Zëri i Amerikës: Shqiptarët protestojnë familjarisht për shtrenjtimin e ushqimeve dhe karburantit
Mijëra qytetarë nga gjithë Shqipëria protestuan sot në kryeqytet kundër rritjes së çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve, duke fajësuar qeverinë për nënvlerësim të mbikëqyrjes së tregjeve.
Protesta vazhdoi sot në të katërtën ditë që kur qeveria deklaroi se tregjet u goditën nga efektet e luftës në Ukrainë dhe se nuk mund të ndërhynte në luhatjet e tregut, ku çmimet e karbranteve u rritën me afro 40 për qind brenda pak kohe.
Qytetarët u mblodhën edhe sot në përgjigje të njoftimeve përmes rrjeteve sociale, ndërsa folësit kryesorë theksuan se protesta nuk po përdorej për ndikime politike në shërbim të ndonjë partie politike.
Tubimi nisi në sheshin Skënderbej dhe u zhvendos përgjatë shëtitores Dëshmorët e Kombit para kryeministrisë, ku mikrofonin e morën pa asnjë kufizim shumë veprimtarë dhe qytetarëve nga zona dhe grupime të ndryshme interesi.
Shumë prej tyre kishin dalë familjarisht edhe me fëmijët e tyre, ndërsa fjalimet theksonin shtrenjtimet e lëndëve bazë të jetesës, ushqime dhe karburante, që kanë sjellë një rritje zinxhir të çmimeve.
Në të njëjtën kohë me protestën qeveria ishte në një mbledhje ku miratoi Aktin Normativ, përmes të cilit vendos një normë dhe monitoron çmimet e shitjes së nënprodukteve të naftës për konsumatorët.
Akti Normativ ligjëroi mbledhjen e parë të Bordit të Transparancës për kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë e pakicë të naftës dhe gazit.
Qeveria bëri të ditur vendimin se në tre ditët e ardhshme gazoili dhe benzina do të shiten 217 lekë/litri, ndërsa gazi do të jetë 93 lekë/litri.
Vendimi i Bordit të Transparëncës është detyrueshëm për zbatim për çdo shitës me shumicë dhe pakicë të këtyre produkteve, përndryshe do të zbatohen ndëshkimet e parashikuara.
Krahas protestave në kryeqytet, Shqipëria është përfshirë prej katër ditësh nga një seri protestash në pothuaj gjithë qytetet më të mëdha si dhe në komunitete më të vogla, ku çmimet e rritura cënuan drejtpërdrejt ekonominë familjare për çdo product të shportës bazë ushqimore.
Fraksion.com