Disfata në zgjedhjet e 6 marsit: Grupi i PD-së i kërkon Bashës dorëheqjen
Një pjesë e anëtarëve të Grupit të Partisë Demokratike kanë kërkuar dorëheqjen e kreut të partisë Lulzim Basha gjatë mbledhjes prej mbi katër orësh, pas dështimit në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në gjashtë bashki.
Sot pritet të mblidhen forumet e partisë.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha e konsideroi 6 marsin si “kurth pas 8 janarit”, duke mos e pranuar humbjen e tij të gjashtë në garat elektorale.
Demokrati Ferdinand Xhaferri i kërkoi Bashës të largohet nga drejtimi i PD, duke theksuar se ka fyer demokratët.
Agron Gjekmarkaj vendosi të japë dorëheqjen si nënkryetar i PD-së, pas disfatës të së djathtës në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit të mbajtura në gjashtë bashki në vend.
Edhe Dashnor Sula ka deklaruar se është gati të lërë detyrën e deputetit, nëse nuk ndryshon situata aktuale në PD.
“Nëse nuk shoh zgjidhje dhe më krijohet bindja që Partia Demokratike do të jetë konkurruese reale në zgjedhjet e ardhshme, unë do e mbyll karrierën e deputetit. Mandatin nuk e shoh si privilegj. Po të deklaroj që nëse nuk ka zgjidhje në PD, mua mos më konsideroni më për zgjedhjet e ardhshme vendore”, është shprehur Sula në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat.
Ramadan Lika i kërkoi Bashës të mos dalin sonte nga mbledhja pa marrë një vendim.
“S’të kam kërkuar kurrë gjë dhe të kam kthyer Koplikun si fitues, jam gati të dorëzoj mandatin. Duhet zgjidhje, thua që s’kemi humbur, si nuk keni humbur, ne jemi shkatërruar? S’duhet të dalim pa vendim që këtu”, është shprehur ai.
Ndërsa Grida Duma i kërkoi kryedemokratit Lulzim Basha të mbajë përgjegjësi për humbjen në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.
“Tani para se të na drejtohesh ne me pyetje kam ynë një pyetje për ty: A ndjen ti kryetar përgjegjësi morale personale për këtë humbje?! Lideri në një parti politike është 90 % dhe numrat dy tre apo 27 çfarëdo të bëjnë nuk e zëvendësojnë dot as përmirësojnë dot liderin. Dëgjova që e niset fjalën tuaj kryetar duke thënë ose me mua ose këtu do t’ju vijë Sali Berisha.
Sali Berisha duke dashur t’ju mundë ju, mundi Partinë Demokratike. Në këtë garë për shkak të luftës midis Sali Berishës dhe jush humbi Partia Demokratike. Në këtë betejë në bëmë gjithçka të mos e bënim betejën Berisha kundër Bashës por nuk e evituam dot. Ju thoni sot këtu ‘o të jem unë ose këtu do jetë Sali Berisha’ pra o unë o askush nuk mundet. Ç’ka do të thotë që kulti i individit që po luftojmë është edhe më i rrënjosur”, ka thënë Duma.
Deputetja Jorida Tabaku nuk ishte pjesë e mbledhjes, ndërsa nuk dihet ende shkaku.
Sipas informacioneve, Flamur Hoxha, Arbi Agalliu dhe Oriola Pampuri mbështesin Bashën.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha vijon të mos pranojë humbjen e thellë në zgjedhjet e pjesshme vendore, ku jo vetëm nuk mundi të marrë asnjë bashki, por u rendit forcë e tretë me më pak vota se koalicioni i Sali Berishës me LSI-në dhe PDK-në.
Zgjedhjet e 6 marsit kishin një vlerë të madhe për elektoratin demokrat, ku pritej të tregohej mbështetja e demokratëve të cilët prej muajsh tashmë janë ndarë në dy fronte, ata që mbështesin Bashën dhe ata që mbështesin Berishën.
Partia Socialiste arriti të merrte pesë nga gjashtë bashkitë në garë, Vorën, Rrogoshinën, Dibrën, Lushnjën dhe Durrësin, ndërsa koalicioni “Shtëpia e Lirisë” fitoi në Shkodër.
Pjesë nga debati në grupin e PD-së:
Basha: 6 marsi ishte kurth pas 8 janarit dhe ne u vendosem para detyrimit për të marrë pjesë në zgjedhje. Nesër mblidhen organet e tjera të partisë për të diskutuar.
Xheferraj: Jam më i vjetri dhe me eksperiencë, s’kam ambicie por përgjegjësi për PD. Berisha s’është zgjidhje dhe e ka mbyll me PD por t’i na ke fyer kur thua s’kam humb asnjë garë. Duhet te largohesh si kryetar.
Basha: S’kam humb asnjë gare, i kanë vjedhur.
Sula: Cila është zgjidhja kryetar? Se kështu mund të na thuash përsëri. Si i jep zgjidhje? Ke përgjegjësi ti dhe ne. Nuk na beson më asnjë kështu.
Ilda Dhori: Të hapen zgjedhjet në parti.
Ilda Dhori: Duhet të ikësh, duhet të hapet gara në PD. Berisha e ka mbyll duhet të zgjedhin demokratët cili na bashkon.
Helidon Bushati: Duhet të jemi përtej egos, e shkatërruat PD ju dhe Berisha. Duhet të ikësh.
Helidon Bushati: Duhet kongres pajtimi.
Helidon Bushati: Duhet të gjithë ne këtu dhe kolegët tanë të “Shtëpisë së lirisë të kalojmë përtej egove personale për të mirën e PD-së.
Gjekmarkaj: Duhet komision ta çojë PD në zgjedhje.
Bushati: T’i hapet rruga zgjedhjeve.
Bushati: Duhet kongres pajtimi me pjesëmarrjen e të dy rrymave ku për të mirën e përgjithshme disa duhet të bëjnë një hap prapa.
Basha: Dy rrugë ka. Ose rrimë bashkë e bëjmë riorganizim ose ia dorëzojmë Sali Berishës. Synimi i Berishës është ta marrë PD për t’u mbrojtur nga ‘non grata’.
Lefter Geshtenja: Duhet të bëni një hap pas ju i pari pastaj me radhë të gjithë, në mënyrë që të bashkohen demokratët në bazë. Nuk mund të vazhdohet më kështu, duhet reflektim i thellë nga të gjithë, nga ju i pari, duhet të sakrifikojmë të gjithë që të shpëtojmë PD. Nëse na dhimbset vërtetë PD duhet ta bëjmë sot se nesër do jetë vonë. Ju duhet të bëni një hap pas që të bashkohen demokratët. Sot demokratët janë të ndarë. Drejtuesit e partisë nuk dalin në terren janë larguar nga strukturat e PD shkojmë vetëm për fushata, nuk mund të vazhdohet kështu.
Emilia Koliqi: Duhet të kishe dalë e të thojë largohem nëse largohet Berisha.
Ramadan Lika: S’të kam kërkuar kurrë gjë dhe të kam kthyer Koplikun si fitues, jam gati të dorëzoj mandatin. Duhet zgjidhje, thua që s’kemi humbur, si nuk keni humbur, ne jemi shkatërruar? S’duhet të dalim pa vendim që këtu.
Grida Duma: Tani para se të na drejtohesh ne me pyetje kam ynë një pyetje për ty: A ndjen ti kryetar përgjegjësi morale personale për këtë humbje?! Lideri në një parti politike është 90 % dhe numrat dy tre apo 27 çfarëdo të bëjnë nuk e zëvendësojnë dot as përmirësojnë dot liderin. Dëgjova që e niset fjalën tuaj kryetar duke thënë ose me mua ose këtu do t’ju vijë Sali Berisha.
Sali Berisha duke dashur t’ju mundë ju, mundi Partinë Demokratike. Në këtë garë për shkak të luftës midis Sali Berishës dhe jush humbi Partia Demokratike. Në këtë betejë në bëmë gjithçka të mos e bënim betejën Berisha kundër Bashës por nuk e evituam dot. Ju thoni sot këtu ‘o të jem unë ose këtu do jetë Sali Berisha’ pra o unë o askush nuk mundet. Ç’ka do të thotë që kulti i individit që po luftojmë është edhe më i rrënjosur”, ka thënë ajo.
Kasem Mahmutaj: Duhet një garë e hapur, të gjejmë kush e bashkon nëpërmjet zgjedhjeve! Ne mund të flasim gjithë natën, por këtij debati zgjidhje i jep vetëm vota.
Fraksion.com