AktualitetLife StyleTë fundit

“Këndoje tani ti Haxhi, listën e bashkëpunëtorëve të Sigurimit në radhët e oficerëve të Ushtrisë, me emrat, pseudonimet dhe…”

Publikohen disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”.

Mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh:

“Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror”, etj.! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al

Dokumenti me proçes-verbalin e mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, me temë “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, mbajtur në datën 20 shtator 1982

Tepër sekret

MBLEDHJE E SEKRETARIATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH E DATËS 20 SHTATOR 1982

Kjo mbledhje u thirr nga shoku Enver, ku u ftuan edhe shokët Adil Çarçani e Hekuran Isai për të analizuar gabimet e rënda të anëtarit të Byrosë Politike, Kadri Hazbiu, të kryera gjatë periudhës që ka qenë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si zëvendësministër e pastaj ministër.

SHOKU KADRI HAZBIU: Kur?

SHOKU RAMIZ ALIA: E di kur është kjo?

SHOKU KADRI HAZBIU: Kur është?

SHOKU RAMIZ ALIA: Në vitin 1975.

SHOKU ENVER HOXHA: E kemi këtu në dosje. Jo që mua nuk më ke thënë gjë hiç, por nga dokumentet, rezulton se nuk i ke thënë gjë as Hysniut.

SHOKU KADRI HAZBIU: Mua, shoku Enver, nuk më kujtohet dhe për këtë do të mbaj përgjegjësi, po këtë problem ne e kemi thirrur këtu për këtë çështje Ismail Qinetin, njërin e tjetrin që ishin bashkëpunëtorët tanë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ti vetëm në 1975 i ke thënë këto gjëra.

SHOKU KADRI HAZBIU: Nuk më kujtohet data kur e kam thënë.

SHOKU ENVER HOXHA: Ja, ja këtë e kemi me shkrim.

SHOKU KADRI HAZBIU: Mirë, shoku Enver, gjatë gjithë kësaj kohe ne jemi përpjekur të nxjerrim evidencën për të ditur se kush ishin këta bashkëpunëtorë tanët që i kanë pasur në lidhje sovjetikët.

SHOKU HEKURAN ISAI: Në atë kohë në ushtri doli problem i Malo Harshovës. Mund të na thuash, ç’është ky Malo Harshova dhe pse është liruar pastaj?

SHOKU KADRI HAZBIU: Nuk e di, ne e kemi kapur si problem këtë, shoku Hekuran dhe kemi nxjerrë një listë, po nuk di që kjo është bërë.

SHOKU ENVER HOXHA: Lëre ta sqarojmë në bllok këtë çështje. Pas luftës që i bënim ne me shokun Hysni, Beqir Ballukut, për të cilin na kishin hipur shumë dyshime, Sigurimi heshti. Sigurimi vazhdoi hetuesinë për ato çka kishim zbuluar ne, për ato që kisha nxjerrë unë, për ato që kish nxjerrë Hysniu. Aktualisht ne kemi të dhëna që Mehmet Shehu i ka dhënë direktiva hetuesisë në atë kohë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Nëpërmjet meje?

SHOKU ENVER HOXHA: Jo nëpërmjet teje, po nëpërmjet seksionit përkatës, që vetëm në këtë ose atë drejtim që donte ai të pyeteshin puçistët, po jo në tjetër drejtim. Shoku Hysni në atë kohë i ka dalë çështja e një kuadri, se cili ishte ky, nuk dihet, po ne dyshojmë se duhet të ketë qenë Malo Harshova.

SHOKU KADRI HAZBIU: Ku ka qenë ky në atë kohë, s’më kujtohet, po jo në artileri, se këtu ka qenë një tjetër.

SHOKU HEKURAN ISAI: Këta njerëz kanë ardhur dhe kanë treguar vetë që kanë qenë bashkëpunëtor që ishin vënë në lidhje me rusët. Nga këta jemi kapur ne që e bëmë problem atëhere.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ju këtë e dinit, bile e dinit më mirë nga ata, sepse ju ua kishit dhënë në lidhje këta bashkëpunëtor rusëve.

SHOKU HEKURAN ISAI: Po, po, këta, ashtu është, shoku Enver.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë, more shoku Hekuarn, edhe unë këtë po them tani, si janë rregullat. Emrat e bashkëpunëtorëve duhet të jenë në Kartotekë.

SHOKU ENVER HOXHA: S’ka rëndësi Kartoteka këtu, ju i kishit bërë listat me emra e me të gjitha kërkesat.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë, ne i dinim këta, po unë s’i dija të gjithë.

SHOKU ENVER HOXHA: Këtu është çështja, Kadri, se mundet që ti s’i dije, gjë që do të thotë të paktën se ti ishe sylesh, nuk e ke kryer detyrën që të ishte ngarkuar.

SHOKU KADRI HAZBIU: Dakord, shoku Enver, po ka një gjë këtu, që me kokën time, jam i bindur se këtë gjë s’e kam bërë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po me cilën kokë e ke bërë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Nuk e di ç’të them. Unë kam pasur lidhje për një kohë në aparatin e Komitetit Qendror me shokun Rita Marko që ka qenë sekretar i Komitetit Qendror, pastaj me tradhtarin Mehmet Shehu si kryeministër, kisha lidhje edhe me shokun Hysni. Kam pasur lidhje gjithashtu edhe me ju. Unë di edhe një gjë që, për çështjet themelore, nuk kam neglizhuar pa ju informuar dhe këtë ma thotë ndërgjegjja. Tani ju kam thënë juve që ne kemi këto lidhje me rusët apo nuk ju kam thënë, unë i besoj kujtesës suaj.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, këtu unë nuk e bazoj në kujtesë, po në dokumente të shkruara. Unë kam me dhjetëra vëllime ditar me shkrim, ku regjistroj çdo ditë çfarë bëj dhe në këto materiale, në datat që janë bërë veprimet e mia, asnjë shënim nuk kam që të përputhet me thëniet e tua.

Po të më kishe thënë ti mua për këto gjëra, unë do të hidhesha përpjetë, për arsye se kanë ndodhur pikërisht në një kohë që unë luftoja me gjak kundër Beqir Ballukut, mbasi siç e dini, në atë kohë isha i sëmurë në shtëpi, dhe kur u informova për këto, u detyrova të ngrihesha nga krevati.

Pra e kam me të shkruar këtë çështje, nuk e kam të bazuar në kujtesë. Prandaj, ti nuk mund të më thuash se ke ardhur më ke informuar mua për këto.

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, shoku Enver, këtu e kisha fjalën.

SHOKU ENVER HOXHA: Unë dua të shtoj edhe një gjë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Urdhëro!

SHOKU ENVER HOXHA: Që për këtë çështje nuk ka ardhur të më thosh gjë as Hysniu, po në dokument figuron që shoku Hysni ka ardhur për t’i thënë se si duhej organizuar Ushtria. Këto që thuhen këtu, nuk i zë fare në gojë Hysniu.

Tani këtu del që ti ia ke thënë vetëm shokut Hysni. Lexoje një çikë Haxhi ti dokumentin, që ta rezumojmë këtë çështje. Kjo është letra e Ismail Qinetit, ku është bërë një shtesë për të treguar se ku janë tani këta rezidentë e bashkëpunëtor, se në praktikën e Hysniut, nuk figuronin ku ishin. Këndoje tani!

SHOKU HAXHI KROI: (Këndon dokumentin): Tiranë, 6.1.1975

Agjentura nga radhët e ushtarakëve që studiojnë në Bashkimin Sovjetik deri në vitin 1960, qoftë ajo që ishte rekrutuar atje, edhe ajo që vinte prej këndej, dihej dhe njihej nga organet e Sigurimit të vendit. Organet e Sigurimit të vendit, me disa nga bashkëpunëtorët tanë, kanë pasur lidhje pune direkte, për të cilën do të flasim më poshtë, kurse për bashkëpunëtorët që kishe në lidhje ose jo, ata, Sigurimi i vendit, i dinte se janë të tillë.

SHOKU ENVER HOXHA: Sigurimi i vendit është rusi.

SHOKU HAXHI KROI: Po (vazhdon leximin):

“Bashkëpunëtorët në lidhje me Punëtorët Operativ të vendit (sovjetik):
M. Sh., me pseudonimin “Lisi”, ardhur në Bashkimin Sovjetik në 1956 në Akademinë e Transportit dhe të Prapavijës. Në vitin 1957 e rekrutuam bashkëpunëtor me cilësinë e rezidentit dhe pati në lidhje dy informatorë, “Lirinë” dhe “Anadotin” e Krujës, me të cilët pati vetëm nja dy takime. Mbasi u rekrutua, ky iu dha në lidhje punëtorit operativ të vendit. “Lisi” i ka mbajtur lidhjet deri në kohën që u ndryshua situata. Pas kësaj kohe ato i preu. Edhe nga Punëtori Operativ i vendit, nuk i është bërë ndonjë tentativë për ta rimarrë ose afruar. “Lisi”, si më përpara, edhe më vonë, ka mbajtur qëndrim të vendosur, është treguar besnik ndaj Partisë. U kthye nga Bashkimi Sovjetik në kohën kur pala sovjetike preu bursat, domethënë në vitin 1961. Ky duhej të përfundonte studimet në 1961. Tani është efektiv i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore në Uzinën Mekanike të Ushtrisë.
T. D., me pseudonimin “Lumi”, ardhur në Bashkimin Sovjetik në vitin 1957 dhe në vitin 1958 u rekrutua në drejtim të ushtarakëve të Akademisë së Krabinës së Leningradit. Po këtë vit, i’u dha në lidhje Punëtorit Operativ të vendit, sektorit të Marinës. Ky përfundoi armiqësor në vitin 1960, domethënë pa dalë haptazi akoma qëndrimi armiqësor i udhëheqjes së Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Qëndrimi i tij ka qenë i mirë, është element i vendosur dhe besnik. Tani është komandant i Forcave Vullnetare në Lushnjë.
L. C., me pseudonimin “Deti”. Ardhur në Bashkimin Sovjetik në 1956 në shkollën e marinës. Përfundoi studimet në vitin 1960. Këtë e kemi rekrutuar atje në vitin 1957 dhe po atë vit i është vënë në lidhje Punëtorit Operativ të vendit, sektorit të Marinës, po atij që mori edhe “Pëllumbin”. Lidhjet e tij me Punëtorin Operativ të vendit u prenë për shkak dyshimesh për dekonspirim. Deri në fund ai mbeti pa lidhje nga ana e Punëtorit Operativ të vendit. U kthye në Shqipëri në vitin 1960. Është komandant i Grupit Elektrik të nëndetëseve.
T. M., me pseudonimin “Adriatiku”, ardhur në Bashkimin Sovjetik në vitin 1954 dhe larguar në vitin 1958. Në fillim të vitit shkoi në Riga dhe mandej në Baku. Këtë e rekrutuan në vitin 1956. Pas rekrutimit, në pamundësi që këtë ta vija në lidhje me Punëtorin Operativ vendas, këtij të fundit i rekomandova për ta marrë në lidhje, duke e pasë udhëzuar ditë më parë “Adriatikun” për lidhjet që do të merrte me Punëtorin Operativ. Në Riga ka qenë i lidhur me Punëtorin Operativ të vendit, kurse me transferimin në Baku, nuk e dimë në se ka marrë ndonjë rekomandim. Është shef shtabi regjimenti në Artilerinë Bregdetare në Fier.
Bashkëpunëtorët në lidhje të Punëtorit Operativ tonë dhe që diheshin nga ana e organeve të sigurimit të vendit. Qoftë bashkëpunëtorët që kemi rekrutuar, si dhe ata që merrnin në lidhje, mbasi vihej në detyrë prej këndej në lidhje pune, organet e vendit kishin dijeni, mbasi me anën e tyre organizonim gjithë procedurën që kemi pasur në lidhje dhe që nga vendasit diheshin janë:
Y. Xh., me pseudonimin “Lupi”, ardhur në Bashkimin Sovjetik më 1954, larguar më 1959. Ka qenë në burg për veprimtari armiqësore. Tash është mjek në Rrëshen.
Th. R., i quajtur “Anadoti i Krujës”, ardhur në Bashkimin Sovjetik më 1955, larguar më 1960. Është shef Ndërlidhjeje të Forcave Vullnetare në …!
Q. L., me pseudonimin “Zakoni i vendit”, ardhur në 1955, larguar më 1959.
Dh. Dh., me pseudonimin “Kiçoku”, ardhur në Bashkimin Sovjetik më 1955, larguar më 1961. Është shef i Degës Topografike të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore.
G. Sh., me pseudonimin “Agimi”, ardhur në Bashkimin Sovjetik më 1955, larguar më 1959. Është komisar i Korpusit të Fierit
B. B., me pseudonimin “Deli”, ardhur në 1954, larguar më 1957. Është i sëmurë nga nervat.
H. K., me pseudonimin “Metodiku”, ardhur në Bashkimin Sovjetik më 1955, larguar më 1958. Është i arratisur.
F. L., me pseudonimin “Besimtari”, ardhur në Bashkimin Sovjetik në 1958, do të largohej më 1961. Ka vdekur në një aksident ajror.
I. Sh., i quajtur “Proletari”, ardhur në Bashkimin Sovjetik në 1958, do të largohej më 1962. Ndodhet në Uzinën e Pashalimanit.
A. A., pseudonimi “Beteja e Cepos”, ardhur në Bashkimin Sovjetik më 1959, do të largohej në 1965. Është efektiv i Mbrojtjes Kundërajrore.
M. H., nuk ka pseudonim, ardhur në Bashkimin Sovjetik më 1957, larguar më 1960. Ish-komandant i Korpusit të Korçës.
Bashkëpunëtorët të rekrutuar në Shqipëri dhe që në Bashkimin Sovjetik nuk janë mbajtur në lidhje, por që sovjetikët kishin dijeni për ta:
Z. N., me pseudonimin “Rrufeja”, ardhur në Bashkimin Sovjetik më 1955, larguar më 1960. Vdekur.
M. R., i quajtur “Kamenica”, ardhur në 1955, larguar në 1958.
K. Sh., i quajtur “Qafuku”, ardhur në 1956, larguar në 1961. Është shefi Karburantit të Ushtrisë.
K. Q., me pseudonimin “Kasaforta”, ardhur më 1958, larguar më 1961. Është shefi Drejtorisë Operative në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore.
S. X., i quajtur “Drini”, ardhur në 1958, do të largohej më 1963.
S. H., i quajtur “Poeti”, ardhur më 1959, do të largohej më 1964.
S. B., i quajtur “Urali”.
K. K., me pseudonimin “Mekaniku”, ardhur në 1959, do të largohej më 1965.
A. B., me pseudonimin “Laboratori”, ardhur në 1959-ën, dhe largohet në 1965-ën.
A. L., me pseudonimin “Aparati”, ardhur në 1957-ën, larguar në 1961-in.
I. Ll., me pseudonimin “Tankisti”, ardhur më 1958-ën, larguar më 1961-in.
M. T., aktualisht Komandant i Akademisë.
J. B., me pseudonimin “Luani”.
I. M., me pseudonimin “Pionieri i Lëvizjes”.
F. S., me pseudonimin “Prognozi”.
H. Ç., tani komandant i Artilerisë në repartin 4625 në Patos.
Sikurse shihet, pothuaj e gjithë agjentura që kishim në radhët e ushtarakëve, diheshin nga organet e Sigurimit të vendit. Kjo u është dhënë atyre sa herë që vinin grupe ushtarakësh për studime.

Me ta, në organizimin, shpërndarjen e tyre dhe takimin me bashkëpunëtorët e me Punëtorët Operativ të organeve tona, kur shihej e nevojshme, disa nga bashkëpunëtorët u janë dhënë në lidhje edhe Punëtorëve Operativ të vendit, të cilët për atë kohë bënin punën e ndërlidhësit, midis bashkëpunëtorëve dhe Punëtorit tonë Operativ.

Për bashkëpunëtorët e ardhur nga fundi i vitit 1959 dhe më vonë, organet e vendit nuk kanë dijeni, pasi në këtë kohë nga ana e Punëtorit tonë Operativ, nuk u janë dhënë, jo vetëm bashkëpunëtorët, por as si lista, sepse që nga ajo kohë, d.m.th., nga fillimi i vitit 1960, lidhjet edhe midis Punëtorit tonë Operativ, me organet e vendit, u prenë.

Punëtori Operativ

Ismail Qineti

Shënim: Lista e mësipërme është sipas origjinalit të shokut Ismail Qineti, që ndodhet në Degën e Sigurimit të Ushtrisë. Po në të, janë shkruar disa sqarime, se ku ndodhen aktualisht personat e mësipërm./Memorie.al

Zv/Kryetar i Degës së Sigurimit të Ushtrisë

Përparim Buçari

 

Fraksion.com