Rama: Nëse BE do të ketë plan për përballimin e pasojave të luftës të përfshijë Ballkanin
Kryeministri Edi Rama shprehu sot domosdoshmërinë e përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor, në rast se Bashkimi Europian do të ketë një plan për të mbështetur vendet për përballimin e krizës energjetike dhe të pasojave të luftës në Ukrainë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë, me përfaqësuesin e lartë për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe zv.Presidentin e Komisionit Europian, Josep Borrell, Rama theksoi po ashtu se duhet të nxitohet mundësisht edhe projekti i Korridorit 8, si pjesë e planit ekonomik të investimeve, por që tanimë bëhet strategjik në aspektin e një korridori sigurie”.
“Folëm për domosdoshmërinë se nëse BE do të ketë një plan për të mbështetur vendet për përballimin e krizës energjetike, që është edhe pjesa më e rëndë e krizës, edhe për përballimin e pasojave të tjera të luftës, të mos e lërë Ballkanin Perëndimor jashtë, siç e lanë kur bënë skemën e parë të shpërndarjes së vaksinave”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se në takim u diskutua mbi shqetësimin e madh që është krijuar nga lufta në Ukrainë dhe të gjitha pasojat e saj që janë shfaqur në Europë dhe jo vetëm në Europë, fillimisht në formën e rritjes së çmimeve.
“Kemi diskutuar patjetër edhe për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe qëndrimin e Shqipërisë mbi agresionin rus në Ukrainë”, tha Rama.
Fraksion.com