Grup pune për integrimin e Kosovës në NATO
Pas pushtimit të Ukrainës, Kosova e shikon si emergjencë integrimin e saj në strukturat euro-atlantike. Një grup i posaçëm pune do ta çojë përpara këtë projekt, por si do të veprojë ai.
“Veprime destablizuese të provokuara nga Rusia”
Në një mbledhje të qeverisë së Kosovës, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, konsideroi se “pranimi i Kosovës në NATO është urgjencë”, sidomos pas pushtimit rus në Ukrainë. “Kosova dhe shtetet tjera demokratike properëndimore në rajon po ballafaqohen çdo ditë e më shumë me veprime destablizuese të provokuara nga Rusia, përmes vartësve të saj. Duke marrë parasysh kontekstin aktual të agresionit të paprecedentë rus ndaj Ukrainës, dhe synimeve për destabilizim dhe minim të progresive euroatlantike e kërcënim për paqen globale, anëtarësimKosova kërkon që të bëhet pjesë e NATO-si i Kosovës në NATO është urgjent si rrallëherë më pare”, tha Gërvalla në një mbledhje të Qeverisë.
Çfarë synon grupi punes?
Para grupit punues ndodhen detyra të mëdha. Ministrja Gërvalla përmend avancimin e procedurave për pranim në NATO, përfshirjen sa më të shpejtë të Kosovës në partneritetin për paqe, anëtarësimin në Kartën e Adriatikut A5, fuqizimin e pranisë së Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë dhe intensifikimin e bashkëpunimit me aleatët strategjikë.
Që prej nisjes së luftës në Ukrainë, autoritetet e Kosovës kanë bërë thirrje për anëtarësimin e Kosovës në aleancën veri-atlantike. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është i domosdoshëm që të ruhet paqja në rajon. “Anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i shtetit tonë, andaj anëtarësimi është më i domosdoshëm se kurrë dhe është parakusht për paqen në rajon”, ka deklaruar presidentja Osmani.
Turqia mbështet Kosovën në aspiratën e anëtarësimit
Synimet e anëtarësimit të Kosovës në NATO i mbështeti një javë më parë edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Ky i fundit ja konfirmoi këtë edhe presidentes Osmani, gjatë vizitës së saj në Turqi. “Turqia si vend i rëndësishëm i NATO-s nuk shikon asnjë gjë që nuk shkon për sa i përket anëtarësimit të Kosovës këtu. Për ta mbështetur procesin e anëtarësimit në NATO s’kemi nevojë për të marrë leje nga askush. Ne i kemi ndërmarrë hapat tonë. Ashtu siç ndërmorën në rastin e njohjes, ashtu do të bëjmë edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO”, tha presidenti turk, Erdogan.
Realizimi i aspiratës – i vështirë dhe kompleks
Problemi qëndron tek katër vende të Bashkimit Evropian, që janë edhe anëtare të NATO-s, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën si shtet. Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Politika Zhvillimore KIPRED Lulzim Peci, i tha ditë më parë Dë-së në një intervistë se “pa njohjen e Kosovës nga këto shtete, është pothuajse e pamundur që Kosova të jetë pjesë e NATO-os”.
“Kërkesat e palës kosovare për anëtarësim në NATO-ja janë legjitime, por realizueshmëria e tyre është komplekse, sepse, pikë së pari Kosova ka problem që nuk e njohin katër shtete të NATO-os. Dhe problem tjetër është që Kosova ende nuk i ka të rregulluara raportet me Serbinë, kështu që këto janë dy elementet kyqe të cilat do e pengojnë Kosovën rreth përafrimit të përshpejtuar me NATO-on. Mirëpo, nëse situata në rajon ndryshon në mënyrë rapide, atëherë ka mundësi që edhe këto pengesa të tejkalohen”, thotë Lulzim Peci. Sipas tij, një marrëveshje finale me Serbinë, do të çojë deri tek njohja e Kosovës nga katër vendet mosnjohëse anëtare të NATO-os dhe kjo natyrisht që do t’ia lehtësonte Kosovës rrugën për në NATO.
Traktati i NATO-s thotë se anëtarësimi në aleancë është i hapur për çdo shtet evropian që plotëson standardet e kërkuara, por aty theksohet se vendimi për zgjerim duhet të merret me marrëveshje unanime. E në radhët e NATO-s janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia./DW
Fraksion.com