AktualitetBota+Të fundit

Javët e ardhshme, vendimtare për luftën në Ukrainë

Kjo nuk ishte lufta që Moska e priste.

Forcat ukrainase po rezistojnë më shumë sesa kishin parashikuar shumë analistë ushtarakë para se Rusia të niste pushtimin më 24 shkurt, teksa forcat ruse kanë pësuar humbje të mëdha dhe një sërë disfatash logjistike, që i ka detyruar të rigrupohen dhe të ndryshojnë taktikat, teksa përparimi i tyre në këtë shtet është ngadalësuar.

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës ka pretenduar se deri më tani ka vrarë mbi 12,000 trupa ruse, por natyra fluide dhe ndryshimet e shpejta në konflikt e bëjnë të vështirë që të ketë një tablo të qartë të asaj që po ndodh në terren dhe të asaj që mund të ndodhë në të ardhmen.

Disa vlerësime nga zyrtarët amerikanë thonë se numri i ushtarëve rusë të vrarë arrin deri në 6,000, edhe pse zyrtarët kanë theksuar se është e vështirë të dihet saktë dhe kanë vlerësuar se midis 2,000-4,000 mund të jetë numri i viktimave. Shifrat nga Moska, që nuk shihen si të besueshme nga ekspertët ushtarakë, janë publikuar më pak dhe deri më tani Rusia ka thënë se i janë vrarë 498 trupa.

Por, përderisa analistët thonë se është e qartë që forcat ukrainase kanë prishur planet origjinale të luftës së Kremlinit, forcat ruse ende janë në epërsi numerike dhe të pajisje ushtarake ndaj palës ukrainase dhe ato po vazhdojnë ofensivën e tyre.

Kjo e lë fatin e pushtimit ushtarak të Rusisë dhe rezistencës së Ukrainës në një fazë kyçe që mund të vendoset në javët e ardhshëm, bazuar në një mori faktorësh.

Për të kuptuar më shumë, Radio Evropa e Lirë ka biseduar me Gustav Gressel, ish-zyrtar i Mbrojtjes së Austrisë dhe ekspert ushtarak rus në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.

Radio Evropa e Lirë: Si duhet t’i kuptojnë njerëzit shifrat e viktimave që shpesh janë kontradiktore me ato që po shohim nga zyrtarët e SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë? Çfarë qëndron pas këtyre shifrave të ndryshme dhe si duhet t’i shohim dallimet që numrat e paraqitur? Po ashtu, a mund të na i shpjegoni disa prej vështirësive që paraqiten kur bëhet fjalë për gjurmimin e një konflikti në kohë reale, siç është rasti i tanishëm?

Gustav Gressel: Edhe nëse përpiqesh t’i shikosh objektivisht, nuk mundesh sepse nuk i shihni të gjitha viktimat nga të gjitha palët. Ukrainasit mund të kenë siguri për njerëzit që i kapin rob, për njerëzit që vrasin kur kryejnë një sulm, një kundërofensivë, ose kur ata marrin sërish kontrollin e një terreni, sepse mund t’i numërojnë trupat e viktimave. Por, sigurisht, kundërsulmet ukrainase janë një pjesë e vogël e kësaj lufte.

Pra, nëse tentoni që ta vlerësoni drejt këtë, praktikisht është e pamundur, dhe gjëja më e vështirë është të vlerësosh numrin e viktimave. Të numërosh se sa makina ushtarake janë shkatërruar është më e lehtë sepse e shihni se çfarë u keni bërë atyre, dhe pas një kohe, i shihni edhe në imazhet satelitore makina të shkatërruara në rrugë. Prandaj, burimet e inteligjencës perëndimore kanë arritur që ta verifikojnë këtë gjë dhe të japin një shifër për këtë.

Shifrat e prezantuara nga pala ruse janë propagandë. Rusia tenton ta fshehë luftën dhe praktikisht ata po ofrojnë shifra të rreme.

Patjetër, ata nuk mund të mohojnë në mënyrë kategorike se një lloj konflikti po ndodh sepse ka njerëz që janë të plagosur rëndë e po kthehen [në Rusi]. Prandaj, Rusia duhet të pranojë diçka, por pala ruse po pranon një numër të vogël [të viktimave] që definitivisht është nën shifrën reale.

Nëse shifrat e viktimave të prezantuara nga Rusia do të ishin reale, atëherë i bie që fantazmat po i vozisin të gjitha ato tanke. Kur një tank shkatërrohet brenda sekondave, nuk ka gjasa që ekipi që gjendet brenda të dalë jashtë dhe një tank rus ka tri anëtarë të ekuipazhit. Prandaj, mund të supozoni, të paktën duke u bazuar në ekuipazhin e këtyre makinave ushtarake, se ka një numër më të lartë të viktimave sesa [që Moska po prezanton].

Radio Evropa e Lirë: Por, ka shumë dallim në mes të shifrave që po shohim nga shumë palë. Çfarë tjetër mund ta shpjegojë një gjë të tillë?

Gustav Gressel: Këto janë supozime sepse askush nuk e di saktë numrin e viktimave.

Çdo palë në luftë – pavarësisht cilës luftë, dhe këtu përfshihet edhe Perëndimi në luftën në Afganistan dhe Irak – fryn shifrat e viktimave që ka shkaktuar te pala tjetër. Kjo është një gjë e lehtë, veçmas kur bëhet fjalë për zjarr indirekt. Po ashtu sepse shumë njerëz që ne mendojmë se janë vrarë në ndonjë aksion, realisht janë të plagosur dhe përderisa ata mbesin jashtë fushëbetejave, ata nuk janë të vdekur. Pra, shifrat e personave të vrarë në luftim të cilësdo palë në çdo luftë janë gjithmonë më të larta.

Sipas një vlerësimi, mund të thuhet se afërsisht dy e treta e asaj që ukrainasit pretendojnë se është shkatërruar është ajo që është shkatërruar me të vërtetë. Unë mendoj se ndoshta numërimi i makinave ushtarake [nga pala ukrainase] mund të jetë më i saktë sesa numri i njerëzve [të vrarë] sepse edhe kur keni makina të dëmtuara rëndë, mund të ndodhë që të shpëtojnë ushtarët. Prandaj, [shifra e përgjithshme e viktimave] mund të jetë paska e lartë, por numërimi i makinave ushtarake të shkatërruara nuk është shumë larg shifrës reale. Por sërish, pothuajse dy e treta e kësaj ka gjasa që nuk është fort larg shifrës reale.

Radio Evropa e Lirë: Duke pasur parasysh që shifra e viktimave nga pala ruse mund të jetë më e lartë, a shihni ndonjë ndryshim të strategjisë nga Moska?

Gustav Gressel: Putin po tenton që të fitojë më shumë mbështetje të brendshme [për luftën], por nëse situata nxehet mjaftueshëm [në Ukrainë], atij ndoshta do të duhet t’i përdorë [në shkallë të gjerë] rekrutët dhe rezervistët normalë dhe të përdorë formacione që do të gjeneronin shumë forca.

Prandaj mendoj se deri më 1 prill ata do të luajnë, duke pasur rekrutë të rinj që do të dërgohen në fushëbetejë dhe rekrutët e vjetër do të tërhiqen nga lufta. [Ushtria ruse] natyrisht se dëshiron që të shumë nga këta rekrutë që do t’i tërheqë nga fushëbeteja, t’i bindë që ata të nënshkruajnë kontrata të reja për të marrë pjesë sërish në këtë luftë.

Prandaj mendoj se nuk kemi asnjë zgjidhje të paqes dhe as negociata serioze nga pala ruse. Ata po presin për datën 1 prill, [kur ata mund të marrin] një rund të ri të forcave të reja dhe derisa këto njësi të reja nuk do të përdoren në fushëbetejë… nuk mendoj se Rusia do të bëjë ndonjë përpjekje serioze për të arritur paqe.

Radio Evropa e Lirë: Cili është vlerësimi juaj për taktikat ushtarake që ka përdorur Rusia deri më tani?

Gustav Gressel: Versioni i parë i blitzkrieg [luftës së shpejtë] i luftës ka dështuar. Kjo mund të thuhet. Praktikisht ky version kolapsoi në javën e parë të luftës dhe tani ata [rusët] po rigrupohen.

Tani [Rusia] do të luftojë në mënyrë më tradicionale, sipas mënyrës sovjetike të luftimit dhe jo të luftojë, siç kemi menduar ne, shpejt, të ketë një luftë të shpejt sepse shumë prej supozimeve të tyre, që kanë pasur deri më tani, kanë dështuar.

Ne po ashtu po shohim që ata po bëjnë shumë gjëra që kanë bërë në Siri apo në Donbas, por është në një shkallë më të ulët. Ata nuk mund të përsërisinn veprimet që kanë bërë në Siri në luftën në Ukrainë, e cila është një luftë më e madhe sesa operacionet ushtarake që kanë bërë deri më tani.

Problemi qëndron në atë se është e vështirë të ndryshohet taktikat sepse ata nuk kanë sjell shumë elemente organizuese që Ukrainë, prandaj atyre u duhet të ristrukturojnë dhe riorganizojnë forcat e tyre thellësisht, prandaj mendoj se ne do të shohim një pauzë në luftime.

Ky mosorganizim dhe problemet logjistike janë të thella sepse Rusia ka gjeneruar shumicën e kësaj force përmes grupeve taktike të batalioneve me ushtarë profesionalë, gjë që është mënyrë e mirë që një forcë të krijohet shpejt dhe të dislokohet shpejt. Por, për atë që kërkon një luftë e intensitetit të ulët, Rusia nuk ka qëndrueshmëri logjistike që të zhvillojë një luftë të shkallës së gjerë dhe përveç makinave të blinduara dhe këmbësorisë, Moska nuk ka shtyllën mbajtëse organizative për një luftë të tillë.

Radio Evropa e Lirë: A janë të afta forcat ruse që të rigrupohen dhe ndoshta ta rrethojnë Kievin e të arrijnë qëllimet e tyre kryesore ushtarake pavarësisht nëse përballen me pengesa të mëdha?

Gustav Gressel: Nëse Perëndimi arrin ta gjunjëzojë ekonominë ruse në një mënyrë që Putini nuk e ka pritur dhe nëse Perëndimi e furnizon Ukrainën me shumë armë që ta mbajë lart numrin e vrasjeve, siç është tani, pas kësaj mendoj se Rusia mund të fillojë të mendojë për strategji të daljes nga lufta dhe shoqëria ruse mund të mos e mbështesë luftën në mënyrë që Putini shpreson.

Sigurisht, nëse regjimi i sanksioneve humb fuqinë dhe Putini e sheh se Perëndimi ka prekur fundin [e mbështetjes], ai mund të punojë në këtë drejtim, dhe nëse rezistenca ukrainase zbehet për shkak të pakësimit të qytetarëve që luftojnë dhe municioneve, kjo mund t’i japë Rusisë dhe makinerisë ruse të luftës dhe propagandës së saj, hapësirë që të rritet dhe të ecë drejt një fitoreje të plotë.

Kjo është e vështirë të parashikohet. Ne jemi në një kohë shumë vendimtare dhe veprimet tona tani do të përcaktojnë kursin e luftës në javët në vazhdim dhe nëse Ukraina ka shans ose jo të vazhdojë të rezistojë.

Qëllimet e Rusisë janë ende të arritshme. Por, çmimi për këtë është më i lart sesa e kishte menduar Moska.

Në anën tjetër, ka ende gjasa që ukrainasit ta parandalojnë një gjë të tillë. Ende nuk është vendosur për betejën për Kievin. Qytetet e tjera po ashtu po rezistojnë. Lufta varet shumë nga morali lokal, nga aftësitë lokale dhe nga iniciativat e komandantëve lokalë.

Zyrtarët ukrainas dhe rezistenca e organizuar nga ushtria ukrainase kanë qenë profesionalë dhe të organizuar mirë, përtej pritshmërie tona. Nëse kjo vazhdon… ukrainasit e kanë një gjysmë shansi që të shkaktojnë dëme të mëtejme dhe t’ia mohojnë fitoren rusëve. Megjithatë, ata nuk kanë shumë shanse që ta zmbrapsin Rusinë dhe ta shtyjnë atë përtej kufijve [të Ukrainës].

Fatkeqësisht, kjo është përtej kapaciteteve të tyre, por ata janë ende në gjendje që t’ia mohojnë fitoren Rusisë./REL

 

Fraksion.com