SHBA, mijëra persona aplikojnë në ambasadën ukrainase për t’iu bashkuar luftës kundër Rusisë
Pasi Rusia i shpalli luftë Ukrainës, mijëra qytetarë amerikanë që duan të luftojnë në anën e Ukrainës aplikuan në ambasadën ukrainase në Washington.
Qindra persona që duan të bëhen vullnetarë krijuan radhë të gjata përpara ambasadës së Ukrainës në Washington.
Diplomatët ukrainas filluan të mbajnë të dhëna për vullnetarët. Gjithashtu interesi në rritje çoi në komente se ambasada ukrainase është bërë degë ushtarake.
“(Vullnetarët) mendojnë se kjo luftë nuk është e drejtë dhe ata duhet të shkojnë dhe të ndihmojnë”, tha atasheu ushtarak ukrainas gjeneralmajor, Borys Kremenetskyi.
Kremenetskyi theksoi se vullnetarët nuk janë mercenarë, duke vënë në dukje se kjo është vetëm një shenjë e vullnetit të mirë nga njerëzit ndaj luftës për liri të Ukrainës.
Duke theksuar se kanë marrë të paktën 6.000 aplikime për vullnetarë që nga 24 shkurti kur filluan sulmet ruse, Kremenetskyi tha se shumica e vullnetarëve nuk kanë përvojë ushtarake.
Ai falënderoi amerikanët për vullnetin e mirë dhe mbështetjen e tyre dhe potencoi se rusët mund të ndalohen vetëm me grusht hekuri dhe me armë.
Sipas tij, deri më tani në Ukrainë kanë shkuar rreth 100 amerikanë, shumica e të cilëve janë ish-ushtarë. Kremenetskyi tha se vullnetarët mund të shkojnë në vend përmes Polonisë me mundësitë e tyre.
Borys Wrzesnewskyj, një ish-deputet kanadez që drejton grupet që duan të shkojnë vullnetarisht në Ukrainë, tha se rreth 1.000 persona në vend duan të shkojnë në Ukrainë si ushtarë vullnetarë.
Autoritetet ukrainase thonë se deri më tani rreth 20 mijë vullnetarë kanë ardhur në vend për t’iu bashkuar luftës në Ukrainë.
Teksa autoritetet amerikane nuk i mirëpresin qytetarët e tyre për të shkuar në luftë në Ukrainë, sekretari i Shtetit, Antony Blinken tha: “Ne kemi paralajmëruar hapur qytetarët tanë në Ukrainë që të largohen nga vendi dhe amerikanët të mos shkojnë në këtë vend për një kohë”./AA
Fraksion.com