb praninë e aleancës në Baltikun lindor. Luftanijet e aleancës, me rreth 600 marinarë në bord, do të fillojnë në ditët në vijim një operacion pastrimi të vijës brengdetare nga minat.
“Do të jenë 12 luftanije nga gjashtë vende. Në thelb po tregojmë praninë tonë në Baltikun lindor. Ne po bashkëpunojmë me vendet fqinje dhe do të kryejmë detyrën tonë kryesore, mbrojtjen nga minat“, thotë Terje Schmitt-Eliassen, Komandat i grupit të NATO-s për asgjesimin e minave.
Një javë pas fillimit të luftës në Ukrainë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha në një takim të ministrave të jashtëm të aleancës se epoka e pas sulmit ishte tashmë normalja e re. Çka ngjan shumë si një kthim në të kaluarën. E themeluar në vitin 1949 për t’u mbrojtur kundër kërcënimit sovjetik, NATO po përballet me një rikthim në luftën e mekanizuar, një rritje të madhe të shpenzimeve për mbrojtjen si dhe potencialisht me mundësinë e rënies së një perdeje të re, të hekurt, në të gjithë Evropën.
“Agresioni rus ka krijuar një realitet të ri për sigurinë evropiane, ku parimet themelore kundërshtohen përmes përdorimit të forcës”, tha zoti Stoltenberg.
Harta e vjetër e Luftës së Ftohtë duket se nuk ekziston më, pasi NATO është zgjeruar në lindje që nga vitet 1990, duke bërë pjesë të saj ish-vendet sovjetike, përfshirë shtetet Baltike të Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë, që u bënë anëtare në 2004.
Konfrontimi i drejtpërdrejtë mes NATO-s dhe Rusisë mund të shkaktojë një konflikt global dhe sikurse i tha agjencisë Reuters një komandant i NATO-s në pension, kjo ka shtyrë aleancën të shqyrtojë nëse masat e saj parandaluese janë të mjafshtueshme.
Kjo duket se nënvizohet edhe nga misioni i komandatit Schmitt-Eliassen, një stërvitje e rregullt, e cila po kryhet më herët për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Njerëzit mendojnë se është e rëndësishme që ne jemi këtu, dhe kjo mund të vihet re. Ata e kuptojnë këtë si një shenjë solidariteti dhe realisht mendoj se është një ndryshim me misionet e mëparshme“.
Një Moskë agresive mund të rrethojë anëtarët e rinj të NATO-s, vendet Baltike, duke i shkëputur nga aleanca. Nëse do të bjerë një perde e re e hekurt, NATO duhet të sigurohet që anëtarët e saj të mos qëndrojnë pas saj.
Të tre vendet, me një popullsi prej rreth gjashtë milionë banorësh, kanë një lidhje të vetme tokësore me territorin kryesor të aleancës. Një korridor prej rreth 65 kilometrash mes enklavës ruse të armatosur rëndë të Kaliningradit në perëndim dhe Bjellorusisë në lindje. Qëllimi i komandatit Schmitt-Eliassen është të mbajë të hapur korridorin ujor, si linjë furnizimi edhe për shtetet jo-anëtare të NATO-s, Finlandën dhe Suedinë. Miliona ton mina të vjetra, municione dhe armë kimike besohet se ndodhen në pjesën e cekët të detit Baltik, një trashëgimi e dy Luftërave Botërore. Minat, qofshin të vjetra dhe të pashpërthyera, apo të sapo hedhura, mund të kenë një ndikim përtej shkatërrimit, thotë zoti Schmitt-Eliassen.
“Edhe kur një minë vetëm sa shihet, apo kur ka zëra se ka mina, duhet bërë një përpjekje e madhe për të kontrolluar nëse ato ekzistojnë vërtet. Kështu që porti mund të mos përdoret për një numër të pacaktuar ditësh. Dhe pastaj raftet e supermarketeve do të mbetet bosh, gjithçka do të mbyllej“.
Aleatët e NATO-s kanë zhvendosur gjithashtu pesë aeroplanmbajtëse në ujërat evropiane, në Norvegji dhe Mesdhe kanë rritur numrin e avionëve luftarakë që patrullojnë hapësirën ajrore të NATO-s dhe më shumë se dyfishuar madhësinë e njësive luftarake në Baltik dhe Poloni. Shtetet e Bashkuara po dislokojnë gjithashtu një numër edhe më të madh pajisjesh ushtarake në Evropë, përfshirë automjete dhe armë në Belgjikë, Holandë, Gjermani dhe Poloni që mund të përdoren menjëherë nga trupat amerikane të sapoardhura, në vend që të presin me javë që tanket dhe kamionët të mbërrijnë nga bazat amerikane./voa
Fraksion.com