AktualitetBota+Të fundit

Shtëpia e Bardhë: Rusia mund të përdorë armë kimike ose biologjike në Ukrainë

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, duke refuzuar pretendimet e Rusisë se SHBA-ja ka prodhuar armë kimike dhe biologjike në Ukrainë, ajo paralajmëroi se Rusia mund të përdorë armë kimike ose biologjike në Ukrainë.

Në një deklaratë nëpërmjet llogarisë së saj në Twitter, Psaki tha se “Kemi shënuar pretendimet e gabuara se SHBA-ja ka laboratorë të armëve biologjike dhe se ka zhvilluar armë kimike në Ukrainë. Shikojmë se edhe Kina ka shprehur këto teori konspirative. Kjo nuk mund as të mendohet dhe as të imagjinohet”.

Edhe këto pretendime janë një nga fushatat dezinformuese afatgjatë të Rusisë, theksoi Psaki, duke bërë të ditur se SHBA-ja ka përmbushur përgjegjësitë e saj në Traktatin e Armëve Kimike dhe Traktatin e Armëve Biologjike dhe se ajo nuk ka zhvilluar armë të tilla.

Duke vënë theksin se është Rusia vendi që ka përdorur armë kimike në helmimin e opozitarit rus Alexey Navalny, Psaki ka bërë vlerësimin e saj se “Rusia e cila po ashtu vazhdon të mbështesë regjimin e Assad-it i cili ka përdorur vazhdimisht armë kimike në Siri, është gjithashtu Rusia ajo e cila ka kohë që zhvillon armë biologjike duke injoruar të drejtën ndërkombëtare”.

“Rusia edhe tani po kryen pretendime të gabuara dhe me sa duket edhe Kina e mbështet këtë propagandë. Tani të gjithë duhet t‘i mbajmë sytë hapur kundër përdorimit të armëve biologjike ose kimike të Rusisë në Ukrainë ose kundër mundësisë për të kryer një operacion të rremë për të përdorur këto armë”, paralajmëroi Psaki, duke bërë të ditur se të gjitha këto janë justifikime që prodhon Rusia për luftën e saj kundër Ukrainës.

 

Fraksion.com