AktualitetPolitikëTë fundit

“Jemi në proces reflektimi”; Basha: Jam gati të bëj çdo gjë në interesin e PD! Përgjegjësia e parë është e imja

Për Lulzim Bashën, 6 marsi ishte një mësim për Partinë Demokratike, prandaj tani më ka nisur një proces reflektimi brenda vetë demokratëve, e ku të gjithë do të marrin përgjegjësi, duke theksuar se kjo përgjegjësi do të nisë nga ai i pari. Ai ka pranuar humbjen në 6 mars, por deri në këtë fazë ka refuzuar që të marrë përgjegjësi, pasi thekson thënë se vendimet do të merren pasi të bëhet analiza e thellë e 6 marsit, ku PD-ja doli forcë e tretë.

Deri më tani nuk ka ende në plan që të hapë një garë të brendshme për kreun e partisë, pasi thotë se është ende herët, për aq kohë sa nuk ka përfunduar analiza e brendshme. Synimi dhe detyra e tij kryesore, tha Basha është Partia Demokratike të bashkohet dhe të dalë më e fortë dhe për këtë shton se do të marrë përgjegjësi të plota për ta udhëhequr si proces.

Basha: Ju përshëndes, kemi filluar konsultimet për një reflektim të thellë për 6 marsin, kemi pasur një mbledhje të deputetëve, një të kolegjit të kryetarëve, do vazhdojë me mbledhjen e kryesisë, jemi në proces reflektimi dhe do marrim të gjithë përgjegjësi duke filluar nga unë i pari.

Pyetje: A do jepni dorëheqjen? ….Do të ketë garë për kryetar?

Basha: Nëse unë tani paragjykoj se çfarë do të ndodhë pa folur me bashkëpunëtorët, me njerëzit. Aktualisht që flasim kryetarët e degëve kanë kontakt me strukturat në bazë, edhe deputetët po kështu. Pra, ne jemi në një proces reflektimi dhe që reflektimi të bëhet ashtu siç duhet duhet në radhë të parë të respektojmë ata njerëz të cilët kanë mendimet e tyre, sjellin mendimet e të tjerëve. Prandaj jemi në një proces që nisi që ditën pas 6 marsit, një proces që vazhdoi ditën tjetër dhe do të vazhdojë në ditët e ardhshme. Pra, është një proces i thellë reflektimi me një synim: Interesin më të mirë të demokratëve. Pra dalim, sepse duket qartë që një nga arsyet kryesore është përçarja dhe konflikti mes nesh.

Pyetje: A jeni i gatshëm të votëbesoheni?

Basha: Unë jam gati të bëj çdo gjë në interesin më të mirë të Partisë Demokratike.

Pyetje: Do dorëhiqeni, nuk do garoni sërish?

Basha: Unë jam gati të bëj çdo gjë në interesin më të mirë të Partisë Demokratike.

Pyetje: përfshirë edhe largimin?

Basha: Unë jam gati të bëj çdo gjë në interesin më të mirë të Partisë Demokratike. Por, duhet të keni pak durim se t’i paraprijmë gjërave kur jemi në një proces reflektimi nuk është as e mençur…Siç ua thashë që ditën pas 6 marsit ne kemi mbledhur strukturën e parë sepse ndodhi që e hëna ishte ditë parlamenti, mblodha  të nesërmen Kolegjin e Kryetarëve, do të mbledhim edhe Kryesinë ndërkohë vetë Kolegji i Kryetarëve ka dashur të jetë në kontakt me strukturat, deputetët kanë kërkuar të jenë në kontakt me strukturat. Pra, jemi në një proces reflektimi të brendshëm, disa prej tyre kanë kërkuar edhe analizë specifike për 6 bashkitë. Ju siguroj që demokratët do të marrin në dorë fatet e tyre, Partia Demokratike do të dalë nga ky proces e fortë dhe e bashkuar. Ky është synimi dhe në funksion të saj që padiskutim që  detyra dhe përgjegjësia e parë është e imja dhe unë jam i gatshëm të ndërmarr çdo hap që Partia Demokratike të jetë e fortë, e bashkuar dhe të dali nga 6 marsi, nga humbja e 6 marsit të mos humbi mësimin e madh  të 6 marsit që është domosdoshmëria për të qenë sa më të fortë dhe sa më të bashkuar përballë këtij regjimi.

Pyetje: Do garoni sërish për kryetar?

Basha: S’kemi arritur akoma aty. Sot po diskutohet për Komisionin e Inceneratorëve,  shpresoj t’i japin një vëmendje se është bërë gjithë ajo punë dhe e meriton, Partia Demokratike, anëtarët tanë të komisionit, qytetarët e meritojnë transparencën në Komisionin e Inceneratorëve. Ndërkohë po bëhet nami me naftën dhe i pari i qeverisë ia ka mbathur për në Dubai.. Të merremi me këto. Procesi i reflektimit nisi dhe do të vazhdojë.

PD-ja doli forcë e 3-të në 5 Bashki (përveç Rrogozhinës), duke u mundur jo vetëm nga Partia Socialiste dhe Edi Rama, por edhe nga ish-aleati i tij, Sali Berisha që i mori Bashkinë e Shkodrës me Bardh Spahinë. Brenda PD-së kanë dalë disa zëra që fajtor kryesor bëjnë Lulzim Bashën.Në total janë rreth 16 deputetë nga 42 që ka grupi i PD që një mbrëmje më parë i kërkuan dorëheqjen kreut të PD, Ferdinand Xhaferri, Agron Gjekmarkaj, Helidon Bushati, Ilda Dhori, Dashnor Sula, Emilia Koliqi, Kasem Mahmutaj, Xhelal Mziu, Ramadan Lika, Lefter Gështenja, Elda Hoti, Ervin Salianji, Grida Duma dhe Flutura Açka. Ky zemërim në radhët e demokratëve erdhi pasi Partia Demokratike në drejtimin e Lulzim Bashës pësoi humbjen e 6 radhazi në zgjedhje.

 

Fraksion.com