AktualitetNATO/BETë fundit

Borrelli: S’ka datë për eurointegrimet, por ka vullnet për këtë

Borrelli u shpreh në favor të fillimit sa më parë të negociimit formal për përfshirjen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Ai lëvdoi qëndrimin e RMV në konfliktin aktual.  

Përfaqësuesi i Lartë i BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Josep Borrell gjatë qëndrimit në Shkup ka thënë se nuk mund të premtojë se Maqedonia e Veriut në qershor do të fillojë bisedimet e pranimit në BE. Ai ka përsëritur se Brukseli po bën gjithçka që është e mundur që në konferencën e ardhshme ndërqeveritare të fillojnë negociatat.

Ky është momenti i zgjimit për Evropën, momenti kur duhet të jetësohet procesi i zgjerimit me vendet nga Ballkani Perëndimor, tha Borrell. Ai shtoi se „duhet të fillojmë negociimin formal për përfshirjen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë sa më parë dhe shpresoj se kjo do të jetë e mundur në konferencën e ardhshme ndërqeveritare”.

“RMV është në familjen evropiane. Premtim? Nuk mund të premtoj. Por unë mund t’ju siguroj se ne po bëjmë gjithçka që mundemi që bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë të fillojnë në konferencën e ardhshme ndërqeveritare, sepse ky është një prioritet për KE dhe për mua”,  tha Borrelli në konferencën e përbashkët me kryeministrin e RMV-së Dimitar Kovaçevski.

Borrelli theksoi se Maqedonia e Veriut dhe i tërë rajoni janë prioritet strategjik dhe BE është i përkushtuar ta bëjë realitet perspektivën evropiane të këtyre vendeve.

Zgjidhja e çështjeve bilaterale lehtëson rrugën drejt BE

Borreli e përshëndeti impulsin e ri mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke nënvizuar se i nxit të dyja palët të gjejnë zgjidhje të ndërsjellta të pranueshme dhe t’i zgjidhin çështjet bilaterale, sepse zgjerimi nuk mund të vazhdojë nëse pengohet nga çështjet bilaterale.

“I inkurajoj të dyja palët që të zgjidhin çështjet bilaterale, sepse procesi i zgjerimit nuk mund ta vazhdojë pa zgjidhjen e çështjeve bilaterale. Të gjithë aktorët duhet të punojnë në zbatimin e reformave, për përmbushjen e agjendës evropiane”, ka thënë Borrelli.

Kryeministri i RMV, Dimitar Kovaçevski ka thënë se nuk mund të flasë me data, por se siç u shpreh ai, zgjidhja duhet të jetë në frymën e vlerave evropiane dhe për këtë zgjidhje të jenë të pajtimit të dy vendet.

“Bisedova me Borrellin për këto tema dhe morëm siguri se këto bisedime do t‘i përcjellë në BE”, u shpreh Kovaçevski.

BE po përgatit pakon e katër të masave kundër Rusisë 

Borrelli e përshëndeti pozicionin e Maqedonisë së Veriut lidhur me kontestin ruso-ukrainas, duke qëndruar prapa sanksioneve dhe duke e dënuar agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.

“Lufta e Putinit nuk është vetëm luftë me Ukrainën, por bëhet fjalë për siguri në gjithë kontinentin evropian. Ne duhet të flasim me anëtarët e ardhshëm të BE-së, të falënderojmë për qëndrimin e fortë dhe mbështetjen e fortë kundër luftës në Ukrainë”, tha Borrelli.

Zyrtari i lartë i BE gjithashtu njoftoi se janë në përfundim e sipër të miratimit të pakos së katërt të masave kundër Rusisë./DW

 

Fraksion.com