Përfundon biseda Biden-Xi mes tensioneve në Ukrainë
Presidenti amerikan Joe Biden bisedoi sot në telefon me Presidentin kinez Xi Jinping lidhur me Ukrainën.
Sipas Shtëpisë së Bardhë biseda zgjati rreth dy orë. Ende nuk ka informacione për hollësi nga biseda.
Para bisedës, Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se Presidenti Biden do të ngrejë çështjen e retorikës mbështetëse të Pekinit ndaj Presidentit Putin dhe mbi mos dënimin e sulmit brutal ndaj Ukrainës.
“Biseda është një mundësi për të vlerësuar se cili është pozicioni i Presidentit Xi”, tha zonja Psaki.
Shtëpia e Bardhë e ka paralajmëruar Pekinin se ofrimi i ndihmës ushtarake, ose ekonomike për Moskës, që lidhen me sulmin ndaj Ukrainës, do të përballej me pasoja të ashpra nga Uashingtoni.
Të premten Kina nënvizoi sërish thirrjet e saj për negociata dhe ndihmë humanitare, ndërkohë që akuzoi SHBA-të për provokimin e Rusisë dhe nxitjen e konfliktit duke dërguar armë në Ukrainë.
Në ditët pasi Presidenti Putin dislokoi forcat ushtarake ruse në Ukrainë, qeveria e zotit Xi u përpoq të distancohej nga ofensiva e Rusisë, por i shmangu kritikat ndaj Moskës.
Në raste të tjera, veprimet e Pekinit kanë qenë provokuese dhe kanë përforcuar pretendimet e pafaktuara të Rusisë se me mbështetjen e SHBA-ve, Ukraina, drejtonte laboratorë me armë kimike dhe biologjike.
Në fillim të kësaj jave Uashingtoni informoi aleatët aziatikë dhe evropianë se zbulimi amerikan kishte të dhëna se Pekini kishte sinjalizuar Rusisë se ishte i gatshëm për t’i ofruar mbështetje ushtarake për fushatën e saj në Ukrainë, si dhe mbështetje financiare për të ndihmuar në shmangien e ndikimit të sanksioneve të rënda të vendosura nga Perëndimi.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken përsëriti të enjten se administrata Biden mbetet e shqetësuar se Kina po shqyrton mundësinë për të ofruar pajisje ushtarake për Rusinë.
Ai tha se Presidenti Biden do t’ia bënte të qartë Presidentit Xi se Kina do të mbajë përgjegjësi për çdo veprim që ndërmerr për të mbështetur agresionin e Rusisë dhe se Uashingtoni nuk do të hezitojë të ndërmarrë veprime që do të kishin pasoja ndaj këtij vendi./VOA
Fraksion.com