Gazetari amerikan Brent Renaud u vra ndërsa mbulonte luftën në Ukrainë
Gazetari amerikan, Brent Renaud, fitues i disa çmimeve, u vra nga forcat ruse në qytetin ukrainas të Irpin, tha policia në Kiev në një postim në mediat sociale të dielën. Një tjetër gazetar amerikan u raportua i plagosur.
Në një postim në Twitter, policia e Kievit e identifikoi të vdekurin si Renaud, i cili ishte 50 vjeç. Policia postoi një foto të trupit dhe pasaportën e tij amerikane si provë, si dhe një foto të një distinktivi të vjetëruar të shtypit të New York Times me emrin e Renaud.
Shefi i policisë së rajonit të Kievit Andriy Nebitov tha në një postim në Facebook se forcat ruse qëlluan Renaud, duke shtuar se “okupatorët vrasin në mënyrë cinike edhe gazetarë të mediave ndërkombëtare, të cilët janë përpjekur të tregojnë të vërtetën për mizoritë e ushtrisë ruse në Ukrainë”.
“Natyrisht, gazetaria mbart rreziqe, por Brent Renaud e pagoi me jetën e tij për një përpjekje për të hedhur dritë se sa i fshehtë, mizor dhe i pamëshirshëm është agresori”, shtoi Nebitov.
Nebitov tha se dy gazetarë të tjerë u plagosën, duke shtuar se “të plagosurit tashmë janë shpëtuar dhe janë dërguar në një spital në kryeqytet. Në çfarë gjendje janë ata nuk dihet për momentin”.
Një nga gazetarët e plagosur besohet të jetë fotografi kolumbiano-amerikan Juan Arredondo, i cili ndodhet në spital, sipas videove të mediave sociale dhe raporteve të mediave ndërkombëtare.
Sipas asaj që shkruan CNN, pikërisht nga spitali Juan Arredondo thotë se është qëlluar nga forcat ruse ndërsa po udhëtonte përmes një postblloku në Irpin, ku kishte shkuar për të filmuar refugjatët që largoheshin nga qyteti.
“Ishim dy prej nesh, shoku im Brent Renaud. Dhe ai u qëllua dhe u la pas,” tha Arredondo në video, duke shtuar se Renaud u qëllua në qafë. “Ne u ndamë dhe unë u tërhoqa me barelë …një ambulancë, nuk e di.”
Këshilltari i Ministrit të Brendshëm të Ukrainës, Anton Gerashchenko, tha në një deklaratë në Telegram se Renaud “i pagoi me jetë përpjekjet për të ekspozuar tinëzarinë, mizorinë dhe pamëshirshmërinë e agresorit”.
CNN thotë se nuk ka qenë në gjendje të verifikojë se për cilën media punonin gazetarët amerikanë në Ukrainë.
Fraksion.com