Fond garancie tregtarëve që familjet të mos paguajnë më shumë seç duhet
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se qeveria ka vendosur një fond garancie në dispozicion të tregtarëve kryesorë për të blerë produktet bazë ushqimore, në mënyrë që qytetarëve shqiptarë të mos u mungojnë në një periudhë afatmesme.
Kjo u bë e ditur gjatë një deklarate të përbashkët për shtyp me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, pas një maratone diskutimesh me përfaqësuesit e shitësve të shumicës dhe pakicës për disa nga ushqimet bazë.
Ibrahimaj tha se takimi i Bordit të Monitorimit dhe Transparencës së Çmimeve për produktet bazë do të vijojë edhe nesër për të ngritur instrumentin me të cilin do monitorohet tregu.
“Qëllimi i këtij bordi është përcaktimi i instrumentit që do të monitorojë këto çmime dhe nuk do të lejojë që çmimet të rriten në mënyrë jo konsistente me çmimet e importit. Bordi do të ketë detyrë kryesore monitorimin e marzheve të fitimit. Kjo është një situatë e pazakontë dhe që ka nevojë për monitorim”, deklaroi ajo.
Ministrja tha se në ditët e fundit është vërejtur një rritje e çmimit për disa produkte, që jo në të gjitha rastet kanë treguar se kanë ardhur nga rritja në tregjet ndërkombëtare.
Sipas Ibrahimajt, kompanitë prezente, por edhe në takimet e zhvilluara më herët, kanë garantuar dhe kanë dhënë dakordësi për të patur marzhe fitimi minimale për produktet bazë të shportës. Disa prej tyre, sipas saj kanë pranuar të mos kenë marzhe fitimi.
“Ne nuk mund të vendosim çmime arbitrate, pasi operojmë në një ekonomi tregu. Kemi vendosur një garanci që do të përdoret nga tregtarët kryesorë që të blejnë produkte dhe të mos mungojnë në një periudhë afatmesme. Kjo me qëllim që familjet shqiptare të paguajnë vetëm atë që duhet të paguajnë, pasi sot jemi në situatë lufte dhe të gjithë duhet të përballen me këtë”, deklaroi ministrja.
Fraksion.com