Lufta në Ukrainë rrezikon edhe ekonominë gjermane
Sipas kreut të Bundesbank, aktualisht nuk ka rrezik të stanjacionit ekonomik. Por lufta në Ukrainë mund ta rrezikojë edhe ekonominë gjermane.
Por kreu i Bundesbank Joachim Nagel nuk pret ende ndonjë përzierje serioze të plogështisë ekonomike dhe inflacionit të lartë në Gjermani. “Unë nuk pres stanjflacion (stanjacion dhe inflacion) për momentin, edhe nëse efektet e luftës do të rrisin normën e inflacionit dhe do të dobësojnë rritjen ekonomike,” tha Nagel për gazetën Handelsblatt, në një intervistë të botuar të mërkurën. Në tregun e punës situata është e tensionuar, por ky është një problem i parashikueshëm në Gjermani, për shkak të mungesës së punëtorëve të kualifikuar. “Megjithatë aktualisht nuk kemi asnjë shenjë të një spiraleje paga-çmime”, tha kryebankieri. “Ne vazhdojmë të presim një rritje ekonomike në vend – ndoshta vetëm do të vonohet.”
Kompanitë mund të frenojnë investimet
Sipas vlerësimit aktual të ministrisë së Ekonomisë, sanksionet e vendosura së fundi do të prekin kryesisht ekonominë ruse. “Por edhe kompanitë gjermane preken kur partnerët ekzistues tregtarë shkëputen ose kur zinxhirët e furnizimit prishen.” Pritet gjithashtu që kompanitë të frenojnë investimet në kushtet e rritjes së pasigurisë dhe të ketë një efekt negativ edhe në tregtinë botërore.
Gjermanët do të ndjejnë konfliktin “mbi të gjitha në rritjen e çmimeve të energjisë”, tha ai. Sipas qeverisë federale, kjo mund të ulë konsumin privat gjatë gjithë vitit. E konsumi privat konsiderohet si një faktor i rëndësishëm në zhvillimin e produktit të brendshëm bruto (PBB).
“Parashikimet serioze nuk janë të mundshme”
Në raportin e saj vjetor ekonomik 2022 në fund të janarit, qeveria federale parashikonte një rritje të PBB-së prej 3,6 përqind këtë vit. Se sa të mëdha janë efektet e luftës në Ukrainë tani “dhe çfarë nënkuptojnë ato për zhvillimin e produktit të brendshëm bruto nuk mund të llogaritet seriozisht në këtë moment,” shpjegoi ministria dhe vuri në dukje se treguesit për vlerësimin e situatës ekonomike kanë një vonesë nga një deri në dy muaj.
Treguesit e fundit janë paraqitur nga fundi i janarit, kur ekonomia industriale gjermane ishte “në gjendje të mirë” dhe kishte shenja se industria po përballej gjithnjë e më mirë me pengesat e furnizimit me lëndë të para të rëndësishme.
Sipas ministrisë, norma e inflacionit, e cila tashmë kishte arritur në 5,1 për qind në shkurt – shumë mbi objektivin dy për qind sa kërkohet prej Bankës Qendrore Evropiane, mbetet një shkak serioz për shqetësim. Zhvillimi i mëtejshëm i nivelit të çmimeve “vështirë se mund të parashikohet me besueshmëri sepse as kohëzgjatja dhe as rezultati i luftës nuk mund të parashikohen për momentin,” kumtoi ministria. Në pohimet e fundit flitet për “një relaksim të caktuar të çmimeve të energjisë me kalimin e kohës, por lëvizjet ende janë në një nivel tepër të lartë dhe janë të pasigurta”.
Në vitin 2022, Gjermania “do të paguajë dukshëm më shumë për energjinë sesa vitet e mëparshme”, bëri të ditur ministria e Çështjeve Ekonomike. “Meqenëse zhvillimi i çmimeve është tashmë shumë dinamik për shkak të pengesave të sigurimit të lëndëve të para dhe problemeve me energjinë, norma dukshëm më të larta të inflacionit mund të priten në muajt e ardhshëm.”/DW
Fraksion.com