Qeveria ul çmimin e naftës nga 223 lekë në 217 lekë në ditën e 4-t të protestës
Qytetarët shqiptarë, të shumtë në numër, u mblodhën edhe këtë të shtunë para Kryeministrisë në ditën e katërt të protestës me disa kërkesa të qarta për kreun e Qeverisë, duke i kërkuar këtij të fundit të marrë masat e nevojshme për të ulur çmimin e karburantit dhe produkteve bazë të shportës.
Në protestën e sotme, protestuesit kërkuan nga Qeveria marrjen e masave të menjëhershme për stabilizimin e çmimeve dhe shmangien e abuzimeve në treg. Një kërkesë tjetër e tyre ishte lirimi i disa protestuesve të ndaluar gjatë tre ditëve të mëparshme.
Ndërkohë protesta ka patur edhe në rrethe, ku në Lezhë protestuesit bllokuan për disa minuta autostradën Lezhë-Laç, ndërsa në Klos të rrethit të Matit u bllokua rruga nacionale. Po ashtu, qytetarët protestuan edhe në Pogradec e Berat.
Ndonëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se sot ka nisur puna e bordit të kontrollit të furnizuesve të naftës dhe Qeveria është mbledhur për te miratuar paktën anti-krizë, qytetarët janë mbledhur sërish.
Protestës së qytetarëve kundër rritjes së çmimeve, që janë mbledhur para kryeministrisë, i janë bashkuar edhe personat me aftësi të kufizuara.
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur protestuesve që janë mbledhur para kryeministrisë, duke ngritur zërin për rritjen e çmimeve të produkteve të shportës dhe çmimit të naftës. Në Facebook, teksa i përgjigjet komentuesve, Rama thotë se nuk ka pritur që ‘një pakicë e çartur të ulërijë e shajë’ që ai të vepronte. Kryeministri thekson se sot do të jenë gati skenarët për përballimin e pasojave të luftës në Ukrainë.
Në protestën kundër rritjes së çmimeve, ka qenë e pranishme edhe nënë Liza. Ajo thotë se pasi kjo qeveri e ka lënë pa shtëpi, kërkon që t’i lënë pa bukë.
“Unë jam Nënë Liza, më ka derdhur djersën e fëmijëve, na shembën shtëpitë, tani duan të na lënë pa bukë, shtëpitë e veta i kanë blinduar, ndërsa ne na i kanë shkatërruar“, tha nënë Liza.
Aktori i njohur Florian Binaj u ka bërë thirrje figurave publike që të bashkohen në protestën kundër rritjes së çmimeve. Teksa shprehu falenderim për të gjithë pjesëmarrësit në protestë, ai tha se ata përfaqësojnë jo vetëm familjet e tyre, por të gjithë ata që nuk mundën të ishin sot aty. Protestës i janë bashkuar edhe aktori Irgen Çela dhe më herët gazetari Marin Mema.
Aktori Gent Kame iu bashkua protestës së qytetarëve sot para kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve.
“Shqipëria po humb njerëzit e saj, shqiptarët po humbin identitetin e tyre. Shtrenjtimi i jetës është rrjedhojë, problemi është keqqeverisja. Ne duam frymë të re. I bëj thirrje vëllezërve dhe motrave të policisë, qeveritë shkojnë dhe vijnë, por mos tradhtoni popullin tuaj, lironi ata djem“, tha ai.
Një detaj i rëndësishëm i kësaj proteste para Kryeministrisë ishte edhe fakti i kundërshtimit të një fjalimi të një qytetari që arriti të hipë në podiumin e improvizuar, duke deklaruar se vetëm opozita do t’i dalë zot këtij populli. Por, menjëherë pas deklaratës së tij, protestuesit filluan të thërrasin “poshtë politika” dhe se nuk kishin mbushur sheshet për asnjë kryetar, por për fatin e tyre.
“Kjo është Shqipëria e shqiptarëve, sepse ne i kemi rrafshuar bindjet politike. Të marrim në dorë fatet tona”, tha njëri prej protestuesve.
Revolta e qytetarëve erdhi pas mëngjesit të 7 marsit, atëherë kur çmimet e produkteve të ndryshme, në supermarkete, apo shërbime të tjera, si transporti rrugor, pësuan një rritje drastike.
Çmimi i naftës, brenda 24 orëve, u kushtoi atyre 30-35 lekë më shumë se një ditë më parë.
Nga ana tjetër, aktivistët, nëpërmjet kanaleve online, iniciuan grumbullimet e para.
Kështu pasditja e së mërkurës i gjeti qytetarët poshtë derës së “drejtuesit të qeverisë”, si për t’i kërkuar “llogari” për çdo qindarkë të shpenzuar më tepër.
Manifestimet u shtrinë në akset kryesore të Tiranës, duke i “paralizuar” ato. Të nesërmen, strukturat policore, në bazë të provave të grumbulluara, kryen arrestime për vepra të ndryshme penale.
Një gjë tjetër ndodhi të enjten pasdite, e cila ofroi dy këndvështrime të ngjarjes.
Atë të qytetarëve që shprehnin kundërshtinë e tyre poshtë zyrës së kryeministrit dhe, atë të Ramës, i cili në një dalje të paralajmëruar, po zhvillonte një bashkëbisedim online me ndjekësit e tij në Facebook.
Shpesh, gjatë bisedës, qartazi dëgjoheshin edhe brohoritjet e protestuesve, të cilët interferonin në live-video. Kryeministri bëri me dije se kabineti qeveritar brenda 48 orëve do të shpallte një plan konkret.
Ai vuri theksin, veçanërisht, tek bashkimi, e vërteta dhe faktet e problemit.
Me një ton të butë, duke i rikthyer qytetarëve në ditën e tërmetit dhe pandemisë, theksoi se “ashtu siç i dolëm në mbrojtje familjeve të këtij vendi, ashtu do t’i dalim sërish në mbrojtje familjeve të këtij vendi në këtë situatë krize”.
Pa u mbushur as 24 orë, qeveria në një tryezë mblodhi të gjithë furnizuesit e naftës, duke u bërë me dije se do të ngrihet një bord mbikëqyrës pikërisht për ta.
Kjo me qëllimin e vetëm, të mos ketë më çmime abuzive që u rëndojnë xhepave të qytetarëve.
Rama këtë herë, me tone më të ashpra, premtoi se furnizuesit e naftës do t’i hiqej licenca nëse ky i fundit do të shkelë marzhin e përcaktuar të fitimit.
Por edhe kjo nuk e ndali zemëratën e qytetarëve.
Në po të njëjtën orë, ata u grumbulluan përballë Kryeministrisë, ndërsa bënë thirrje se të shtunën e 12 marsit, do të vazhdojnë me kauzën e tyre.
Ndryshe nga ato të mëparshmet, ku qytetarët manifestuan veçmas, në qytete të ndryshme, sot, “Shqipëria” do të mblidhet në sheshin e kryeqytetit.
Fraksion.com