AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Nuk ka pasur Shqipëria qeveri më të vëmendshme dhe reflektuese ndaj protestave

Kryeministri Edi Rama i cilësoi sërish një turp për Shqipërinë, protestat e organizuara për 5 ditë me radhë në vend, kundër rritjes së çmimeve pas agresionit rus në Ukrainë.

Gjatë një bashkëbisedimi me pensionistë për paketën e Rezistencës Sociale, Rama tha se kjo qeveri është krejt e kundërta e asaj shëmbëlltyre që përpiqen të pikturojnë me propagandën e shfrenuar kundër fakteve, jo qeverisë, ata që rrokanisin kokën e qytetarëve përditë, gjithë këto vite.

“E bëjnë Shqipërinë të vetmin vend në NATO dhe botën demokratike, që për turp proteston që në ditët e para të luftës për pasojat e luftës”, deklaroi Rama.

Rama iu përgjigj edhe letrës së hapur të profesorit Fatos Tarifa.

“Shkruante një profesor i nderuar, një person për të cilin kam respekt, Fatos Tarifa, një letër të hapur për mua dhe më qortonte mua për mungesë durimi ndaj qortimeve të protestuesve dhe për arrogancë ndaj tyre, sepse thashë “është turp”. Unë e përsëris: ajo protestë është turp kombëtar. Besoj se faktet janë aty. Nuk ka pasur Shqipëria qeveri më të vëmendshme dhe reflektuese ndaj protestave. Në këtë vend ku haje edhe plumbin ballit po të dilje në protestë, është protestuar sa herë kanë dashur dhe jo vetëm kaq. Ne i kemi dëgjuar protestat me respekt dhe institucionin e protestës e kemi respektuar si një institucion demokratik që mund të sjellë vlerë të shtuar për qeverisjen, që në protestën për armët kimike, pastaj për tarifën e traut të Rrugës së Kombit për banorët e Kukësit, dhe me protestën e studentëve. Janë tre raste domethënëse, ku qeveria ka reaguar dhe madje në një rast, si në Kukës, kam dalë dhe kërkuar edhe ndjesë, sepse ishim në gabim, nuk ishin banorët e Kukësit gabim, dhe për mua ka rëndësi të bëhet gjëja e drejtë,” – deklaroi Kryeministri.

Rama u shpreh se kurrë nuk i ka trajtuar protestuesit, përveçse me respekt, madje edhe protestat më të çartura që mund të bëjë një parti politike.

“Por kjo është një turp i pashoq i atyre që nxisin dhe nuk kanë turp, sepse e kanë bërë divorcin me turpin kohë më parë, deri tek ata që ju vënë fytyrën në dispozicion kur marrin mikrofonët. Ndjej keqardhje për ata që i sjellin me autobusë, të paguar nga kush? Ne e dimë shumë mirë kush janë. Turp edhe për ata që e mbështesin këtë protestë, sepse kjo protestë është një protestë që e shëmton Shqipërinë, që turpëron shqiptarin. Në pak ditë që ka filluar lufta ka pasur një shok në çmime. Por çfarë do të bëjmë ne nëse kjo vazhdon me muaj e vite?” – tha Rama.

Kryeministri theksoi se protesta ekonomike është një nga pjesët e strategjisë së kësaj lufte.

“Si mund të jemi ne, i vetmi vend që dilet e protestohet për pasojat e luftës mbi çmimet, ku në asnjë vend tjetër, ku efektet janë njëlloj e ku të gjithë janë të shqetësuar, të dalin kundër luftës?! Këtu bëhet një luftë që mund t’i pëlqejë Rusisë, sepse kjo është një nga pjesët e strategjisë së kësaj lufte që njerëzit të fillojnë të ngrihen në protesta ekonomike dhe të harrojnë se çfarë luhet atje, sepse nuk luhet fati i Ukrainës, por i Evropës dhe demokracisë, sepse është një agresion ushtarak ndaj një vendi demokratik.”

Rama vuri në dukje se kjo është një çështje e dinjitetit kombëtar, në kushtet kur qeveria shumë kohë më parë ka nisur të subvencionojë çmimin e energjisë elektrike.

“Si mund të jemi ne kaq pa dinjitet, pa karakter dhe pa logjikë, ndërkohë që qeveria e kësaj republike ka muaj të tërë që po financon nga buxheti i vet, jo i palimituar, faturën e energjisë dhe sapo shfaqen shenjat e para të rritje së çmimeve, unë dal e them se do të kemi një paketë mbështetëse, dalin e thonë: nuk duhet ta lëmë të na shpëtojë. Kush? Kjo është çështje e dinjitet kombëtar dhe s’ka të bëjë me konceptin e protestës dhe institucionin e saj, por është një kuturisje e turpshme që fyen kombin e popullin shqiptar në dinjitetin e vet, sepse shqiptarët nuk janë njerëz kaq të lidhur me zorrët, ndërkohë që atje të tjerët po lënë jetën e po shkatërrohen totalisht, dhe ndërkohë që ne jemi një vend i NATO-s, nuk e kemi zgjedhur ne këtë luftë, ne e dimë ç’do të thotë të jetosh në diktaturë, është minimumi i sakrificës që mund të bëjmë”, tha Rama.

 

Fraksion.com