AktualitetBota+Të fundit

Zelensky, Scholzit: Rrëzojeni murin që po krijon Rusia

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë një fjalim emocional para Parlamentit gjerman të enjten, duke bërë thirrje për “rrëzim” të murit që Rusia është duke ndërtuar për të ndarë Evropën, përmes pushtimit të Ukrainës.

“Nuk është Mur i Berlinit – është mur në Evropën Qendrore, në mes të lirisë, dhe ky mur po rritet me çdo bombë” të rrëzuar në shtetin tonë, ka thënë Zelensky para deputetëve gjermanë më 17 mars.

“Zoti Scholz, rrëzojeni këtë mur”, ka thënë ai duke iu referuar kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Kjo thirrje ka qenë e ngjashme me atë të ish-presidentit amerikan, Ronald Reagan, në fjalimin e vitit 1987 para Portës Brandenberg, kur ka sfiduar homologun e tij sovjetik, Mikhail Gorbachev, që ta bëjë të njëjtën gjë.

Ky fjalim i Zelenskyt është i radhës pas fjalimeve të ngjashme që ai ka mbajtur në Kanada, Britani dhe Shtetet e Bashkuara, duke bërë thirrje për më shumë mbështetje që të mposhtet agresioni rus.

Lideri ukrainas i ka bërë thirrje Berlinit që të mbështesë Ukrainën në kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe e ka qortuar pse nuk ka vepruar shpejt për të anuluar pjesëmarrjen në projektin e gazsjellësit, Rrjedha Veriore 2, ndonëse ka pasur shenja se pushtimi do të ndodhte.

“Ekonomi, ekonomi, ekonomi”, ka qenë përgjigjja ndaj thirrjeve të Ukrainës që projekti të rrëzohet, ka thënë Zelensky.

Gjermania ka pezulluar projektin, i cili kishte synim që të rriste sasinë e gazit që do të shkonte nga Rusia në Gjermani.

Scholz e ka bërë të ditur vendimin për anulim të projektit më 22 shkurt, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se njeh pavarësinë e dy rajoneve ukrainase, Donjeck dhe Luhansk.

Gazsjellësi 1,225 kilometra i gjatë, në vlerë të 11 miliardë dollarëve, është përfunduar, mirëpo ende nuk i ishte dhënë leja për operim.

Kritikët e këtij projekti, duke përfshirë presidentin amerikan, Joe Biden, kanë thënë se gazsjellësi, jo vetëm që do të rrisë varësinë e Evropës ndaj gazit rus, por edhe do ta dëmtojë Ukrainën, duke ia pamundësuar marrjen e tarifave të transitit, të cilat i siguron nga gazsjellësit aktualë që kalojnë nëpër territorin e saj.

Më shumë se tre milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina, prej kur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./rel

 

Fraksion.com