“Arritje e madhe për Europën pa gazin rus”; Berisha: Sot TAP ka transportuar 10 bcm-të e para të gazit në Itali
Nga jashtë parlamentit, ish-Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka përshëndetur gazsjellësin transadriatik, TAP-in që ka transportuar sot 10 bisitë e para të gazit në Itali, duke treguar se ky është gazsjellësi i parë pa gazin rus. Ish-kryeministri i vendit tregon se qeveria që ai drejtonte ka luajtur një rol përcaktues në këtë arritje pas Azerbajxhanit.
“Jam para jush për të përshëndetur një ngjarje të madhe në historinë e Shqipërisë dhe të Evropës, gazsjellësit transadriatik që ka transportuar sot 10 bisitë e para të gazit në Itali. Ky është gazsjellësi i Evropës pa gazin rus. Është një arritje e madhe për Evropën, arritje në të cilën Shqipëria dhe qeveria që unë kryesova luajti një rol përcaktues pas Azerbajxhanit.
Për të patur të qartë rolin, TAP mund të ishte TAP-i vetëm nëse kalonte në territorin e Shqipërisë, territor në të cilin gazi rus nuk mund të kalonte. U bënë përpjekjet më të mëdha për ta sabotuar atë sepse gjithçka bëhej që korridorin e jugut, ta kapte Rusia. Kundërshti të mëdha pati në të gjitha vendet që kalonte gazsjellësi, përveç Shqipërisë.
Vazhduam me durim dhe përpjekje diplomatike për të bindur fqinjtë tanë se nga TAP përfitonin të gjithë dhe se vendimi i Presidentit të Azerbajxhanit ishte i duhuri. Unë dua të falenderoj me mirënjohje, Presidentin e Azerbajxhanit për vendimin e tij historik, për të shpallur TAP-in fituesin e gazit.
Dy kanë qenë problemet më madhe, TAP-i dhe NATO-ja. Clinton duke vendosur në dispozicionin tonë stafin e saj më të kualifikuar për energjinë na ka dhënë një ndihmë të çmuar për të vazhduar betejën tonë diplomatike për TAP-in. Ju e dini, Tirana u bë kryeqyteti i Ballkanit për TAP-in. Të gjitha këto kanë kërkuar energji të mëdha.”, tha Berisha.
I pyetur se nga kush i erdhi oferta, Berisha është shprehur se nga Gaz Prom.
Fraksion.com