AktualitetBota+Të fundit

Presidenti Biden njofton ndalimin e importeve të naftës dhe energjisë nga Rusia

Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ndalojnë të gjitha importet e naftës dhe energjisë nga Rusia, duke e quajtur një hap të tillë “një goditje tjetër të fuqishme ndaj makinës së luftës së Putinit”.

Ndalimi do të sjellë pasoja të rënda të mëtejshme ndaj ekonomisë ruse, si kundërpërgjigje ndaj agresionit kundër Ukrainës.

Presidenti Biden e pranoi se ndalimi do të rrisë çmimin e karburantit në Shtetet e Bashkuara, por ai shtoi se kjo lëvizje ka mbështetje dypartiake në Kongres dhe se Shtetet e Bashkuara “nuk do të jenë pjesë e subvencionimit të Putinit”.

“Ne e morëm këtë vendim në konsultim të ngushtë me aleatët tanë dhe partnerët tanë në mbarë botën, veçanërisht në Evropë, sepse një përgjigje e bashkuar ndaj agresionit të Putinit ka qenë fokusi im kryesor, për t’i mbajtur NATO-n, BE-në dhe aleatët tanë plotësisht të bashkuar”.

Bashkimi Evropian këtë javë pritet të angazhohet për reduktuar gradualisht mbështetjen tek Rusia për nevojat energjitike, por zëvendësimi i sasive që merren aktualisht nga Rusia pa dëmtuar ekonomitë e BE-së do të dojë një farë kohe. Gazi natyror nga Rusia plotëson një të tretën e nevojave në Evropë. SHBA nuk importon gaz natyror rus.

Presidenti Biden tha se e kupton që partnerët evropianë mund të mos jenë në gjendje ta ndërmarrin këtë veprim menjëherë, duke qenë se janë më të varur tek gazi rus, por ai premtoi se Shtetet e Bashkuara do të punojnë ngushtë me aleatët evropianë për një strategji për reduktimin e varësisë të tyre tek Rusia për nevojat e energjisë.

Vendimi i Shteteve të Bashkuara vjen pas thirrjeve të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy drejtuar zyrtarëve amerikanë dhe perëndimorë për të ndërprerë importet e naftës nga Rusia, të cilat nuk ishin përfshirë në sanksionet e deritanishme ndaj Rusisë.

Vazhdimi i eksporteve të energjisë do të thoshte se Rusia vazhdonte të merrte të ardhura, pavarësisht kufizimeve të rënda në sektorin e saj financiar.

 

Fraksion.com