AktualitetPolitikëTë fundit

Kryetarët e degëve të PD-së nuk ‘lëshojnë’ Bashën; Të na bashkojë të djathtën, pastaj…

Kryetarët e degëve të Partisë Demokratike, në mbledhjen që po zhvillohet këtë të diel në selinë blu, kanë shprehur mbështetje për kryedemokratin Lulzim Basha, teksa theksin e kanë vënë te nevoja për të bashkuar demokratët.

Pëllumb Seferi, kryetar i degës 8 në Tiranë, gjatë mbledhjes ka thënë se s’duhet të nxitojmë me zgjidhje emocionale dhe për interesa personale, por të punojmë për bashkim dhe ka hedhur idenë e krijimit të një grupi negocimi me foltoren e Sali Berishës. Sipas tij zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit ishin plan i presidentit Ilir Meta dhe Sali Berishës për të goditur Bashën.

“Anëtarët e degës 8 kanë shprehur mbështetje për kryetarin Basha. 6 marsi u organizuar nga Berisha e Meta për të goditur Lulzim Bashën. Pati dhe mbështetjen e Ramës, atij i intereson një person i izoluar nga Perëndimi. Arsyeja ishte vendimi për ta pezulluar Sali Berishën nga grupi. Berisha nuk e ka luftën me PD-në, por me Amerikën dhe përdor emrin e Bashës për të mbrojtur veten. Duhet të qëndrojmë dhe jo të bëjmë zgjidhje emocionale. Zgjidhjet të vijnë prej nesh, ne kemi organe legjitime”.

Seferi u ka kërkuar deputetëve demokrat të jenë të kujdesshëm, pasi nëse kërkojnë dorëheqjen e Bashës, duhet të venë dhe mandatin e tyre në tavolinë.

Asnjë nuk e ka fituar vetë mandatin, jemi dhe ne aksioner të mandateve të tyre. Të bashkohemi për të ngritur grupe pune nga të dy palët. Për këtë duhet të ketë vullnet nga të dy palët. Duhen njerëz me integritet. Të merren opsionet e të dy krahëve, ish-drejtuesve të partisë, anëtarësisë e të gjendet zgjidhje. Por aty duhet të prevalojë qasja jonë euroatlantike, pra nuk ka kthim pas nga vendimi i 9 shtatorit”.

Sipas kryetarit të degës 7 në Tiranë Lefter Gështenja, ka dy rrugë për bashkimin e partisë më të madhe opozitare: “një hap pas të dy Basha dhe Berisha, qetësohet situata dhe të ketë një armëpushim.

Dhe pastaj një platformë për të çuar në zgjidhje. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje. Kemi një problem dhe duhet të gjejmë zgjidhje. Të gjithë bashkë të ringremë PD-në dhe të ecim para. Duhet të bashkohemi”.

Kryetari i degës së PD-së në Kuçovë, Ilir Koçia është i mendimit se duhet gjetur fillimisht zgjidhej për bashkimin e partisë e më pas të diskutohet për largimin ose jo i Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë:

“Nuk i kuptoj ata që kërkojnë të ikë nga PD-jë në këtë moment kaq të veshtire për PD-në, pa ofruar asnjë zgjidhje. E kuptoj se askush në PD, grup parlamentar nuk e çon nëpër mend që të vijë Berisha, por si do ta bashkojmë partinë. Kjo është pyetja sot. Si të ikë Lulzim Basha dhe ta lërë PD-në në ciklonin e përplasjeve me Sali Berishën, nuk jam dakord! Ne na duhet zgjidhja. Kryetari e ka bërë të qartë se është i gatshëm për çfarëdo lloj zgjidhjeje. Ne duhet të ngremë komision me dy grupet dhe persona që nuk janë as me ne, as me ata”.

Sipas tij, ka njerëz që kanë qenë në mes të dy palëve, ka njerëz që mund të ndihmojnë në këtë moment për të gjetur zgjidhje, por “mjafton mos të jenë njerëz që bëjnë pazar me Ramën”, shton Koçia.

Ndërsa kreu i degës Fier, Agron Kapllanaj në mbledhje ka hedhur idenë e krijimit të një komisioni të përbashkët për të bashkuar demokratët.

Nëse foltorja nuk pranon, komisioni drejton PD-në deri në zgjedhje, është shprehur ai.

“Vendimi i 9 shtatorit për Berishën nuk ndryshon. Ne duhet të gjejmë një mekanizëm për t’u bashkuar. Propozimet që ne bëjmë me ju i diskutojmë, por keni parë që nga ana tjetër të thotë dikush këto që po ju kërkojmë ne ju? Jo nuk ka, se kanë frike të flasin kundër Sali Berishës. Vendimi i 9 shtatorit për Sali Berishën nuk mund të ndryshojë”.

Sipas Kapllanajt, rruga më e thjeshtë është të hapet gara në PD, por kjo do ta dëmtonte më shumë të djathtën:

Të lëmë datën e zgjedhjeve dhe të hyjmë në zgjedhje. A na bën mirë kjo? Mendoj se jo. A i bashkon demokratët? Jo, ndoshta do i dëmtoje më shumë, do çahet më shumë. Mund të ngremë një komision me 10 veta, dhe ne bëjmë një veprim për të bashkuar demokratët 5 anëtarë nga PD dhe i lëmë afat foltores të sjellë 5 vetat e vet. Natyrisht pa Berishën dhe Bashën. Nëse nuk vijnë, kjo strukturë të drejtojë PD-në për një periudhë kohe deri në procesin e ardhshëm zgjedhor”.

Sekretari i degës së PD-së në Vlorë, Gjergji Nika thotë se dorëheqja e Luzlim Bashës do ta çonte të djathtën një hap pas:

Asgjë nuk ndodhi nga 25 prilli në 6 mars, kishim vetëm një barrë të brendshme. Ne jemi ndarë në 3 fraksione: ne, ata të Berishës dhe pjesa e heshtur. Ne duhet te fokusohemi njëherë te kjo pjesa e heshtur, pastaj te bashkimi me foltoren. Nuk jam dakord për dorëheqjen tuaj (i thotë Bashës), Partia nuk është gati për zgjedhje. Zgjidhja duhet të vinte nga ju në formë kompromisi, por duke mos bërë një hap pas. Nuk mund të kthehemi pas”.

Kompromis, por pa dorëheqjen e Bashës, thekson Nika.

Kryetari i PD Librazhd, Bujar Vreto propozon krijimin e një platforme përbashkuese, “duke u distancuar nga hajdutët e periudhes 2005-2013”. Mblidhni Këshillin Kombëtar, ndoshta edhe kuvendin në prill, por nuk e gjykoj të arsyeshme dorëheqjen në këtë moment. Ne na duhet zgjidhje, jo thellim i krizës”.

Kryetari i PD Kukës, Arif Rexhmata mendon se dorëheqja, nëse ndodh, duhet të jetë vendim i vetë Bashës:

Gjithë grupet përfituese të pushtetit janë bashkuar, duke shpifur për ju kryetar (Bashës), duke ju ngarkuar një barrë që se keni. Ne i njohim të gjithë. Ne nuk kemi punë me dorëheqjen tuaj, ajo është zgjidhja juaj. Mendoj se zgjidhje mund të jetë duke mbledhur forumet, ndoshta duke pranuar dhe fraksionet”.

Arjan Lika, kryetari i PD Mat, siç raportohet nga brenda mbledhjen i ka thënë Bashës që as mos ta çojë në mendje dorëheqjen. “Kjo është gjëja më e thjeshtë, por nuk është zgjidhja. Nuk vjen në pushtet një PD me Sali Berishën. Duhet te zbresësh në terren, të takosh demokratët, qytetarët”, ka thënë ai.

Naim Gazidede, kryetari i PD Dibër është i mendimit se ish-lideri demokrat Sali Berisha, nuk vë asgjë para vetes.

Berisha e ka shprehur se para dinjitetit të tij nuk pyet për asgjë, pra as për PD-në. Ai do ta shkatërrojë PD-në, i ka hyrë kësaj rruge. Nuk mund të marrin vendim disa deputetë pa na pyetur ne. Me kë u konsultuan? Ata nuk njohin asnjë demokrat. Për mua zgjidhja është: duhet të vazhdojmë punën”.

Ferit Ringaj, kryetari i PD Pukë shprehet se situata është problematike në bazë. Fronti që keni hapur, i është drejtuar ai Bashës, është shume i gjerë.

Trekëndeshi i Bermudës është shumë i fortë. Kanë kapital financiar që të mposht në çdo aspekt. Si mund te gjejmë zgjidhje? Mbase të ngremë një grup negociator, me njerëz të urtë, në funksion të bashkimit”.

Luan Hoti, kryetar i degës demokratike në Durrës thotë se problemi është se demokratët që janë përçarë:
“Zgjidhjet nuk vijnë tani se jemi të irrituar. Nuk ka zgjidhje me ik ti e hajde ti. Të reflektojmë, të qetësohemi”

Hoti, që kandidoi në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit në bashkinë e Durrësit thotë se Basha bëri një fushatë të mirë por “problemi është përçarja e demokratëve”.

Vetë kryedemokrati Lulzim Basha është shprehur se është i gatshëm për të gjetur zgjidhjen për të dalë nga kriza ku ndodhet Partia Demokratike aktualisht, por nuk përmend mundësinë e dorëheqjes.

Duhet të tregojmë mençuri të bashkojmë PD-në, që të arrijmë sukses elektoral, ka thënë Basha, duke theksuar se nuk do të merret me një ‘non grata’ (Sali Berishën).

Këtu nuk ndodhemi prej gabimeve por për shkak të vendimit të 9 shtatorit. Grupi i qëndroi vendimit të 9 shtatorit. E kuptojmë se nuk kemi shans me një ‘non grata’. Ajo që na vlen sot është një diskutim me përgjegjësi i kolegjit të kryetarëve pasi ky kolegj mban peshën më të madhe. Sfida është si t’i bëjmë bashkë këto 3 pjesë. 9 shtatorin nuk e zhbëjnë dot nëse nuk duam të zhbëjnë PD-në. Duhet të tregojmë mençuri të bashkojmë PD-në, që të arrijmë sukses elektoral.

Ndërkohë, në mbledhjen e të shtunës në selinë blu, për herë të parë Lulzim Basha ka pranuar idenë e dorëheqjes, por me kushtin që asgjë të mos lëvizë nga vendimmarrja e 9 shtatorit. Një  pjesë e mirë e drejtuesve janë të të njëjtit mendim.

Por, kritikët e rinj të Bashës, ata të pas 6 marsit , kanë ndryshuar mendim. Megjithëse nuk e thonë hapur, për ta rëndësi ka te ikë Basha së pari.

Ajo qe te dyja palët nuk pranojnë është se kjo përplasje e re, nuk është aq për largimin e kryetarit të Partisë Demokratike, sesa për rezistencën e asaj pjese të partisë që nuk do që Sali Berisha të rikthehet. Dhe ndërsa ketë rikthim pala tjetër e vë si kusht, kushti i Lulzim Bashës është  krejt i kundërti.

Por, Lulzim Basha  është i bindur se duke fituar kohë, gjendja do të qetësohet.

 

Fraksion.com