AktualitetTë fundit

“Boll na vodhët!” “Atdheu nuk privatizohet”; Shqiptarët ngrihen masivisht në protestë kundër rritjes së çmimeve te Kryeministria

Shqiptarët janë ngritur sërish në protestë, në shenjë kundërshtie për rritjen e çmimeve. Ashtu siç u njoftua dhe në rrjetet sociale, tubimi në kryeqytet nisi në orën 11:00, ku qytetarët si fillim u mblodhën në sheshin Skenderbej dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.

Kjo është protesta e 4 kombëtare, teksa pritet që qytetarë nga i gjithë vendi të marrin pjesë. Prej të mërkurës qytetarët kanë dalë në protesta nga Veriu në Jug, për rritjen e çmimit të karburantit, por edhe rritjes së çmimit të të gjitha produkteve ushqimore dhe taksave.

Prej më shumë se 3 orësh, qytetarët vijojnë me protestën kundër rritjes së çmimeve. Ajo nisi në orën 11:00 në sheshin ‘Skëndërbej’, për të kulmuar më pas përpara Kryeministrisë. Aty janë mbajtur fjalime të ndryshme nga qytetarët, teksa protestuesit mbanin pankarta të ndryshme si “boll na vodhët”, “na u mbush kupa”, etje. Më pas, ato vijuan sërish marshimin drejt Drejtorisë së Policisë në rrugën “Myslym Shyri”, duke bërë thirrje për lirimin e protestuesve të arrestuar. Në protestë janë angazhuar rreth 800 forca policie.

Megjithatë, në një kohë kur qytetarët protestonin, kryeministri Edi Rama pati një reagim, ku tha se nuk ka pasur nevojë për një “pakicë të çartur”, që të vepronte, por ka nisur nga marrja e masave, duke thënë se sot do të bëhet gati plani anti-krizë. Ndërkohë, në një mbledhje tjetër që zhvillohej paralelisht me mbledhjes, Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburanteve, vendosi që deri në 15 mars, çmimi i naftës do të jetë 217 lekë, më pas do të shihet tregu dhe do të merret një tjetër vendim.

Ndërkohë protesta ka patur edhe në rrethe, ku në Lezhë protestuesit bllokuan për disa minuta autostradën Lezhë-Laç, pranë kryqëzimit të Shënkollit. Po ashtu qytetarët u ngritën sot edhe në Pogradec e Berat. Ndërkohë që çmimi i naftës në vend është shumë i lartë, kuksianët duket se e kanë gjetur zgjidhjen duke u furnizuar në Kosovë. Ata thonë se kalojnë kufirin dhe mbushin makinat me naftë pasi çmimet në Kosovë, janë më të lira.

 

Fraksion.com