AktualitetEkonomiPolitikë

Balluku-furnizuesve: Të keni rezervë nafte për 90 ditë shitje, nesër nisin kontrollet

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se  “nga nesër nis kontrolli në terren ndaj furnizuesve të karburantit për gjendjen e rezervës së sigurisë së naftës që duhet të kenë, si detyrim ligjor ky i parashikuar në rastet e krizës”.

Gjatë takimit që u zhvillua sot në Kryeministri me furnizuesit e karburantit, Balluku solli në vëmendje VKM-në e posaçme të vitit 2004 e miratuar për rastet e krizës, që parashikon detyrimin për ruajtjen dhe mbajtjen e sasisë së naftës si dhe sanksionet përkatëse në rastet e mos zbatimit të këtij vendimi.

“Është e nevojshme të flasim për çfarë kërkon qeveria nga ju, kërkojmë të përmbushet detyrimi i rezervave faktike që ju duhet të keni. Ministria i ka të dhënat dhe janë të qarta dhe transparente të gjithë sasitë e rezervës së sigurisë që secili nga ju duhet të mbajë”, tha Balluku.

Balluku theksoi se, “rafineritë e naftës dhe shoqëritë e tregtimit janë të detyruar të mbajnë rezerva sigurie të barabarta me 90 ditë sigurie shitje. Bordi që do ngrihet për të menaxhuar në bazë ditore të gjithë ecurinë e tregut të naftës, do të ketë detyrë që përmes instrumenteve të kontrollit që administrojë situatën e rezervës së naftës në secilën nga subjektet, ndërsa do nisim kontrollin në terren për të parë gjendjen faktike të depozitave të naftës ku duhet të gjendet sasia e rezervës së sigurisë të kërkuar”.

Sipas saj, kjo do të nisë duke filluar nga nesër në terren, teksa u bëri apel furnizuesve të karburantit “që të deklaronin zyrtarisht sasinë e rezervës që mbajnë, për t’i koordinuar këto të dhëna me sasinë që ka përllogaritur MIE”.

“Ministria i ka të gjitha të dhënat, që na dorëzon nga doganat dhe tatimet. Janë të qarta dhe transparente rezervat e sigurisë që secili prej jush duhet të mbajë. Rafineritë janë të detyruara të mbajnë rezerva. Kategoritë e naftës dhe të gazit, për të cilat do të mbahen këto rezerva sigurie, janë gaz bruto, lëndë djegëse, solar, etj. Rafineritë e naftës janë të detyruara të mbajnë rezerva sigurie me 90 ditë të barabarta shitje. Sasia e rezervës së sigurisë për vitin pasardhës përcakton me urdhër të Ministrisë përgjegjëse”, tha Balluku.

Balluku theksoi se, “rezerva e naftës duhet mbajtur brenda vendit dhe shoqëritë e tregtimit e mbajnë atë të rezervuar në pronën e tyre. Sasia varet, jo më pak se 30% në depozitat e subjekteve”.

“Masa e gjobës në rastet e mos përmbushjes së detyrimeve të përcaktuara nga VKM-ja për sasinë e rezervës së naftës është deri në 50% të vlerës së sasisë së produktit që mungon nga kuota”, tha Balluku..

 

Fraksion.com