Polonia e gatshme të vendosë të gjithë avionët luftarakë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara
Polonia është e gatshme të dislokojë të gjithë avionët e saj reaktivë të tipit MIG-29 në Bazën Ajrore Ramstein në Gjermani, si dhe t’i vendosë ato në dispozicionin e Shteteve të Bashkuara, njoftoi të martën Ministria e Jashtme polake, duke i bërë thirrje vendet të tjera të NATO-s që kanë avionë të tillë që të veprojnë në të njëjtën mënyrë.
Ligjvënësit amerikanë i kërkuan të hënën administratës së Presidentit Joe Biden që të ndihmojë për transferimin drejt Ukrainës të avionëve luftarakë të Polonisë dhe të vendeve të tjera të NATO-s dhe të Evropës Lindore. Kjo kërkesë pasoi një thirrje të bërë nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski.
“Autoritetet e Republikës së Polonisë… janë të gatshme të dërgojnë menjëherë dhe falas të gjithë avionët reaktivë MIG-29 në bazën ajrore Ramstein dhe t’i vendosin ato në dispozicion të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ministria polake.
“Në të njëjtën kohë, Polonia i kërkon Shteteve të Bashkuar të na pajisë me avionë të përdorur që kanë aftësitë e duhura operacionale. Polonia është e gatshme për të përcaktuar menjëherë kushtet për blerjen e avionëve”, thuhet në deklaratë.
Polonia po e mbështet Kievin me armatim mbrojtës, por ka deklaruar se nuk do t’i dërgojë avionët reaktivë në Ukrainë, pasi nuk është palë direkte në konfliktin mes Ukrainës, që nuk është anëtare e NATO-s, dhe Rusisë.
“… çdo vendim për të dërguar armë ofensive duhet të merret nga e gjithë NATO-ja dhe me unanimitet”, tha të martën Kryeministri Mateusz Morawiecki, gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Oslo me homologun e tij norvegjez.
“Prandaj jemi gati t’ia japim (bazës) Ramstein të gjithë skuadriljen tonë të avionëve reaktivë luftarakë, por nuk jemi të gatshëm të ndërmarrim ndonjë lëvizje nga ana jonë, pasi siç thashë, nuk jemi palë e kësaj lufte”, shtoi ai.
Fraksion.com