AktualitetBota+Të fundit

Vdes shtatzëna që u plagos në maternitetin e Mariupolit

Qytetet Mariupol dhe Kahrkiv kanë qenë shënjestër e qindra sulmeve ajrore në 24 orët e fundit nga ushtria ruse, shkruan Alsat.

Në ditën 19 të luftimeve, në Mariupol raportohet për të paktën 2.500 të vdekur dhe mijëra të tjerë të lënduar që nga fillimi i pushtimit e deri sot. Janë sulmuar ndërtesa banimi, spitale dhe institucione shtetërore. Në spitalin e Maripolit ka ndërruar jetë gruaja e cila u nxor nga rrënojat e shkaktuara nga granatimet më 9 mars. Bashkë me të ka ndërruar jetë edhe foshnja e saj.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka akuzuar palën ruse se ka sulmuar përsëri korridoret humanitare në Mariupol. Ai ka komentuar edhe sulmin e një ditë më parë në bazën ushtarake të Lvivit, 20 km larg kufirit me Poloninë, duke shtuar se derisa nuk mbyllet qielli ukrainas, mbetet çështje kohe kur Rusia do të sulmon Poloninë, shtet anëtar i NATO-s.

“Korridoret humanitare të Mariupolit u bllokuan përsëri. Bëmë gjithçka që ishte e nevojshme. Bëmë një armëpushim. Trupat ruse penguan ndihmën mjekësore dhe autobusët për evakuim. Por ne do ta bëjmë një gjë të tillë përsëri. Do të bëjmë gjithçka derisa të krijojmë mundësi për ndihmë”, tha Voldymyr Zelensky, President i Ukrainës.

Në Kharkiv është shkatërruar pjesa dërmuese e infrastrukturës, ndërsa në 24 orët e fundit ka pasur sulme ajrore të pandërprera edhe në ndaj ndërtesave civile.

Gjatë ditës janë dëgjuar të shtëna në periferi të Kievit, ndërsa sipas emergjencës civile raportohet për një person të vdekur si pasojë e bombardimeve në ndërtesat civile. Ndërkohë në Mykolaiv raportohet për 2 të vrarë dhe 10 të lënduar mëngjesin e sotëm. Në Irpin, ku ditë më parë u vra një gazetar ka akoma civilë. CNN raporton se në bisedën e fundit mes presidentit të SHBA-ve, Joe Biden dhe presidentit ukrainas, Zelenksy, ky i fundit ka kërkuar presion më të madh ndaj Rusisë dhe ashpërsimin e sanksioneve. Zelensky ka adresuar një kërkesë të re ndaj shteteve të BE-së, hapjen e një xhirollogarie të ndarë nga detyrimi ndaj gazit rus, fonde të cilat sipas tij do të merreshin si mjete për reparacione luftarake të cilat detyrohet t’i paguaj Federata Ruse shtetit ukrainas. Këshilltari për siguri i SHBA-ve, Xhejk Saliven ka paralajmëruar Kinën për pasoja serioze derisa Pekini është i gatshëm për t’i ofruar ndihmë ushtarake Putinit. Mediat amerikane duke u thirrur në burime diplomatike bëjnë të ditur se Rusia ka kërkuar ndihmë ushtarake nga Kina, por këta të fundit sot përgënjeshtruan informacionet e tilla duke i cilësuar si të fabrikuara nga SHBA-të me qëllime të këqija. /Alsat.mk

 

Fraksion.com