Rama: Mbrojmë 726 mijë familje dhe 95 mijë biznese të vogla nga rritja e çmimit të energjisë elektrike
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria do të mbrojë 726 mijë familje dhe 95 mijë biznese të vogla nga rritja e çmimit të energjisë elektrike.
Gjatë një bashkëbisedimi me pensionistë për paketën e Rezistencës Sociale, indeksimin e pensioneve dhe kompensimin e rritjes së çmimeve të shportës, Rama tha se “ne kemi vënë një mburojë financiare që në momentet e para të krizës dhe vlerën e kësaj mburoje financiare qytetarë do ta shikojnë që në faturën e ardhshme, kur krahas çmimit të subvencionuar për secilin do të jetë edhe çmimi real”.
“Jemi në një kohë jashtëzakonisht të vështirë si rezultat i luftës që është rikthyer në Evropë pas shumë e shumë dekadash dhe shpresojmë të mos përhapet, por askush nuk e di se sa do të zgjasë. Lufta me bomba, me plumba, me vdekje, plagë, shkatërrime e shpërngulje nga shtëpitë zhvillohet në Ukrainë, por efektet e saj i ka pasur të menjëhershme kudo në Evropë dhe Botë me faturat, me çmimet që janë rritur në mënyrë të befasishme dhe që faktikisht kanë alarmuar tregjet e krijuar një lloj paniku në momentet e para, dhe kanë detyruar edhe qeveritë të reagojnë“, tha Kryeministri.
Rama nënvizoi faktin se “lufta ka ndikuar të gjitha çmimet, ndërkohë që kriza më e madhe hëpërhë mbetet një krizë tjetër, një krizë që ka nisur para luftës, natyrisht ka qenë pjesë e skenarit të luftës për të turbulluar tregun e energjisë, por kriza energjetike ka nisur përpara”.
“Ne e kemi paralajmëruar fillimin e një krize energjetike serioze disa muaj më parë, para se ajo të merrte formën e saj të plotë dhe kur unë dola e fola për të, pati reagime negative, që kjo është lojë, ndërkohë që ne kishim filluar të kuptonim krizën se po rriteshin çmimet e energjisë në tregun ku ne detyrohemi të dalim herë pas here për të blerë energjinë“, tha më tej Rama.
Ai tha se çmimet arritën nga 52 euro për megavat-orë, në 550 euro për megavat-orë që sigurisht afektojnë drejtpërdrejtë ekonominë tonë.
“Këtë energji që detyrohemi të dalim në treg për ta blerë, sepse jemi në të tretin vit rresht pa reshje të mjaftueshme, kur edhe në vitet me reshje të mjaftueshme përsëri kemi dalë në import, duhet ta paguajnë qytetarët dhe bizneset. Por si mundemi ne që gjithë këtë ngarkesë financiare ta transferojmë te faturat tuaja, te faturat e familjeve me të ardhura të ulëta e mesatare, pasi do të ishte e rëndë goditja në buxhetin e tyre?!”, u shpreh Rama.
Rama tha se qeveria vendosi të merrte përsipër mbulimin e pjesës së rritur të çmimit të energjisë.
“Duhet të financojmë nga buxheti i shtetit dhe kjo është vendimmarrja që kemi marrë para se të shkonin çmimet deri në këto nivele. Kemi marrë përsipër të paguajmë pjesën e rritur të çmimit të energjisë nga buxheti i shtetit. Dhe sot faktikisht kur vjen fatura në shtëpi ajo faturë vjen siç ishte me 7 lekë për kilovat për shtresat më në nevojë dhe 9.5 lekë për kilovat për familjarët dhe biznesin e vogël. Janë 726 mijë familje dhe 95 mijë biznese të vogla që po mbështeten. Këtë nuk po e bën asnjë qeveri tjetër as në rajon, as në botë. Të gjitha qeveritë kanë rritur çmimin e energjisë dhe të ngrohjes”, deklaroi Kryeministri Rama.
Fraksion.com