AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: I takon Këshillit Europian të mbajë premtimet për çeljen e negociatave

 Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “i takon Këshillit Europian të çelë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, dhe sa më parë ta bëjnë aq më në nderin e tyre është, sepse po kalon shumë kohë duke premtuar e duke mos mbajtur premtimet”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë, me përfaqësuesin e lartë për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe zv.Presidentin e Komisionit Europian, Josep Borrell, Kryeministri Rama tha se temë e bisedimeve dypalëshe ishte edhe çështja e çeljes së bisedimeve për integrimin e Shqipërisë në BE.

“Unë mbetem aty ku kam qenë edhe më parë. Kjo është një çështje e BE-së. Komisioni Europian në mënyrë të përsëritur e ka thënë se Shqipëria duhet të ulet në tryezë për të nisur bisedimet për anëtarësim. Këshilli Europian nuk ka arritur dot ta bëjë këtë për shkak të një bllokimi së fundmi të Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria. Kjo nuk është diçka që e kemi ne në dorë”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “ne jemi këtu të gatshëm të ulemi në tryezën e bisedimeve për anëtarësim sapo të hapet drita jeshile, por nuk do të humbasim asnjë minutë nga ai pak gjumë që flemë, që kjo të ndodhë, sepse ndërkohë do të vazhdojmë të bëjmë punën njësoj sikundër të ishin hapur bisedimet”.

Kryeministri tha se “ne e kuptojmë se tanimë nuk është çështja e një vullnetit të përbashkët të Këshillit Europian, sepse të gjitha vendet janë tanimë të gatshme t’i hapin këto bisedime por është çështje e një bllokimi mes dy vendeve të tjera, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”.

“Presidenca franceze mund ta bëjë këtë në qershor. Do të ishte mirë ta bënte, por edhe nëse nuk e bën ne këtu jemi prapë edhe presim kur të bëhet, por nuk presim asnjë sekondë të bëjmë të njëjtat punë që na afrojmë edhe më shumë me standardet e BE-së në Shqipëri”, tha Rama.

 

Fraksion.com