AktualitetPolitikëTë fundit

Salianji: Nuk kam frikë! Nuk ka pasur kërcënim, por tension me Bashën

Mbledhja e grupit parlamentar të PD ka përfunduar pas 6 orësh.

Ervin Salianji ka folur para mediave duke thënë: “Njerëz të paftuar hynë në mbledhje. Nuk kam ardhur këtu për të bërë tifozeri. Unë nuk intimidohem, as nuk kërcënohem, as nuk kam frikë. Nuk ka pasur kërcënim, por tension si në çdo mbledhje me zotin Basha. Dorëheqje e Lulzim Bashës nga kryetar partie.”

Në mbledhje, deputeti Ervin Salianji ka kërkuar dorëheqjen e Lulzim Bashës nga posti i partisë, duke sugjeruar ngritjen e një komisioni brenda dy javësh që ka mandatin për të negociuar me “Foltoren”. Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar, Salianji theksoi se interesi politik është që Lulzim Basha të jetë kryetar i PD-së, pasi sipas tij, kush qëndroi pas betejës së 9-të shtatorit, me kostot e veta, bëri një luftë parimore.

“I qëndrojmë të njëjtit vendim të 9 shtatorit. Interesi unë është që të kishte sukses. Ka patur probleme të besueshmërisë tek ju. Nuk mendoj se ka fituar Berisha dhe Foltorja, por kemi humbur ne. Edhe ajo pjesë e atyre që kanë votuar për Foltoren votuan kundër jush. Ka qenë një sentiment i një pjese të demokratëve ndaj jush. Shqetësimi kryesor është mbrojtja e kujtdo që na ka mbështetur, në struktura ose jo. Ne duhet të japim mesazhin që nuk i kemi lëshuar ata. Se po krijohet ideja se po vijnë me revansh njerëz që nuk janë fare në këtë parti”, tha ai.

Sipas tij, sot duket të ketë një akt për t’i hapur rrugë zgjidhjes. Ai shtoi se Basha duhet të japë dorëheqjen, pasi vetëm ajo është pjesë e zgjidhjes.

“Duhet dorëheqje e qartë, një dorëheqje si pjesë e zgjidhjes, fillim i zgjidhjes dhe ju qëndroni në detyrë derisa të ngrihet një grup, proces që të zgjasë jo më shumë se dy javë. Të ketë mandatin që të negociojë me foltoren. Të krijojë kushtet e bashkimit dhe të gares që vjen pas dorëheqjes suaj”, tha Salianji.

 

Fraksion.com