AktualitetPolitikëTë fundit

Kryemadhi dorëzon në Kuvend amendamentin: Gjithëpërfshirje në procesin e integrimit

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka dorëzuar në Kuvend një amendament për integrimin evropian.

Kryemadhi shprehet se amendamenti është për gjithëpërfshirje në procesin e integrimit.

Propozimi i Kryemadhit është që Këshilli i Integrimit Evropian të përbëhet nga të gjitha partitë parlamentare .

Kryemadhi thekson se, ndryshimi siguron pjesëmarrje dhe gjithëpërfshirje

Në relacion Kryemadhi shprehet se, “objektivi i kësaj nisme ligjore është realizimi i një gjithëpërfshirje sa më të plotë, të forcave politike parlamentare, në procesin shumë të rëndësishëm të Integrimit Evropian, ku roli i Parlamentit është kyç dhe i pazëvendësueshëm.

Procesi i Integrimit Europian në Shqipëri nuk ka ecur në ato ritme që të gjithë do të donim, ai ka shënuar ngadalësime të mëdha dhe shpesh herë, është bërë viktimë e taktikave dhe objektivave politike të partive të veçanta.

Interesi politik i ditës ka influencuar negativisht dhe në mbajtjen e qëndrimeve të unifikuara dhe konsensuale, shumë të domosdoshme për një ecuri pozitive të tij.

Është fakt, që në të gjitha momentet kyç të tij, qoftë nga përmbyllja e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, apo Marrjes së Statusit si Vend Kandidat, apo vetë procesi i çeljes së negociatave për anëtarësim, të gjitha këto momente, janë shënjuar nga vonesa të cilat kanë ardhur si pasojë e konfliktualitetit politik, e që kanë bërë që të humbasë kohë e çmuar dhe sigurisht vendi ynë mbetet larg familjes evropiane, ku i takon të jetë.

Duke vlerësuar sa më sipër, qëndrimi i vetëm politik i cili i shërben konsensualitetit dhe evitimit të ngërçeve politike të panevojshme, e të dëmshme, është gjithëpërfshirja. Sistemi ynë politik dhe zgjedhor, kanë krijuar një traditë parlamentare politike me përfaqësim të disa partive politike në Kuvend.

Parlamenti shqiptar, nuk është përfaqësuar në asnjë prej legjislaturave të pluralizmit, vetëm me dy parti politike, por, ka qenë vazhdimisht me një përfaqësim shumë partiak.

Edhe vetë fryma dhe gërma e ligjit 15/2015, ka në thelbin e tij gjithëpërfshirjen, ku në pikën 1 të nenit 6, shprehimisht thuhet:

“Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian është struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin europian, që ngrihet pranë Kuvendit, i cili nxit dhe garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile, si dhe siguron rritjen e transparencës në vendimmarrjen për çështjet e integrimit.”

Bazuar në këtë realitet, të qartë dhe të pakundërshtueshëm, është tashmë objektive dhe e pashmangshme, se gjithëpërfshirja edhe përfaqësimi politik në këtë Këshill Kombëtar për Integrimin Evropian, mund të realizohet vetëm duke garantuar përfaqësimin e secilës parti parlamentare të përfaqësuar në Kuvend me deputetë.

Në këtë mënyrë, të gjithë faktorët politikë, duke qenë pjesë e Këshillit Kombëtar Integrimin Evropian, do të mund të japin kontributin e tyre, por gjithashtu do të realizojnë edhe përfaqësimin e elektoratit shqiptar, që i ka votuar për tu përfaqësuar në Kuvend.

Ndaj, ky ndryshim që propozohet, jo vetëm plotëson një boshllëk politik, por siguron gjithëpërfshirjen reale dhe kohezionin e plotë parlamentar, për një çështje madhore që i bashkon të gjitha forcat politike, siç është integrimit evropian i Shqipërisë.

Ky ndryshim, është një mesazh shumë pozitiv, në drejtim të kohezionit dhe gjithëpërfshirjes aq të munguar në gjithë këto vite dhe realizimin e përgjegjësisë maksimale të çdo force politike parlamentare në procesin e Integrimit Evropian të Shqipërisë”.

 

Fraksion.com