AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Krifca: Marrim direktiva nga Komiteti i Menaxhimit të Krizës në BE se ç’po ndodh me tregjet

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Urban, Frida Krifca deklaroi sot se parashikimet e prodhimit të drithërave janë pozitive për të qëndruar në përputhje me nevojat që ky vit ka, sa i takon konsumit.

Mbrëmjen e sotme, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca dolën në një deklaratë të përbashkët për shtyp për ngritjen e Bordit të Transparencës për kufizimin e përkohshëm të çmimeve të shportës dhe inputeve bujqësore.

Krifca u shpreh se Shqipëria është pjesë e një komiteti të menaxhimit të krizave të BE-së, ku marrim direktiva se ç’po ndodh me tregjet dhe me parashikimet e prodhimit.

Sa i përket produkteve të tjera të shportës, Krifca deklaroi se po punohet intensivisht për të adresuar dinamikat në mënyrë të përditshme, ashtu sikundër për të mundësuar edhe tregje të reja, kudo të jetë e nevojshme.

Sipas saj, një pjesë të produkteve të shportës mbulohen 100 % edhe nga prodhimi vendas.

“Objektivi i bordit është që çmimet të jenë sa më afër realitetit. Kemi produkte që varen nga çmimet në tregjet ndërkombëtare, por edhe një gamë produktesh të shportës që prodhohen në vend dhe ne arrijmë të mbulojmë nevojat e vendit 100 % nga prodhimi vendas me patate dhe fasule”, deklaroi ministrja.

Ministrja siguroi se po punohet intensivisht për të adresuar dinamikat në mënyrë të përditshme.

“Ashtu sikundër ne arritëm të mundësonim çlirimin e tregut të Serbisë për importin e grurit drejtë Shqipërisë, në të njëjtën mënyrë do të vijojmë të kryejmë këtë bashkëpunim ekonomik edhe me vendet e tjera. Ministria e Bujqësisë është në bashkëpunim dhe komunikim të hapur me aktorët e tregut për të kuptuar nevojat që tregu ka dhe për të adresuar dinamikat në mënyrë të përditshme. Situata është e luhatshme, sepse tregjet ndërkombëtare përcaktojnë edhe kërkesën, edhe ofertën, e cila është dinamike. Por duke monitoruar përmes instrumentit që bordi do të miratojë do të kemi mundësi të adresojmë nevojat për të ndërhyrë në tregjet e tjera”, tha ajo.

Sipas ministres, po punohet për të mundësuar edhe tregje të reja, kudo të jetë e nevojshme.

“Ministria e Bujqësisë është pjesë e Komitetit të Menaxhimit të Krizave, pjesë e një strukture të BE-së për vendet e BE-së dhe vendet që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së, ku merren direktiva se ç’po ndodh me tregjet me nevojat aktuale, me parashikimet e prodhimit, që fatmirësisht për produktet e grurit dhe drithit këtë vit janë pozitive për të qëndruar në përputhje me nevojat që ky vit ka, sa i takon konsumit. Jemi duke monitoruar dhe adresuar çdo nevojë, duke mundësuar edhe tregje të reja kudo të jetë e nevojshme”, tha Krifca.

 

Fraksion.com