Balluku: Kompensojmë çmimin e energjisë, çmimi i biletës nuk ndryshon
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se qeveria po kompenson rritjen e çmimit të energjisë për familjarët, biznesin e vogël, ndërsa bileta për transportin publik në vendin tonë nuk do të ndryshojë.
Gjatë një bashkëbisedimi me pensionistë për Paketën e Rezistencës Sociale, indeksimin e pensioneve dhe kompensimin e rritjes së çmimeve të shportës, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, Balluku u shpreh se “qeveria po kompenson çmimin e energjisë elektrike që në momentet e para kur u shfaq kriza energjetike globale dhe jo tani kur nisi lufta në Ukrainë”.
Ministrja solli edhe shembuj konkretë se sa kompensohen faturat për familjarët, të cilët vijojnë të paguajnë të njëjtin çmim të energjisë me vetëm 9.5 kilovat-orë.
“Kjo është një faturë me konsum të ulët, ku abonenti familjar ka shpenzuar 261 kilovat. Me TVSH kjo faturë shkon 3588 lekë. Nëse kjo faturë do të ishte në treg të lirë me atë çmim që ne e blejmë energjinë, sepse ne e faturojmë me 9.5 lekë për kilovat, fatura do të ishte 13564 lekë. Diferenca midis asaj që keni paguar dhe asaj që ka paguar shteti është 9975 lekë. Një tjetër faturë me konsum të lartë, ku konsumi 1125 kilovat. Fatura tek abonenti është 12925 lekë. Nëse kjo faturë do të kishte të aplikuar çmimin me të cilin ne e blejmë energjinë, kjo faturë do të ishte 49000 lekë, diferenca 36 944 lekë. Fatura e tretë me konsum mesatar, 522 kilovat kushton sot për qytetarin 6 000 lekë, në rast se do të aplikonim çmimin e tregut arrin 23 mijë lekë dhe diferenca e paguar nga shteti 17000 lekë“, u shpreh Balluku.
Sipas ministres, të tri këto fatura tregojnë se sa kompensohet çdo faturë e energjisë elektrike.
“Kjo, jo tani që nisi lufta. Ne kemi vendosur ta bëjmë këtë prej vitesh. Çmimi 9.5 lekë për kilovat për abonentët familjarë dhe 14 lekë për kilovat për bizneset e vogla dhe një çmim që kemi vendosur ta ngrijmë për momentin për bizneset e mëdha që furnizohen me tensionin e mesëm, kanë prej kohësh që janë kthyer në mburojë sociale që ofrohet nga qeveria Rama”, deklaroi ministrja.
Sipas saj, një vit më parë energjia blihej me 52 euro, ndërsa sot me 550 euro, pra 10-fish.
Ministrja po ashtu shpjegoi se pjesë e Paketës së Rezistencës Sociale është edhe subvencioni që po u bëhet kompanive të transportit urban për çmimin e biletës.
“Në Paketën e Rezistencës kemi vendosur të kompensojmë ndërmarrjet dhe kompanitë që ofrojnë transportin urban dhe ndërqytetës me 100 lekë për litër, duke kompensuar nevojën që ata kanë. Biletat do të mbajnë të njëjtin nivel dhe nuk do të lejomë kompanitë të aplikojnë rritje”, tha ajo.
Fraksion.com